Presidenti Meta në Ditën Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë: Kërkohet ndërgjegjësimi i të gjithë shoqërisë sonë, për nevojat, sfidat e vështirësitë me të cilat përballet çdo ditë komuniteti i të verbërve!

Presidenti Meta në Ditën Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë: Kërkohet ndërgjegjësimi i të gjithë shoqërisë sonë, për nevojat, sfidat e vështirësitë me të cilat përballet çdo ditë komuniteti i të verbërve!

Në Ditën Ndërkombëtare të të Verbërve, ose siç njihet ndryshe “Dita e Shkopit të Bardhë”, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta zhvilloi sot një takim me shoqatën “Shpresë kundër verbërisë”.

Pasi e falënderoi kryetarin Artur Puka dhe përfaqësuesit e saj për kontributin e dhënë në ndihmë të personave që nuk shikojnë ose që shikojnë pjesërisht, Presidenti Meta vuri në dukje domosdoshmërinë për ndërgjegjësimin e gjithë shoqërisë sonë për nevojat e këtij komuniteti.

Më pas, në një ceremoni solemne të organizuar me rastin e kësaj Dite Ndërkombëtare, Presidenti Meta vlerësoi me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” zotin Emiliano Lule: “Për kontributin e tij të madh në përmirësimin e jetës së mijëra njerëzve që nuk shikojnë; si aktivist i shoqërisë civile si dhe për ndjenjën e thellë të solidaritetit drejt gjithë komunitetit të personave me aftësi të kufizuara”.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit çmoi me Titullin “Mjeshtër i Madh” skenaristin Kliton Gilani: “Në shenjë vlerësimi për kontributet e dhëna si skenarist në fushën e kulturës dhe të kinematografisë shqiptare, duke realizuar me mjeshtëri të lartë artistike filma dokumentarë”.

Në fjalën e Tij drejtuar të pranishmëve, Presidenti Meta vuri në dukje:

“Të nderuar pjesëmarrës, jam i lumtur që jemi së bashku sot, në Ditën Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, për të nderuar dy përfaqësues të këtij komuniteti të personave të verbër, z. Kliton Gilani dhe z. Emiliano Lule.

Dita e sotme, shërben për të ndërgjegjësuar të gjithë shoqërinë tonë për kuptimin e shkopit të bardhë dhe për të inkurajuar të gjithë qytetarët të tregojnë respekt e kujdes, ndaj cilido me shkop të bardhë.

Kjo ditë është kthyer, po ashtu, në një ditë në të cilën festohen arritjet e të verbërve dhe të personave me shikim të pjesshëm dhe ofron mundësinë për të edukuar dhe ndërgjegjësuar rreth të verbërve dhe personave me shikim të pjesshëm.

Në këtë Ditë Ndërkombëtare kërkohet sensibilizimi i të gjithë shoqërisë sonë, për nevojat që ka ky komunitet, por edhe për sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballen çdo ditë.

Sfidë e madhe mbetet punësimi i tyre si në administratën publike edhe në sektorin privat. Po ashtu mbetet problematikë arsimimi i të gjithë fëmijëve të verbër, veçanërisht në zonat rurale të vendit.

Vështirësitë në transportin publik, mungesa e sinjalistikës me audio në rrugë apo vështirësia në aksesin për informacionet zyrtare, vendime apo ligje të shtypura ose online, janë problematika me të cilat personat e verbër përballen në jetën e tyre.

Ndërsa kujtojmë Ditën e Shkopit të Bardhë i bëjmë thirrje qeverisë qendrore dhe lokale për të vendosur dhe zbatuar standarde, që do të siguronin akses të plotë për të gjithë personat me aftësi të kufizuara.

Për të nderuar punën e madhe, që komuniteti i personave me aftësi të kufizuara, jep për shoqërinë dhe vendin tonë, dëshiroj që, sot, në Ditën Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, të vlerësoj dy përfaqësues të komunitetit të personave që nuk shikojnë.

Kliton Gilani, filloi karrierën e gazetarit me përfundimin e studimeve universitare, duke shkruar për gazetat e rinisë të kohës dhe duke dhënë mësim në degën e gazetarisë së Universitetit të Tiranës.

Me hapjen e Televizionit Shqiptar, bëhet një nga kuadrot e para të tij, me një prodhimtari të lartë me vlera artistike dhe me vlerësime, me çmime, në konkurse letrare dhe festivale filmash.

Pasi kalon në Kinostudion ‘Shqipëria e Re’ vazhdon të dallohet si një dokumentues dhe skenarist i talentuar.

Me skenarët e zotit Gilani, janë realizuar mbi 40 filma dokumentarë që iu kushtohen figurave të rëndësishme historike në fushën e kulturës, letërsisë, arteve, si në filmat kushtuar Shtjefën Gjeçovit, Jan Kukuzeli, Dora D’Istria, Sami Frashëri, Zef Jubani, etj.

Gjatë gjithë veprimtarisë së tij zoti Gilani, u dallua si një dokumentar i talentuar e si shkrimtar me një vështrim të veçantë poetik.

Për shkak të një problemi të rëndë shëndetësor në sy detyrohet të lerë punën, problem që më vonë sjell verbërinë e plotë.

Edhe pse i verbër, zoti Gilani vazhdoi me pasionin e tij të madh, të shkruarit duke botuar romanin ‘Ndenjësja me rrota’, me të cilin fitoi titullin ‘Fitues i çmimit të Madh’ nga Qendra e Rehabilitimit të të verbërve.

Në vlerësim të punës dhe të kontributit që ka dhënë në fushën e kulturës dhe të kinematografisë, vlerësoj sot zotin Gilani, me titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’.”

Zoti Emiliano Lule është vetëm 40 –vjeç, por ai ka dhe një kontribut të madh në mbështetje të komunitetit të personave të verbër, komunitet të cilit ai i përket.

Një aksident në moshën 20-vjeçare, bëri që zoti Lule në atë kohë student i inxhinierisë elektrike, të humbiste shikimin. Një ngjarje e tillë në atë moshë mund të bësh që të humbasësh toruan, të dekurajohesh e të dorëzohesh.

Por kjo ndodhi me Emilianon, i cili me kurajo dhe guxim, vazhdoi dhe mbaroi studimet në degën e psikologjisë, për të vazhduar më tej me përfundimin e 2 masteravë, ndërkohë që sot ndjek doktoraturën në Universitetin e Londrës, Instituti i Edukimit.

Ai është aktivist i shoqërisë civile, i njohur për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit të njerëzve që nuk shikojnë. Vullnetarisht prej vitit 2011, ka zhvilluar kodin brail për gjuhën shqipe dhe të gjithë personat me vështirësi shikimi, kanë një program pikërisht nga kjo literaturë leterësisht në braile.

Sfidat e radhës për Emilianon mbetet një librari online për nxënësit e verbër dhe ndërtimi i sinteze vokale, që lexon nëpërmjet kompjuterit në gjuhën shqipe.

Për kontributin e tij të madh në dobi të komunitetit të personave që shikojnë, vlerësoj sot zotin Emiliano Lule me titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile”.

Faleminderit për shembullin e shkëlqyer, forcën dhe frymëzimin, që të dy na keni dhënë të gjithëve ne!