Presidenti Meta në Ditën Ndërkombëtare të Diversitetit Kulturor, Dialogut dhe Zhvillimit: Respektimi i të drejtave të pakicave kombëtare element thelbësor për integrimin e plotë të Shqipërisë në familjen europiane.

Presidenti Meta në Ditën Ndërkombëtare të Diversitetit Kulturor, Dialogut dhe Zhvillimit: Respektimi i të drejtave të pakicave kombëtare element thelbësor për integrimin e plotë të Shqipërisë në familjen europiane.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Diversitetit Kulturor, Dialogut dhe Zhvillimit zhvilloi një veprimtari me anëtarë dhe përfaqësues të disa prej pakicave kombëtare në Shqipëri.

Presidenti Meta gjatë takimit me përfaqësuesit e pakicave kombëtare, u shpreh:

“Jam i lumtur të jem sot, në Ditën Ndërkombëtare për Diversitet Kulturor, Dialog dhe Zhvillim, bashkë me ju përfaqësues të minoriteteve dhe pakicave, që jetojnë në vendin tonë.

Kjo ditë na ofron një mundësi të madhe për të promovuar diversitetin kulturor dhe për të kuptuar vlerat e tij, për të promovuar dhe nxitur dialogun ndërkulturor, duke nxjerrë në pah pasuritë e kulturave të pakicave në vendin tonë.

Kjo ditë na mundëson gjithashtu të promovojmë gatishmërinë dhe dëshirën, për të jetuar së bashku në paqe dhe në harmoni, si dhe për të respektuar të drejtat e të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve, që jetojnë e punojnë në Republikën e Shqipërisë.

Promovim, që duhet bërë jo vetëm sot, por në çdo ditë të vitit.

Diversiteti kulturor vlerësohet si trashëgimi e përbashkët e njerëzimit dhe ruajtja e tij konsiderohet si respekt, në radhë të parë ndaj dinjitetit njerëzor.

Mbrojtja e pakicave dhe diversitetit të tyre kulturor është thelbësore, si për pasurimin, që ato i sjellin kulturës së një vendi, edhe për faktin që janë një urë lidhëse miqësie e fortë me vendet e tyre të origjinës.

Pakicat kombëtare janë një mundësi paqeje dhe harmonie dhe si të tilla duhen mbrojtur dhe duhen respektuar maksimalisht.

Të drejtat e personave, që i përkasin pakicave, janë pjesë integrale e të drejtave themelore të njeriut dhe pjesë kryesore e vlerave të Bashkimit Europian. Njëkohësisht, ato janë edhe një element thelbësor për integrimin e plotë të Shqipërisë në familjen e madhe europiane.

Shqipëria dhe shqiptarët u kanë kushtuar dhe u kushtojnë një vëmendje të veçantë marrëdhënieve miqësore, bashkëpunimit, bashkëjetesës, tolerancës dhe mirëkuptimit me pakicat kombëtare, që jetojnë në vendin tonë, duke mos njohur apo nxitur konflikte dhe probleme etnike, racore apo fetare.

Kjo është një pasuri, që e kemi ruajtur ndër breza, ashtu siç ruajmë edhe harmoninë dhe bashkëjetesën fetare, për të gjithë ne jemi një shembull i shkëlqyer në të gjithë botën.

Respektimi dhe mbrojtja e pakicave kombëtare, si pjesë e pandarë e shoqërisë sonë, është sanksionuar qartë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke ju njohur të drejtën “të shprehin lirisht, pa u ndalur dhe as detyruar, përkatësinë e tyre etnike, kulturore, fetare e gjuhësore”, si dhe të drejtën “për t’i ruajtur dhe zhvilluar ato, të mësojnë dhe të mësohen në gjuhën e tyre amtare, si dhe të bashkohen në organizata e shoqata për mbrojtjen e interesave dhe të identitetit të tyre”.

Është detyrë e qeverisë dhe e të gjithë institucioneve të sigurojnë që pakicat kombëtare të jenë të gjithëpërfshira në jetën publike, ekonomike, politike, sociale e kulturore të vendit, ashtu siç edhe duhet të informojnë e edukojnë shoqërinë dhe të bëjnë të qartë se pakicat kombëtare janë pasuri e shtrenjtë për të gjithë shoqërinë tonë.

Po kështu, strukturat shtetërore dhe shoqëria civile kanë detyrim ligjor e moral të parandalojnë çdo veprim, që do të nxiste urrejtje etnike dhe do të prishte principet e bashkëjetesës paqësore midis komuniteteve të ndryshme në vendin tonë.

Shqipëria ka një ligj shumë të mirë për pakicat kombëtare, por edhe pse kanë kaluar 4 vjet nga miratimi i tij, një pjesë e legjislacionit dytësor ka mbetur ende pa u implementuar.

Kjo sjell pengesë edhe në çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, sepse respektimi i të drejtave të pakicave kombëtare bën pjesë në kriteret kryesore që BE-ja i ka vendosur Shqipërisë për çeljen e negociatave për anëtarësim.

Dëshiroj ta përmbyll fjalën time duke ju falënderuar të gjithëve ju, që ndodheni sot, por edhe të gjitha ata që do të donin të ishin këtu te ne sot.

Kontributi i dhënë nga pjestarë të pakicave kombëtare në vendin tonë, është i jashtëzakonshëm dhe i vazhdueshëm, dhe i bënë ata qytetarë të nderuar dhe model të vendit tonë.

Ndaj dhe Ne ju jemi shumë mirënjohës.

Duhet të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë, të gjithë së bashku, për të forcuar bashkëjetesën tonë harmonike, tolerancën dhe mirëkuptimin, si dhe njëkohësisht, për të ruajtur diversitetet tona, si një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore shqiptare, por edhe europiane.

Mos të harrojmë se në këtë rajon, çdo komb është diku shumicë dhe diku pakicë, sepse e tillë ka qenë historia.

E vetmja rrugë për të ecur përpara, në paqe, në begati dhe në prosperitet është që në çdo shtet, pakicat të respektohen njëlloj, sipas standardeve më të avancuara europiane.

Jam i bindur që ne, do të punojmë në këtë drejtim edhe më mirë në të ardhmen së bashku.”