5 Gusht 2018 Presidenti Meta në Bjeshkët e Rugovës
Presidenti Meta në Bjeshkët e Rugovës: Kjo trevë shqiptare, një burim i pashtershëm i atdhedashurisë dhe i sakrificave për kombin e për çështjen kombëtare!
Pejë, Kosovë
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vizitoi Rugovën e Pejës, ku u mikprit nga Kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri si dhe mori pjesë duke përshëndetur veprimtarinë tradicionale popullore, kulturore e artistike, “Lojërat tradicionale të Rugovës” të mbajtur në fshatin Stankaj, me praninë e mijëra bashkatdhetarëve nga të gjitha trojet shqiptare.
I ftoj shqiptarët e Rugovës e Kosovës që në këtë periudhë të vizitojnë Shqipërinë për më shumë det, dhe ne nga Shqipëria, të vijmë këtu në mal, në këto bjeshkë të mrekullueshme. Kështu turizmi do të zhvillohet në mënyrë të pandërprerë, por edhe lidhjet tona do të jenë akoma edhe më të forta.
Është kënaqësi që marr pjesë në këtë veprimtari, sepse kjo mban të gjalla traditat e kësaj treve, por jo vetëm të saj. Mban të gjalla traditat tona më të mira kombëtare, folklorike, muzikore. Në këtë mënyrë edukojmë edhe brezat e rinj me dashurinë për këtë vend e për këto troje dhe forcojmë identitetin kombëtar dhe kulturor.
Përgëzimet më të mira për të gjithë ju! Për kryetarin zotin Muhaxheri, të cilit i uroj një mandat të suksesshëm, dhe njëkohësisht edhe për ansamblin ‘Rugova’ dhe për të gjithë ata që marrin pjesë në këtë veprimtari të mrekullueshme!
Uroj që Kosova shumë shpejt do të përfitojë liberalizimin e vizave dhe në këtë mënyrë, të vazhdojë rrugëtimin drejt përparimit, në interes të të gjithë qytetarëve të saj, në mënyrë të veçantë në interes të të rinjve, të cilët duhet ta shohin të ardhmen e tyre në këto troje, në këto alpe.
Sepse ne e dimë shumë mirë që as Austria, dhe as Zvicra nuk i kanë alpet më të bukura se ne!
Por ne duhet të punojmë më shumë që të rinjtë tanë të punojnë këtu dhe këtë bukuri, që natyra u ka dhënë këtyre trojeve, me punën e edukimin e tyre, ta kthejnë në mirëqenie për të gjithë! Urime dhe suksese!” – u shpreh Presidenti i Republikës së Shqipërisë.