3 Gusht 2018 Presidenti Meta në Bashkinë Shkodër, me “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”
Presidenti Meta në Bashkinë Shkodër, me “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”: Besoj se të rinjtë e të rejat do të bëhen edhe promovuesit kryesorë të kësaj Aleance dhe solidariteti mbarëshoqëror.
Në kuadër të nismës së ndërmarrë, “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ishte sot në qytetin e Shkodrës.
Presidenti Meta falënderoi Kryetaren e Bashkisë, znj. Voltana Ademi, njëkohësisht edhe kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, e cila bashkarisht me qytetarët shkodranë, iu përgjigjën që në fillim e në mënyrë konkrete thirrjes së kreut të shtetit dhe të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”.
Dhurimi i gjakut është një proces 100% i sigurtë dhe një proces tepër i shëndetshëm, sidomos për të rinjtë dhe për të rejat, që unë besoj se do të bëhen edhe promovuesit kryesorë të kësaj Aleance dhe të këtij solidariteti mbarëshoqëror.” – u shpreh Presidenti Meta.
Kreu i Shtetit vuri në dukje gjithashtu se: “Qëllimi kryesor i Aleancës është që në vitin 2020 ne të arrijmë atë objektiv të vendosur edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që dhurimi i gjakut të jetë një proces tërësisht i garantuar në mënyrë vullnetare dhe një proces i stabilizuar e afatgjatë.