Presidenti Meta: Mesazhi i fuqishëm demokratik, qytetar dhe kurajoz i popullit të Përmetit në zgjedhjet e 75 viteve më parë, kundër vendosjes së diktaturës, është i gjallë dhe i vlefshëm edhe sot dhe për të ardhmen

Presidenti Meta: Mesazhi i fuqishëm demokratik, qytetar dhe kurajoz i popullit të Përmetit në zgjedhjet e 75 viteve më parë, kundër vendosjes së diktaturës, është i gjallë dhe i vlefshëm edhe sot dhe për të ardhmen

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” dy atdhetarë të shquar përmetarë, Agathokli Xhitomin (pas vdekjes) dhe At Aleksandër Lipen (pas vdekjes), të cilët për bindjet e tyre të palëkundura demokratike dhe për veprimtarinë në mbështetje të zgjedhjeve të lira e demokratike të vitit 1945, u ekzekutuan nga regjimi diktorial që po instalohej.

Në ceremoninë solemne të organizuar, Kreu i Shtetit e dekoroi atdhetarin nga Leusa e Përmetit, luftëtarin e paepur në mbrojtje të lirisë dhe sovranitetit territorial të vendit, veprimtarinë aktiv të shoqatës shqiptaro-amerikane “VATRA”, si dhe ish-kryebashkiakun e Korçës me bindje liberale e demokrate Agathokli Xhitomi, me motivacionin: “Me mirënjohje ndaj veprës dhe jetës së tij si patriot i shquar, intelektual me kulturë perëndimore dhe deputet i Përmetit në parlamentin shqiptar gjatë periudhës 1920-1924. Në vlerësimi të kontributit të tij në qytetin e Përmetit për zgjedhje të lira e demokratike në vitin 1945. Për bindjet e tij të palëkundura liberalo-demokratike në mbështetje të lirisë dhe demokracisë së vendit, për të cilat u arrestua, torturua dhe ekzekutua padrejtësisht nga regjimi diktatorial i kohës”.

Ndërsa klerikun e spikatur fanolist, antifashistin dhe patriotin nga Kaludhi i Rrëzës së Përmetit, At Aleksandër Lipen, Presidenti Meta e vlerësoi me motivacionin: “Me mirënjohje dhe nderim ndaj kontributeve të tij të pamohueshme si intelektual i shquar, publicist, mësues dhe teolog i shquar, duke spikatur si klerik dhe përkrahës i Fan Nolit për meshimin në gjuhën shqipe. Në vlerësim të rolit dhe parimeve të patjetërsueshme si demokrat dhe atdhetar me orientim perëndimor, të provuara edhe nga vendosmëria e kontributi i tij për zgjedhje të lira e demokratike në qytetin e Përmetit në vitin 1945, për të cilat u arrestua, u torturua e u pushkatua padrejtësisht nga regjimi diktatorial i kohës.”

Në fjalën e Tij të rastit, në prani të familjarëve dhe personaliteteve të shquara të pranishëm, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Jemi mbledhur sot për të përkujtuar dy përfaqësues të shquar të popullit të Përmetit, të kulturës dhe të rrënjëve të patriotizmit e rilindjes sonë:

Zotin Agathokli Xhitomi, demokrat, intelektual pro perëndimor, deputet i parlamentit shqiptar në vitet 1920-1924, Sekretar i Përgjithshëm i partisë së Fan Nolit dhe At Aleksander Lipe, njeriun e shkolluar, intelektualin e shquar, të nderuar dhe me ndikim të madh, themeluesin e një prej shkollave të para në gjuhën shqipe.

Në fakt, ceremonia e sotme e dekorimit të zotit Xhitomi dhe të At Lipes, lidhet drejtpërdrejt dhe është njëkohësisht homazh dhe nderim për të gjithë popullin e Përmetit, për një akt të jashtëzakonshëm demokracie dhe kurajoje qytetare, që aq shumë na duhet dhe na shërben sot dhe në të ardhmen.

Këtë vit mbushen plot 75 vite, që kur Përmeti, në zgjedhjet e para të pas Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në dhjetor të viti 1945, në mënyrë unikale në Shqipëri, votoi në mënyrë absolute kundër diktaturës së re, që po vendosej në vendin tonë.

Përmetit të kulturës dhe të njerëzve të mençur i kishte mjaftuar një vit për të kuptuar, se vendi rrezikonte seriozisht të hynte në një errësirë diktature pa fund.

Me një shembull qytetarie të rrallë dhe guximi, Përmeti, si i pari dhe i vetmi në historinë shqiptare, provoi të kundërshtonte hapur, nëpërmjet votës, forcën e së keqes, që po vendosej dhe nga e cilat kombi do të vuante për gati gjysmë shekulli.

Votimi kundër, në shumicë absolute i Përmetit, në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, ishte një goditje e fuqishme, që nuk mund të pranohej nga diktatura komuniste.

Ata nuk mund të pranonin, që të kishin një shprehje të qartë të mospranimit të diktaturës në veçanti nga Përmeti i rrënjëve të patriotizmit të Frashërllinjve të mëdhenj dhe nga shumë personalitete të kombit tonë; nga Përmeti i kulturës, i dijes, por mbi të gjitha nuk mund ta pranonin këtë refuzim nga Përmeti i djegur plot 3 herë, që ishte aq i lidhur me Luftën Antifashiste.

Sot, dëshiroj të shpreh nderimin tim të thellë për shembullin e guximit qytetar dhe patriotik dhe njëkohësisht të vetë sakrifikimit për demokracinë, që populli i Përmetit dha në dhjetor 1945.

Hakmarrja e diktaturës qe shumë e ashpër dhe e pabesë. Me dhjetëra e dhjetëra përfaqësues, të familjeve më të shquara të Përmetit, u arrestuan dhe u përndoqën.

Përmeti, pa dyshim, është nga qytetet, që krahasuar me numrin e banorëve, është nga më të persekutuarit në Shqipëri nga diktatura komuniste.

Kulmi i hakmarrjes diktatoriale u shënua kur menjëherë, pas votimeve të 2 dhjetorit 1945, dy nga përfaqësuesit më të shquar të Përmetit, zoti Agathokli Xhitomi dhe At Aleksandër Lipe, u arrestuan, u torturuan dhe u ekzekutuan me vdekje.

Zoti Xhitomi, anëtar i Komisionit zgjedhor, u arrestua dhe dënua me pushkatim, së bashku me të ashtuquajturin ‘Grup i Deputetëve’ dhe At Aleksandër Lipe u torturua dhe ekzekutua në Kalanë e Gjirokastrës.

I nderuar qoftë për jetë kujtimi dhe vepra e këtyre njerëzve të shquar të Përmetit dhe të Shqipërisë!

Përulem me nderim sot, para shembullit të jashtëzakonshëm të guximit qytetar, largpamësisë dhe dëshirës për demokraci, që populli i Përmetit dha me votimin kundër diktaturës komuniste, që në fillimet e saj, në dhjetor 1945.

Mesazhi i fuqishëm demokratik, qytetar dhe kurajoz i popullit të Përmetit në zgjedhjet e 75 viteve më parë, kundër vendosjes së diktaturës, është i gjallë dhe i vlefshëm edhe sot dhe për të ardhmen!

Për guximin dhe kurajën e jashtëzakonshëm, për vizionin t’iu kundërvënë diktaturës dhe sakrifikimit të jetës për demokracinë dhe lirinë kam nderin të vlerësoj sot me Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut’ zotin Agathokli Xhitomi dhe At Aleksandër Lipe.”