26 Korrik 2018 Presidenti Meta, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Adem Demaçit
Jam thellësisht i hidhëruar nga lajmi i ndarjes nga jeta të emblemës së qëndresës shqiptare, Adem Demaçi.
Kosova dhe mbarë shqiptarët përjetojnë sot me dhimbje të thellë humbjen e simbolit të rezistencës kombëtare, të luftës për liri dhe të një prej personaliteteve më të vlerësuara në arenën botërore.
Duke u nderuar me çmimin “Sakharov” nga Parlamenti Evropian, kauza e madhe e luftës për një Kosovë të lirë fitoi përmasat e një çështjeje ndërkombëtare të shtruar për zgjidhje.
Patrioti Adem Demaçi mbetet frymëzim për të gjitha brezat e shqiptarëve, një shembull dhe një model kombëtar i skalitur në historinë e shqiptarëve dhe të luftës kombëtare për pavarësinë e Kosovës.
Sot humbëm atdhetarin e flaktë, njeriun që mbajti gjallë shpresën e së ardhmes dhe idealin e pavarësisë së Kosovës.
I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e tij!