Presidenti Meta merr pjesë në “Mëngjesin e Lutjeve” të organizuar nën kujdesin e Kongresit Amerikan

Presidenti Meta merr pjesë në “Mëngjesin e Lutjeve” të organizuar nën kujdesin e Kongresit Amerikan

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë sot në takimin tradicional të Mëngjesit të Lutjeve të organizuar, nëpërmjet një video-konference, nën kujdesin e veçantë të Kongresit Amerikan.

Në këtë takim merrnin pjesë edhe përfaqësues të lartë shtetërorë dhe personalitete politike e fetare nga SHBA dhe nga vende të ndryshme të botës.

Organizatorët e këtij takimi, Kongresmeni Robert Aderhold dhe Kongresmeni John Moolinar veçuan në mesazhet e tyre të lutjes jo vetëm bashkëjetesën dhe harmoninë tonë ndërfetare, por edhe bukuritë natyrore të Shqipërisë duke e quajtur atë si “perla e fshehur e botës”. Ata u lutën për mikpritjen e popullit shqiptar dhe zhvillimin e vendin tonë, veçanërisht pas periudhës së vështirë të pandemisë COVID-19.

Kongresmeni Joe Wilson nënvizoi rëndësinë e një rajoni të qetë, me harmoni e paqe mes popujve, me një zhvillim të qëndrueshëm, si dhe rolin e rëndësishëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve në këtë proces të rëndësishëm.

Edhe Guvernatori David Beasley, CEO i Programit Botëror të Ushqimit dhe mik i popullit shqiptar mori pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm.

Në fjalën e Tij përshëndetëse Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe lutjet e miqve amerikanë dhe atyre të vendeve të tjera të botës për Shqipërinë, shqiptarët dhe rajonin.

Kreu i Shtetit nënvizoi se “pavarësisht vështirësive që shkaktoi kjo pandemi, asgjë nuk mund të mposhtë shpresën e besimin. Ndonëse Shqipëria u përball me dy fatkeqësi, tërmetin e nëntorit 2019 dhe COVID-19, ne po rimëkëmbemi falë edhe shpresës, besimit dhe ndjenjës së unitetit kombëtar që populli shqiptar ka në zemrën e tij”.

Presidenti Meta shprehu besimin për kohë më të mira për Shqipërinë, rajonin dhe gjithë botën, duke i ftuar bashkëbiseduesit e këtij Mëngjesi Lutjeje të vizitojnë Shqipërinë në të ardhmen dhe të shijojnë bukuritë e saj.