11 Tetor 2020 Presidenti Meta merr pjesë në Festën e Ishmit: E rëndësishme të ruajmë trashëgiminë kulturore dhe historike, të mbrojmë mjedisin dhe të fuqizojmë më shumë ekonomikisht komunitetin, ku punësimi i të rinjve të jetë prioritet kryesor
Ishëm
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta ishte i pranishëm sot në “Festën e Ishmit”, ku ishte ftuar nga komuniteti i zonës për të marrë pjesë në ceremoninë e përvitshme festive dhe Panairin e produkteve tipike të trevës, që u zhvillua në Kalanë mesjetare.
Në prani të Prefektit të Durrësit, z. Roland Nasto, autoriteteve vendore, kryetarit të Shoqatës Jofotimprurëse “Ishmi”, z. Isuf Shehu, si edhe dhjetëra banorëve të zonës, Presidenti i Republikës u shpreh:
Vlerat historiko-kulturore të kësaj treve burojnë nga lashtësia, dëshmuar kjo nga gjetjet arkeologjike e deri në ditët e sotme ashtu sikurse ka konfirmuar albanologu ynë i madh Eqrem Çabej, Ishmi ka një gjenezë para 3 mijëvjeçare si vendbanim shumë i lashtë, i pagëzuar në gjuhën pararendëse ilire me emrin ‘Isamus”, ‘Issamus’, ‘Issam’, etj.
Zona e Porto Romanos ka qenë një zonë e rëndësishme portuale dhe tregtare, me një sërë monumentesh si kanali venecian, i ndërtuar në port për lehtësimin e lundrimit; vendbanimi pre-historik i Bishtit të Pallës, zona e Emporionit me tempullin arkaik të Bishtit të Pallës e shumë të tjera.
Edhe toponimi ‘Rodon’ rrjedh nga lashtësia ilire, besimi pagan dhe besimi politeist në shumë zota apo kulte, njëri prej të cilëve ishte dhe besimi tek Zoti i Detit.
Rajoni përreth Kepit besonte te hyjnia e detit me emrin ‘Rodon’.
Në vitin 1450, pas fitores së Skënderbeut në rrethimin e parë të Krujës, ky i fundit vuri nën zotërim Kepin e Rodonit. Ndërsa kalaja e Ishmit ndërtuar pas vdekjes së Skënderbeut ka një peizazh të larmishëm, ku mund të vështrosh detin, malet Krujë-Dajt dhe hapësirën fushore Lezhë-Tiranë, duke përbërë një pikë turistike tepër tërheqëse.
Rëndësia turistike e kësaj kështjelle u rrit me ngritjen e Memorialit të Ibrahim Kodrës, i cili është ndërtuar pas vdekjes së piktorit të fundit kubist me famë botërore me origjinë nga Ishmi. Kulla e Sulejman Kullës ndodhet në fshatin Gjuricaj dhe është një dëshmi tjetër historike e vlerave të kësaj treve.
Një vlerë e rëndësishme e trashëgimisë së kësaj zone mbetet kultura fetare e bashkëjetesa, sidomos midis myslimanëve dhe katolikëve.
Hapësira e kësaj treve, duke u gjendur në një pozitë mjaft të favorshme gjeografike, disponon një potencial të rëndësishëm natyror, që ofron mundësinë e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe përfshirës. Format e larmishme të relievit si bregdetar, fushor dhe kodrinor, si dhe afërsia me qendrat më të mëdha urbane, të portit dhe aeroportit ndërkombëtar, i jep një mundësi për të pasur një zhvillim të lartë ekonomik dhe shoqëror.
Relievi bregdetar përbën një potencial të madh natyror për zhvillimin e peshkimit, të turizmit, si dhe të aktivitetit portual të shërbimeve.
Pozita gjeografike i ofron asaj një vijë bregdetare relativisht të gjatë dhe me mundësi të mëdha ekonomike.
Hapësira bregdetare ka potenciale të mëdha peshkimi dhe ofron mundësi peshkimi në kategoritë si peshkim detar, peshkim në ujërat e brendshëm dhe akua kulturë.
Ky potencial bazohet në pasurinë e madhe të ujërave, përfshirë ujërat bregdetare, rezervuarët, lumenjtë, lagunën e Bishtarakës, etj. Gjiri i Lalëzit dhe i Rodonit është një zonë e rëndësishme peshkimi për qefull, levrek, korb të bardhë, lojbe, kocë, kubla, ngjala, etj,
Struktura e bregdetit të zonës së Rodonit, i pasur me barriera nënujore shkëmbore të quajtura ‘batlla’, është e pasur me rezerva të konsiderueshme peshkore të llojeve të ndryshme, si dhe zona të tjera si gryka e Tarinit, grykëdedhjen e Erzenit dhe zona Porto Romano Bisht Pallë. Në zonën e Kepit të Rodonit, Rrushkull dhe Bisht Pallë ka rezerva të konsiderueshme midhjesh. Aktualisht të ardhurat nga peshkimi për vetë potencialin që ka hapësira janë shumë modeste, kjo e kushtëzuar nga mungesa e investimeve dhe e mbështetjes për këtë sektor. Hapësira bregdetare Ishëm-Porto Romano, me potencialet e saj, ofron zhvillimin e disa llojeve të turizmit si turizmi balnear, agroturizëm, turizëm kulturor, ekoturizëm, etj.
Ekonomia bujqësore e hapësirës bregdetare Ishëm prodhon produkte lokale mjaft të kërkuara në treg, ku përveç prodhimeve tradicionale si drithrat e bukës, perime e bostanë, kryesisht për nevoja familjare, po prodhon edhe verë, vaj ulliri, mjaltë, vezë, qumësht dhe mish për tregun.
Zhvillimi i turizmit në Gjirin e Lalëzit po krijon tregje të reja të tregtimit të produkteve lokale, ndërsa kushtet për zhvillimin e blegtorisë janë mjaft të përshtatshme, si për mbarështimin e gjedhëve, ashtu dhe atyre të imtave.
Gjithashtu, në përgjigje të kërkesave, vihet re tendenca e krijimit të fermave të rritjes së kërmillit, shtimit të sipërfaqeve me vreshta, pemë frutorëve, agrume dhe ullinj.
Ky është një sinjal pozitiv për të ardhmen për ta shndërruar trevën në një zonë konkurruese në prodhime cilësore dhe të çertifikuara. Vitet e fundit po krijohen ferma për prodhime bujqësore organike si ferma ‘Vadardhë’ me 6300 rrënjë hardhi me sipërfaqe 2 ha; ferma organike ‘Kallbaqi’ me prodhime perimesh në sera me ngrohje me sipërfaqe 1.43 ha, ku mbillen 141000 rrënjë rukola, lulështrydhe, domate, speca, kunguj, lakër; dhe njëkohësisht mjaft e suksesshme është ferma ‘Duka’ me qendër në Lalëz me aktivitet vreshtari rreth 20000 rrënjë me sipërfaqe 5 ha.
Relievi kodrinor mundëson zhvillimin e ekonomisë pyjore për shfrytëzimin e prodhimit për dru zjarri, bimëve medicinale, bimëve eterovajore, zhvillimit të ekoturizmit, si dhe sportit të gjuetisë.
Bimët medicinale janë një burim i vazhdueshëm të ardhurash për banorët e kësaj hapësire, të cilët merren me aktivitetin e mbledhjes, grumbullimin dhe tregtimin e bimëve medicinale dhe aromatike si rigoni, balsami, boçka, dafina, dëllinja e kuqe, gjethedelli, hithra, lulëkuqja, manaferra, mëllaga, rigoni, sherebela, tatulla, etj.
Gjuetia është një tjetër aktivitet që mund të ndihmojë në të ardhmen të ardhurat e këtij komunitetit.
Një nga drejtimet më të përshtatshme të zhvillimit të ardhshëm ekonomik të zonës padyshim që është dhe do të jetë turizmi. Aktualisht zhvillohet kryesisht turizmi balnear, por vitet e fundit ka një tendencë zhvillimi edhe të ekoturizmit, turizmit kulturor dhe atij agrobujqësor. Por hapësira bregdetare Ishëm-Porto Romano disponon të gjitha mundësitë shumë më të mëdha të zhvillimit të këtij sektori të ekonomisë. Zhvillimi i turizmit do të ndikojë në rritjen e prodhimit bujqësor e blegtoral dhe një numër i konsiderueshëm banorësh do të punësohen në komplekset turistike.
Ishmi karakterizohet gjithashtu nga nj potencial shumë i madh i energjisë diellore që ende nuk shfrytëzohet. Ai mund të shërbejë si një burim alternativ i zhvillimit ekonomik të zonës. Këto vlera të larta të rrezatimit ofrojnë alternativa energjie të rigjenerueshme, si përdorimi i paneleve diellore, një burim i pastër energjie dhe me leverdi për t’u shfrytëzuar nga subjekte familjare dhe ekonomike për qëllime jetësore dhe ekonomike.
Pavarësisht potencialit të lartë të zhvillimit ekonomik, aktualisht, siç u theksua edhe nga kryetari i Shoqatës ‘Ishmi’, struktura e ekonomisë familiare është shumë e dobët. Punësimi është një tjetër problematikë me karakter social, përveç largimit.
Megjithatë unë besoj se edhe kjo pjesëmarrje kaq e gjerë tregon një krenari për atë që ju ndieni si ishmakë, por është edhe një bashkim i të gjitha përpjekjeve që Ishmi të zhvillohet me ritme të tjera, duke e ruajtur, mbrojtur e restaruar të gjitha objektet arkeologjike dhe pasuritë muzeale, kulturore, historike.
Dhe mbi të gjitha duke ruajtur natyrën, sepse kjo do të jetë vendimtare për të ardhmen ekonomike dhe të turizmit, si dhe duke mbështetur më shumë se sa deri tani bujqësinë, agro-turizmin, peshkimin dhe të gjitha veprimtaritë, që u japin një vlerë tjetër të gjitha pasurive që ka Ishmi dhe e tëra kjo zonë, për të qenë një nga zonat më të lulëzuara dhe më të zhvilluara të Shqipërisë, duke qenë edhe krenarë për atë që përfaqëson në historinë e qytetërimit tonë.”