Presidenti Meta merr pjesë në ceremoninë e Inaugurimit dhe Bekimit të bustit të Papa Shën Gjon Palit II, në mjediset e Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”

Presidenti Meta merr pjesë në ceremoninë e Inaugurimit dhe Bekimit të bustit të Papa Shën Gjon Palit II, në mjediset e Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë sot në ceremoninë e Inaugurimit dhe Bekimit të bustit të Papa Shën Gjon Palit II, në mjediset e Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Ambasada Polake në Tiranë, nën kujdesin e Ambasadorit Karol Bachura dhe Presidentit të Fondacionit “Zoja e Këshillit të Mirë”, Daniele Bertoldi, organizuan këtë aktivitet me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Papa Shën Gjon Palit II dhe 110-vjetorit të lindjes së Shenjtores Nënë Tereza.

Presidenti Meta në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh:

“Jam i lumtur që marr pjesë dhe nuk mund të mungoja sot në këtë ceremoni pasi për ne Papa Gjon Pali është “Papa i lirisë” dhe i çlirimit nga murtaja më e rrezikshme që ka njohur kjo tokë, që ishte komunizmi. Shpesh thonë që Enver Hoxha ishte stalinist, por për përndjekjen ndaj fesë ia kaloi dhe Stalinit. Këtë më mirë nga kushdo e dinë të gjithë shqiptarët, por e di edhe kleri katolik. Por, falë Zotit edhe në drejtimin e Papës së tij të paharruar, Shqipëria u rikthye në rrugën e lirisë dhe në rrugën e Zotit dhe do të vazhdojë kështu përgjithmonë.”

Në ceremoninë e organizuar merrnin pjesë drejtues të Fondacionit ‘Zoja e Këshillit të Mirë’, ambasadorë, përfaqësues të trupit diplomatik, akademikë si dhe udhëheqës të besimeve fetare.

Busti i Papa Vojtilës u realizua nga “Skulptori i Popullit”, Mumtas Dhrami, i cili u dekorua sot nga shteti polak me medaljen “Gloria Artis”, në shenjë vlerësimi për punimet kushtuar personaliteteve polake.

Bekimi i bustit të Papa Shën Palit II u dha nga Arqipeshkvi Metropolitan Tiranë-Durrës, Imzot George Frendo.

Papa Vojtila është Papa i parë që vizitoi Shqipërinë post-komuniste në vitin 1993.

Sot, në përurimin e bustit të Papa Vojtilës dhe kremtimin e 100-vjetorit të lindjes së tij, sjellim në vëmendjen tonë momentet e paharruara dhe emocionuese ku sapo ai zbriti në tokën shqiptare, e puthi dhe e bekoi atë.

Vizita e tij ringjalli shpresën e besimit dhe shpresën për të ardhmen e popullit shqiptar, i cili kishte fituar lirinë, pas viteve të gjata të diktaturës. Nga sheshi “Skënderbej”, Ati i Shenjtë iu drejtua shqiptarëve me një fjalim historik; “Ty o popull fisnik shqiptar, në çiltërsinë tuaj pashë guximin e një demokracie të re, të një demokracie që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund dhe të errët të një diktature dhe ateizmi mbytës. Shqipëri qëndro në lartësinë e detyrave që të presin, të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja.” – u shpreh Shenjtëria e tij nga Tirana, në prill të vitit 1993.