Presidenti Meta merr pjesë dhe përshëndet Ditën e Vizitorëve të Shquar në stërvitjen e përbashkët ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s “Immediate Response 21” (Defender Europe 21)

Presidenti Meta merr pjesë dhe përshëndet Ditën e Vizitorëve të Shquar në stërvitjen e përbashkët ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s “Immediate Response 21” (Defender Europe 21)

Durrës

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, njëkohësisht edhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, mori pjesë në Ditën e Vizitorëve të Shquar në portin e Durrësit, duke përshëndetur stërvitjen e përbashkët të vendeve anëtare të NATO-s, “Immediate Response 21” (Defender Europe 21), e cila po zhvillohet në vendin tonë.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, duke iu drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, Ministrit të Mbrojtjes, Ambasadores amerikane Kim, Komandatit të Forcave amerikane në Europë dhe Afrikë Gjeneralit Christopher Cavoli, Gjeneralit Wolters të SACEUR-it, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Major Begajt, atasheve ushtarakë dhe drejtuesve të 26 forcave nga vendet aleate të NATO-s, 31 mijë ushtarakëve dhe trupave pjesëmarrësve në këtë stërvitje të jashtëzakonshme 31 mijë, Presidenti Meta u shpreh:

“Kjo stërvitje, nëpërmjet demonstrimeve detare që do të ndjekim sot, është vetëm një pjesë nga stërvitja e madhe me pjesëmarrjen e të gjitha llojeve të forcave të luftimit, si dhe atyre mbështetëse të koduar ‘Defender Europe 21’.

Kjo stërvitje ushtarake, me trupa e mjete që përfshin tre komponentët: tokësorë, detarë dhe ajrorë, që drejtohet nga Komanda Ushtarake Amerikane në Evropë dhe është hera e parë që Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) ka zhvilluar ndonjëherë në këto përmasa në Shqipëri dhe në Rajon, dhe për këtë ne, jemi shumë mirënjohës.

Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, ndihet shumë e vlerësuar, për faktin se i është besuar kjo përgjegjësi madhore e vendit pritës për një nga stërvitjet më të mëdha në këtë rajon, rol të cilin vendi ynë, Forcat e Armatosura dhe gjithë strukturat shtetërore, jam i bindur që do ta justifikojë plotësisht.

NATO-ja është Aleanca e madhe Euroatlantike e lirisë në botë dhe besimi i popullit shqiptar dhe mbështetja ndaj saj ka qenë dhe është unanime, ashtu sikundër vokacioni për përkatësia jonë evropiane.

Të nderuar pjesëmarrës,

Kjo ngjarje e madhe historike ‘Defender Europe 21’ është një stërvitje ushtarake shumëkombëshe, që zhvillohet me pjesëmarrjen e madhe të trupave e mjeteve luftarake, ku Forcat tona të Armatosura jo vetëm do të presin dhe mbështesin trupat e vendeve të tjera me angazhim e kalim tranzit, por do të jenë pjesë aktive, me rreth njëmijë trupa, në Poligonin Kombëtar të Trajnimeve në Bizë.

Synimi dhe objektivat që NATO-ja, SHBA-të, vendet aleate dhe partnere i kanë vendosur vetes në këtë stërvitje, i japin një mundësi të shkëlqyer Forcave tona të Armatosura për të testuar aftësitë operacionale të njësive dhe strukturave jo vetëm të luftimit, por dhe atyre mbështetëse, duke rritur kështu nivelin e përgatitjes dhe ndërveprueshmërinë në përmbushje të misionit kushtetues dhe përgjegjësive të tona ndaj Aleancës.

Çdo ushtrim është një test i ndërveprueshmërisë, por është mbi të gjitha një oportunitet, për të forcuar besimin dhe partneritetin tonë strategjik. Ky është gjithashtu edhe një rast i shkëlqyer për të njohur më mirë mjedisin rajonal.

Dhe në këtë kontekst, është tejet e rëndësishme që Shqipëria të arrijë atë nivel besueshmërie që kërkon pozicioni dhe roli i saj strategjik.

Si President i Republikës dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, jam i bindur në përmbushjen nga të gjitha strukturat shtetërore, përfshirë dhe ato që lidhen me sigurinë e shëndetit për parandalimin e infektimeve me COVID-19, duke respektuar të gjithë protokollet e shpallura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), si dhe përgjegjësi të tjera që lidhen me sigurinë e trupave dhe mbarëvajtjen e kësaj stërvitjeje.

Zonja dhe Zotërinj,

Jam besimplotë se, të gjithë pjesëmarrësit e këtij ushtrimi, që do të na vizitojnë gjatë kësaj kohe, do të mbeten edhe me përshtypjet më mbresëlënëse nga mikpritja bujare e ngrohtë shqiptare.

Sepse shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e Zotit.

Të dashur miq të shumtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës,

Miqësia e fortë midis dy kombeve tona është shumë më e hershme sesa vetë periudha e shtetit shqiptar, për të cilin SHBA-të janë investuar shumë për ta njohur.

Ajo daton edhe me herët, sesa poeti i madh amerikan Henry Longfellow t’i thurrte një nga poemat e tij më të bukura dhe plot adhurim heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, mbrojtësit të Europës nga barbarët.

Ne do të vazhdojmë në rrugën e lirisë dhe të qytetërimit europian, dhe për këtë një garanci e fortë është përkatësia jonë me Aleancën Euroatlantike, si Aleanca me e madhe e lirisë dhe e demokracisë në botë.

Jam i sigurt se përmes kësaj stërvitje madhore, tregojmë se jemi të gatshëm në çdo kohë të mbrojmë vlerat e lirisë, paqes. demokracisë në Evropë dhe në gjithë hapësirën e Euroatlantike”.