Presidenti Meta mban një ligjëratë në Kolegjin AAB: Kosova, gjaku ynë që nuk falet kurrë!

Presidenti Meta mban një ligjëratë në Kolegjin AAB: Kosova, gjaku ynë që nuk falet kurrë!

Prishtinë, Kosovë

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta nisi sot një vizitë pune në Kosovë duke vizituar Kolegjin AAB, ku me ftesë të stafit pedagogjik dhe të studentëve mbajti një ligjëratë me temë “Shqiptarët, si faktor stabiliteti në Ballkan”

Kreu i Shtetit u mirëprit ngrohtësisht nga Kryetari i Këshillit Drejtues, Prof. Lulzim Tafa, profesorë dhe studentë të shumtë, si dhe iu përgjigj më pas pyetjeve të të pranishmëve.

Në ligjëratën e Tij, Kreu i Shtetit shqiptar theksoi:

“Jam i surprizuar nga kjo vizitë në Universitetin tuaj dhe nëse nuk do ta dija që jam pikërisht këtu dhe në Kosovë, por do të kisha bërë një tur në të gjitha ambientet dhe të më pyesin se ku je tani? Patjetër do thosha në ndonjë Universitet në Norvegji apo Finlandë. Prandaj, urimet më të mira dhe mbarësi për ata që kanë investuar në mënyrë kaq cilësore, bujare dhe moderne.

Shpresoj që edhe cilësia e dijeve, që jepen dhe përfitohen në këtë universitet të jetë e tillë, po të ecet në këtë drejtim jam i sigurt që do të jetë një nga Universitetet më të mira në rajonin tonë, edhe siç duket trendi është në një përmirësim të vazhdueshëm.

Ishte një kënaqësi për mua që sot, takova dhe dekanë nga pjesa përtej Kalimashit, por edhe studentë nga Shqipëria.

Kjo është një eksperiencë e shkëlqyer sepse në këto mënyrë përafrohen dijet dhe komunikimi, si dhe përfitojmë eksperienca duke njohur njëri-tjetrin më mirë.

Kampuset studentore janë foletë më të mira për ngulitjen e dijeve dhe ballafaqimin e ideve, sepse këtu mund të gjurmosh projektimin e ri të shoqërisë të së nesërmes.

Për cilindo të gjeneratës sime, më nostalgjike mbeten vitet universitare kur mbizotëron guximi, ëndrrat dhe shpresa për një të ardhme më të mirë.

Ky është aseti më i çmuar që ka kjo gjenerata juaj, e cila i shërben si një energji e pashtershme të gjithë shoqërisë nëse e vendosim në lëvizje.

Ndaj mesazhi im i parë për ju sot, është që të çliroheni prej plogështisë dekurajuese dhe kërkimit të një ardhmërie që ju largon nga vendi juaj.

Kosova, gjaku ynë që nuk falet kurrë! Mbetet shqetësimi im i parë dhe më i madh mbetet një lloj eksodi i heshtur, që po ndodh mes shqiptarësh në rajon.

Këtë e konsideroj si një dorëzim si ndaj historisë, por njëkohësisht edhe ndaj të ardhmes të kombit tonë.

Meqenëse jemi në vigjilje të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, dhe jam shumë i lumtur të shikoj kudo Flamurin tonë kombëtar, Flamurin e përbashkët të Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, kudo këtu në Prishtinë dhe në rrugët e Kosovës.

Me këtë rast dua të theksoj, rëndësinë e ndërgjegjësimit nga të gjithë ne drejtuesit, por edhe elitat intelektuale dhe edukative në vendet tona, për t’i inkurajuar të rinjtë për të qëndruar në Kosovë, në Shqipëri, në trojet tona, për të ndaluar shpopullimin e heshtur.

Natyrisht, ne nuk duhet të rrëmbehemi prej folklorizmave dhe emocioneve të çastit, por as nuk mund të pranojmë duarlidhur fatin, që pabesisht duan të na imponojnë të tjerët, ashtu duket si në mënyrë paqësore.

Vështirësitë dhe kushtet e ndërlikuara nuk duhet të pengojnë, por përkundrazi të frymëzojnë përmbushjen e aspiratave politike, shoqërore, ekonomike dhe kulturore të popullit shqiptar dhe mbarë kombit tonë.

Si ju në Kosovë, ashtu edhe ne në Shqipëri, dhe të gjithë shqiptarët duhet të përpiqen që aty ku ata jetojnë, të mbizotërojë sundimi i ligjit, demokracia, vlerat europiane dhe euroatlantike, bashkëjetesa me të drejta e oportunitete të njëjta, dhe me dinjitet të pacenuar.

Me shumë kënaqësi kam përcjellë edhe zgjedhjet e fundit në Kosovë, ashtu si edhe ato të mëparshmet, të cilat serish, kanë qenë një shembull i shkëlqyer i nivelit të demokratizimit dhe vetëdijesimit të mbarë shoqërisë në Kosovë.

Zgjedhjet në Kosovë u japin të gjithëve një mësim se kjo shoqëri është vigjilente, përherë llogari kërkuese, e gjallë dhe e mobilizuar. Këto tipare veçse e forcojnë karakterin dhe statusin e Kosovës si një shtet i pavarur funksional, si partner i besueshëm, si aleat i qëndrueshëm dhe me kredenciale demokratike dhe gjithnjë në përmirësim.

Të dashur studentë,

Dua të ndalem një moment tek rëndësia që kanë marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Së afërmi zhvillohet takimi i shtatë ndërmjet dy qeverive në Elbasan.

E kam përshëndetur që në takimin e parë në Prizren vendosjen e kësaj tradite të mirë të bashkëpunimit jo thjesht strategjik, por mbi të gjitha vëllazëror mes nesh.

Natyrisht, jemi të gjithë të vetëdijshëm, se Shqipëria dhe Kosova ndajnë shumë më shumë mes vetes se sa vetëm interesa të përbashkëta strategjike.

Ndaj, si President i Republikës së Shqipërisë, dua të shoh një marrëdhënie gjithnjë e më të afërt, më solide, më të vërtetë, dhe më të qëndrueshme, në të gjitha rrafshet.

Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë të ndërtuara kundër asnjë vendi tjetër apo populli në rajon, dhe as i njohin vetes ndonjë patronazhist. Shtrati i tyre i natyrshëm është i ndërtuar mbi historinë, kulturën dhe gjuhën e përbashkët.

Si rrjedhojë, e ardhmja e bashkëpunimit tonë nuk mund të përshkojë rrugë tjetër përveç vëllazërimit të pandërprerë.

Në këtë kuptim shija e spektaklit të takimeve zyrtare nuk mund ta zëvendësojë punën, që duhet të vazhdojë çdo ditë në forcimin dhe thellimin e këtyre marrëdhënieve.

Për shembull, në 8 vite angazhime ndërqeveritare mbi heqjen e barrierave ekonomike dhe tregtare ndërmjet nesh, rezulton që:
Për të eksportuar në pjesën e Shqipërisë, sipërmarrësi duhet të paguajë:

23 euro agjencinë doganore
10 euro pagesën e terminalit
15 euro pagesën për certifikatën fito-sanitare
22 euro skanerin
72 euro në doganë

Në pjesën e Kosovës

30 euro agjencia doganore
40 euro terminali
68 euro certifikata fito-sanitare

Shtoji kësaj shifre edhe tarifën edhe tunelin e Rrugës së Kombit

Këto çështje janë ngritur prej kohësh dhe nuk po gjejnë zgjidhje, sepse kemi mbetur kryesisht tek shfaqjet dhe tek aparencat.

Uroj dhe inkurajoj, që të dyja palët që të çojnë deri në fund zotimet e tyre, për të shfrytëzuar maksimalisht të gjithë potencialin e marrëdhënieve tona ekonomike dhe tregtare, ashtu si në të gjitha rrafshet e tjera. Pra, tu përmbahemi zbatimit të marrëveshjeve kjo është shumë e rëndësishme.
Dhe më këtë rast, dua të kujtojë një varg fantastik të poetit Vladimir Mayakovskit: Ah sikur të bëja dhe një mbledhje, që t’u jepte fund të gjitha mbledhjeve.

Duke iu rikthyer planit politik të marrëdhënieve tona, gjykoj se duhet t’i shmangemi çdo tentative, të vullnetshme apo të pavullnetshme, për t’i personalizuar apo partizuar raportet e pazëvendësueshme ndër-shtetërore Shqipëri-Kosovë.

Të dashur studentë,

Tani do të zhvendosem në një plan më të gjerë, në sfondin e një rryme serbo-centriste që po rreket të ri gjallojë në rajon, përfshirë përmes provokimit të vorbullave artificiale, ku as Tirana zyrtare dhe as Prishtina zyrtare nuk mund t’i lejojnë vetes të tregohen indiferente apo symbyllëta.

Nuk mund të jetojmë me iluzionin se ajo që po shohim të ndodhë në Serbi, Mal të Zi, Bosnje Hercegovinë, apo deri diku dhe në Kosovë, përmes deklaratave të caktuara dhe aksioneve politike nuk ka ndikim tek ne dhe nuk na përket.

Hymnizimi i kriminelëve të luftës dhe mohimi i gjenocidit, i cili i ka ende plagët dhe kujtimet e freskëta në rajonin tonë, nuk mund të bashkëjetojnë njëkohësisht me aspiratat europiane dhe euroatlantike të të gjitha vendeve tona.

Shqipëria dhe Kosova kanë zgjedhur që modus vivendi i bashkëpunimit rajonal do të udhëhiqet vetëm nga këto aspirata.

Ndaj çdo tentativë për të na tërhequr drejt një të ardhmes përmes halucinacioneve të së shkuarës duhet të ndeshë në një refuzim të prerë.

Arkitektura e paqes dhe sigurisë që NATO dhe BE kanë projektuar në Ballkanin Perëndimor përmes proceseve të anëtarësimit është garancia më e mirë dhe më e sigurt për të ardhmen e qëndrueshme të vendeve tona.

Ne duhet të vazhdojmë të jemi të vendosur për të refuzuar në mënyrë kategorike çdo flirt apo qasje që kalon nëpër ndonjë shteg të ndryshëm nga ai euro-atlantik apo europian.

Sigurisht, integrimet europiane dhe euro-atlantike janë procese asimetrike ku ne nuk mund të imponojmë të vetëm vullnetin tonë. Por kjo nuk duhet të na bëjë të heqim dorë.

Përkundrazi, të na inkurajojnë të përmbushim detyrat tona. Shqipëria duhet të vazhdojë të përmbushë angazhimet e saj si anëtare e NATO-s dhe të zbatojë të gjithë kushtet që kërkon procesi i integrimit europian për funksionimin e shtetit ligjor dhe demokracisë.

Kosova duhet të vazhdojë të punojë pa u lodhur drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, pavarësisht kushteve të komplikuara.

Pjesëmarrja e saj në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, udhëhequr nga Bashkimi Europian, do të gëzojë mbështetjen tonë të plotë, pa i cenuar aspak legjitimitetin dhe autoritetin që institucionet e zgjedhura të Kosovës kanë si aktorët e vetëm të drejtpërdrejtë në këtë përfaqësim dhe proces.

Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, po konstatojmë oshilacione të padobishme, si në drejtim të marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë, ashtu edhe në raport me BE-në. E kam fjalën për energjitë kaq të tepërta, që po i përkushtohen të ashtuquajturës mini-shengen apo Ballkani i Hapur.

Rezerva e parë që kam për këtë nismë është parimore. Për sa kohë bashkëpunimi gjithëpërfshirës nuk mund të ofrohet përmes gjuhës imponuese, përmes politikës përjashtuese dhe, përmes faktit të kryer, sepse bashkëpunim i qëndrueshëm është vetëm ai, mbi baza reciprociteti dhe të barazisë mes të gjitha palëve. Prandaj është shumë e rëndësishme që të kemi në konsideratë, parimet që garantojnë një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe afatgjatë dhe ato kurrë nuk kanë të bëjnë më përjashtimin , me faktin e kryer, apo me përpjekjen e lidershipit të çdo vendi në këtë rajon.

Rezerva e dytë lidhet me përpjekjet për të rivalizuar Procesin e Berlinit, i cili është gjithëpërfshirës, shoqërohet gjithashtu me garancitë dhe mbështetjen financiare të BE, ka ngritur mekanizma zbatues dhe monitorues, dhe ka dhënë rezultate konkrete. Përkundrejt kësaj, Ballkani i Hapur e parcelizon bashkëpunimin vetëm me tre vende dhe zhvendos nga ombrella europiane, duke mos gëzuar asnjë mbështetje financiare apo politike, dhe së fundmi duket se po i ofrohet Serbisë si koncesion kundrejt një sjelljeje më të balancuar në rajon.

Dhe këtu kalojmë në rezervën e tretë që lidhet me zhvillimet frenetike në rajon, të cilat kanë dëshmuar inkoherencë totale në qëndrimet dhe qëllimet politike të aktorëve të ndryshëm. Si mundet t’u besojmë qëllimeve të mira, kur ringjallet dhe glorifikohet fantazma e Milosheviçit, qëllimet i kishte të mira, por nuk i arriti dot. Çfarë të arrinte? Që të shfaroste gjithë popullsinë shqiptare të Kosovës.

Fantazma e botës serbe, minimi i marrëveshjes së Dejtonit, dhe kur duket qartë, që prezenca e aktorëve të tretë shfaqet hapur në mënyrë jo miqësore ndaj proceseve të integrimit evropiane dhe euro-atlantik.

Si mundet të anashkalojmë verbërisht projektet ende të gjalla për rivizatim kufijsh në Ballkan, që veçse ripërsërisin ndezjen e vatrave të konfliktit? Si mund të pajtohemi me këto skenarë që bien plotësisht ndesh me filozofinë europiane të bashkëjetesës, të bashkëpunimit PËRTEJ kufijve, duke i bërë ata të padukshëm dhe irelevantë?

Pra, ka një dyshim të arsyeshëm ndaj qëndrimeve dhe qëllimeve diametralisht të kundërta të të njëjtët aktorë politikë, të cilët i ndryshojnë ato sipas rrethanave dhe ambicies së tyre.

Jam dakord se kjo qasje nuk duhet të reciprok ar për të hyrë rrezikshëm në një konkurrencë qëndrimesh ekstreme. Por pajtohem gjithashtu me ata zëra të arsyeshëm që sugjerojnë vendosjen e një muri të pakapërcyeshëm dhe të papërkulshëm kundrejt veprimeve dhe politikave destabilizuese në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë çështje Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë të bashkuara dhe në koordinim të plotë të qëndrimeve të tyre, duke tërhequr sa më shumë mbështetjen e ShBA-ve të BE-së, të NATOS-së pas vetes.

Ajo që është thelbësore për secilin nga vendet tona, por edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon, është rezonimi i vlerave të përbashkëta euro-atlantike dhe jo rezonimi i lidershipit autokratik.

Në fund, për ta mbyllur dëshiroj të theksoj edhe një herë tre sfidat imediate që duhet të përballojmë: të ndalojmë shpopullimin, të punojmë për zhvillimin dhe begatimin e dy vendeve tona dhe thellimin e marrëdhënieve tona dypalëshe, dhe së treti të qëndrojmë si një mur i pakapërcyeshëm në mbrojtje të vlerave europiane dhe euroatlantike në rajonin tonë.”

Agron Mustafa: Përshëndetje i nderuari President! Për mua është nder dhe privilegj që takohemi sot, po ashtu si i ri, më ka rastisur që të dëgjojë tregime autentike, reale, nga njerëz që kanë protagonisti kryesor të luftës së UÇK-së.

Të gjitha tregimet e tyre kanë qenë, kur ju si ish-zëvendëskryeministër në atë kohë, Ilir Meta ka qenë protagonisti kryesor i përkrahjes më të madhe të luftës, të cilën UÇK-ja e bënte këtu në Kosovë, dhe për përkrahjen logjistike që bëhej përtej kufirit.

Dhe gjithmonë ishim shumë falënderues ndaj ish-zëvendëskryeministrit, apo Presidentit Ilir Meta tani. Në krah tim kam Ram Bujën, që besoj se pajtohet me këto po them.

Duke pasur parasysh përkrahjen tuaj në vitin 1999, sot jemi në vitin 2021, doja të dija këndvështrimin tuaj në raport të faktorit shqiptar në tërësi, dhe në veçanti ndaj kërcënimeve të shumta, të cilat po vijnë kohët e fundit nga shteti fqinj verior i yni, konkretisht Serbia?

Ne si shqiptarë të bashkuar, sa jemi të gatshëm të ballafaqohemi me ndonjë krizë eventuale? Mos e dhëntë Zoti të ndodhë, por si shqiptarë sa jemi të gatshëm në këtë drejtim?

Marr shkas për këtë nga fjalimi juaj, që përmendet për barrierat ekonomike që ekzistoj, në këtë pikë midis Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat deri tani nuk po mundemi t’i tejkalojmë.

Zoti President, çfarë do të ndodhte? Nëse diçka më serioze do të ndodhë si një popull të njëjtë dhe ku jemi në të dyja anët e kufirit?

Presidenti Meta: Përshëndes mikun tim të hershëm, Profesor Ramë Bujën dhe të gjithë të tjerët! Pyetja juaj na ktheu në një moment që ne, po bisedonim me mikpritësit këtu kur shikonim auditorët dhe unë them shumica e këtyre nuk kishin lindur atëherë, në vitin 1999.

Edhe një ndryshim i jashtëzakonshëm, i pabesueshëm nga ai përjetim që kam pasur unë dhe të gjithë.

Por, unë e kam pasur për gati më shumë se një muaj në Kukës, sepse si zëvendëskryeministër në atë periudhë, edhe ministër i Kordinimit Qeveritar kam qenë atje që nga momenti i parë, deri sa u stabilizua gjithë zinxhiri i ndihmës ndërkombëtare.

Komuniteti ndërkombëtar ishte totalisht i papërgatiur për luftën kjo është e vërterta.
Po flasim për UNHCR-në, dhe të gjitha institucionet që e kanë për detyrë kur e dinë që do ndodhte një krizë, që ishte e paralajmëruar me kohë.

Dhe në momentin e parë që situata u bë shumë serioze dhe pa kthim, kur shkuam në magazinat e UNHCR-së, që thonin se kemi marrë masa, kishte vetëm 2 mijë dyshekë.

Qeveria kuptohet në atë situatë, mbas vitit 1997 ishte në një situatë shumë të vështirë financiare, shumë të rëndë nuk kishte shumë mundësira, as borxhe nuk merrte dot.

Çfarë ndodhi? Ndodhi e pabesueshmja, sidomos për një njeri që i shikon ngjarjet nga fillimi e deri në fund, kur normalizohet pastaj funksionimi i gjithë asaj infrastrukture ndërkombëtare për menaxhimin e krizës.

Populli i Kukësit, dhe jo vetëm dhe i rrethinave ka bërë një heroizëm të pashoq. Një nga pengjet e mia është që Kukësi, nuk mori çmimin Nobel për Paqen, sepse bëmë goxha fushatë atëherë, bashkë me Qemalin, dhe e çuam derinë treshe.

Mirëpo, problemi me opinionin ndërkombëtar është që ngjarjet lëvizin, dhe ka një krizë të re, gjithmonë ka një ngjarje tjetër.

Por e përmenda Kuksin se është e pabesushme, sesi familje të thjeshta, të varfra, me ato mundësi që mund të ketë një familje aq më tepër me ato kohë çdo ditë prisnin, mikëprisnin, përcillnin gjithë ato familje nga Kosova. Nuk u lodhën kurrë, nuk u ankuan kurrë as ndaj qeverisë që nuk kishte mundësi të veçanta për t’i ndihmuar edhe për t’i mbështetur.

Ndihmat e para kanë mbërritur 40 ditë mbas bombardimeve.

Natën e bombardimeve nuk e harroj kurrë se ishte ndoshta ndër rastet e rralla që doja të festoja ditëlindjen se bëja 30 vjeç, dhe kishim ftuar njerëzit më të afërt të familjes. Por, nuk e festova dot se përpara se të uleshim u lajmëruam që fillonte një dasmë më e madhe, e cila për fat të mirë përfundoi mirë dhe mbarë pavarësisht nga ajo kosto e jashtëzakonshme që pagoi populli i Kosovës.

Prandaj, dhe në emër të atyre sakrificave duhet çmuar kjo liri që ju keni sot kur shumica e juaj nuk kishin lindur dhe nuk e kanë përjetuar atë tmerr. Jo vetëm të atyre ngjarjeve, por edhe të situatës të më parshme.

Rruga më e mirë për të gjithë ahqiptarët që të vazhdojnë të përfitojnë nga kjo kohë dhe nga kjo epokë e re është rruga e integrimeve eurpiane dhe euroatlantike.

Cili komb ka qenë më i ndarë përpara vitit 1990, kohën e predes së hekurt, në rajonin tonë, kush ka qenë më i ndarë se sa shqiptarët?

Shqiptarët e Shqipërisë me shqiptarët në rajon.

Cilët kanë qenë më të persekutuarit?

Shqiptarët, shqiptarët në Shqipëri për fat të keq për shkak të atij sistemi që bazohej mbi mohimin e shumë të drejtave të njeriut dhe izolimit.

Dhe njëkohësisht shqiptarët në ish-Jugosllavi dhe në trojet e tjera që dihet që ishin më të diskriminuar në raport me republikat e tjera apo me kombet e tjerë në Jugosllavi.

Kush ka përfituar më shumë në rajon?

Ne kemi përfituar, por edhe duke qenë pak euforikë se fituam disa gjëra që i kishim ëndërruar si një Shqipëri mbas viteve 1990-të si dhe në Kosovë pas shpalljes së pavarisë kemi humbur shumë kohë. Duke menduar që gjithmonë të tjerët do fitojnë diçka më shumë për ne, Bashkimi Europian apo Amerika, NATO, ndërkohë që mund të kishim ecur shumë më shpejt.

Pse kemi humbur kohë, për shëmbull në Shqipëri?

Kemi humbur kohë sepse Shqipëria në vitin 2001, në Samitin e Gotenborgut u përfshi në procesin e stabilizim-asocimit dhe shumë shpejt mori dhe premtimin për hapjen e marrëveshjes së stabilizim asocimit, me vizitën e Romano Prodit atë kohë në Tiranë.

Në atë kohë Serbia dhe Mali i Zi, nuk ekzistonin fare në këtë proces dhe Shqipëria ishte pothuajse me Kroacinë, në të njëjtin ritëm, le të themi. Shqipëri u vonua për arsye të problemeve të poltikës së brendshme.

Megjithatë falë rotacionit në vitin 2005 u firmos marrëveshja e stabilizim-asocimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian me kryeministër Berishën në atë kohë dhe procesi vazhdoj të ketë ritmin e vet.

Të njëjtën marrëveshje që u firmos në vitin 2006, Serbia dhe Mali i Zi e firmosën, në mos gaboj dy vjet më pas.

Ndërkohë çfarë ndodhi?

Mali i Zi i ka çelur negociatat që ne si Shqipëri nuk i kemi çelur akoma që në vitin 2012 dhe të gjithë kapitujt.

Serbia i ka çelur negociatat ne 2014 dhe ne akoma.

Ne, një popull 100% pro europian, ku nuk ka asnjë diskutim, asnjë dilemë. Asnjë problem serioz apo dramatik me fqinjët siç ka pasur Maqedonia e Veriut dikur, që nuk e ka më. Vetëm problemet e brendshme politike dhe mungesa e vullnetit politik të klasës poltike për të përmbushur reformat, sepse po të përmbushen reformat nuk mund të kishte kaq shumë koncesione sa dëgjoni ju në Shqipëri. Do të kishte konkurencë, një funksionim tjetër të shtetit të së drejtë. Shqipëria nuk do të kishte humbur kaq gjyqe ndërkombëtare me investitorët e huaj dhe do të kishte shumë më tepër investitor të huaj në Shqipëri.

Po kjo cenon interesat e grupeve të caktuara, nuk është e lehtë për të mos nxjerrë pretekst për të mos bërë diçka dhe për të fajësuar tjetrin.

Dhe për fat të keq kjo gjë ka ndodhur edhe në vitet e fundit në Shqipëri shpesh midis mazhorancës dhe opozitës. Ku të dy lidershpieve duket sikur u ka interesuar ky proces dhe ata që e kanë paguar janë qytetarët e Shqipërisë.

Janë gati 500 mijë qytetarë shqipatarë të kësaj periudhe që praktikisht janë shpallur non grata në vendin e tyre dhe kanë ikur jashtë për kushte më të mira pune dhe sigurie. Ky është një shqetësim që unë e kam ngritur prej kohësh, problemin e shpopullimit se në rastin e Shqipëris nuk bëhet fjalë për emigrim, largim, por bëhet fjalë për shpopullim, statistikat zyrtare e tregojnë këtë.

Për një mijë banorë ikën 1 nga Serbia, ikin 12 nga Shqipëria.
Ikën 1 nga Bosnja, ikin 18 nga Shqipëria.
Ikën 1 nga Kosova, ikin 4 nga Shqipëria.
Ikën 1 nga Mali i Zi, ikin 17 nga Shqipëria, nuk ka asnjë arsye.

Ndërkohë që ju e dini se sa e bukur është Shqipëria, çfarë potenciali ka, çfarë mundësish ka, etj.

Në rast se nuk investon në bujqësi, në rast se ti nuk investon ë turizëm me të cilin mbahet shumica e familjeve të vendit apo jo! Dhe mund të bëhen dhe krahasimet e Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut që është jashtëzakonisht shumë lart apo qoftë dhe Kosovën, diferenca është e madhe.

Pra, i përmenda këto çështje për të kuptuar se nga një herë na duket sikur jemi shumë mirë po kemi humbur shumë kohë si mund të jemi ne kaq mbrapa Malit të Zi, si mund të jemi ne kaq mbrapa Serbisë në procesin e integrimit europian.

Ne duhet të ishim shembull dhe duhet të kishim marr një tjetër shpejtësi. Dhe për fat të mirë Shqiptarët në rajon ndërkohë mendoj që kanë bërë hapa dhe më përpara se vetë Shqipëria në drejtim të demokracisë dhe në drejtim të rolit të tyre për sa u takon proceseve integruese.

Mali i Zi, a mund të ishte në këtë rrugë pa shqiptarët, pavarësisht se shqiptarët e Malit të Zi nuk janë një komunitet shumë i madh, por janë një komunitet solid dhe çfarë është e rëndësishme, janë shumë të përkushtuar në rrugën euro-atlantike.

Edhe tani është një qeveri e ndryshme nga ajo që ka qenë më parë që ka përcaktuar rrugën euro-atlantike të Malit të Zi ku shqiptarët edhe atje kanë qenë një faktori rëndësishëm. Përsëri falë rolit shqiptar kjo qeveri nuk lëviz nga traseja kryesore.

Kemi rastin e Maqedonisë së Veriut, shqiptarët kanë qenë gjithmonë garanci për proceset integrues, kanë kushtëzuar ndryshmet, kanë kushtëzuar zhvillimet në Maqedoni.

Në radhë të parë duke garantuar këtë proces, kështu që vetëm ecja në këtë drejtim na favorizon.

Çdo dalje nga kursi i integrimit europian dhe euro-atlantik çonë ujë në mulli të tjetër kujt dhe do t’i paraqesin shqiptarët si fajtor pasi çdo kusht tjerët që humbet përkrahjen e Bashkimit Europian, në radhë të parë të NATO-s por edhe të bën përgjegjës në raport me vendet e tjera të rajonit.

Ndaj është e rëndësishme t’u qëndrojmë atyre parimeve gjithëpërfshirëse të bashkëpunimit si deri tani.

Nuk kam besuar asnjëherë, kurrë, dhe as kam për të besuar asnjëherë në këtë botë se në këtë rajon mund të ndryshohen kufijtë edhe për një fshat të vetëm, për mua është e pabesueshme, sepse historia e ka treguar këtë dhe çdo hapje e temave të tilla vetëm se kërkon të minojë të ardhmen europiane të rajonit tonë dhe është në interes të tjetër kujt.!

Nuk është në interes të asnjë populli të rajonit të tonë. Nuk ka zgjidhje duke pasur më pak serbë në Kosovë apo më pak shqiptarë në Serbi apo kudo tjetër.

Zgjidhja është më shumë demokraci dhe e drejta e minoriteteve në Kosovë, që i gëzojnë në mënyrë të jashtëzakonshme, falë edhe Kushtetutës tuaj, dhe e njëjta gjë edhe për shqiptarët e pakicave të tjera në Serbi.

Çdo komb në Ballkan është shumicë diku dhe është pakicë diku, se e tillë historia.
Nuk ka mundësi të ketë stabilitet dhe të ardhme më të mirë përmes ri-vizatimit të kufijve.

Politikanët dështojnë të mbaj premtimet për një qeverisje më të mirë, atëherë shkojnë tek kufijtë dhe tek nacionalizmi.

Ndaj kot nuk është thënë që strofulla e fundit e maskarenjve është nacionalizmi, se në fund fare kush e paguan? E paguan populli që instrumentalizohet dhe që kalon në urrejtje dhe në përjashtim.

Pyetje: Cili është roli i Shqipërisë lidhur me dialogun Kosovë-Serbi?

Presidenti Meta: Roli i Shqipërisë është mbështetja e dialogut dhe mbështetje e udhëheqësve legjitimë të Kosovës, ky është roli i Shqipërisë.

Kosova ka udhëheqësit e saj të zgjedhur në mënyrë legjitime, dhe roli i Shqipërisë është gjithmonë të nxisin bashkëpunimin brenda politikës së Kosovës.

Pra, të atyre që janë në institucione dhe që janë në qeveri, dhe atyre që janë në opozitë, që për një temë madhore të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe ta përdorin sa më pak këtë politik.

Sepse është një çështje që duhet të marrë një zgjidhje përfundimtare dhe afatgjatë.

Pyetje: Zoti President, unë vij nga Shqipëria dhe jam shtetasi më i ri i Republikës së Kosovës, dhe t’jua them me sinqeritet, ai trau në kufi më pengon.

Në ligjëratën tuaj, ajo që u kuptua saktë dhe mua shpeshherë më bëhet pyetje, duke qenë se jetoj prej 14 vitesh këtu dhe me rastis të takoj shumë qytetarë në dy anët e kufirit.

Ata më pyesin gjithmonë, kur shqiptarët do të bëjnë më shumë veprime dhe më pak foto! E thënë ndryshe, kur do bëhet ajo mbledhja, që do t’u japë fund të gjitha mbledhjeve?

Presidenti Meta: Kur populli ynë këtu dhe atje, t’i kushtojë më shumë rëndësi përmbajtjes se sa formës.

Sepse ajo, që shikojmë gjithnjë e më shumë është që, politika është e paaftë për të zgjidhur problemet kryesore, problemet përmbajtjesore, probleme jo vetëm të ditës, por të perspektivës.

Gjithmonë shpiket shfaqje, ne mënyrën që të hutojë popullin dhe të harroj problemet, te cilat nuk zgjidhen dhe të harrojë problemet që shtohen.

Profesori po më thoshte, duke qenë se kemi këtë çështjen e taksave, që kishte bërë një poezi, për këtë çështje dhe shprehej: Mirë taksa që keni vënë, por ju u keni venë taksa ëndrrave dhe shpresave, por shyqyr që nuk u keni vënë taksa dhimbjeve.

Në një vend ku funksionon llogaridhënia, gjithçka ecën në rrugën e duhur dhe në mënyrë të qëndrueshme.

Llogaridhënia funksionon aty ku funksionon demokracia, ku njerëzit nuk janë numra, nuk janë statistika, nuk janë thjesht qytetarë, por janë zot të vendit të tyre, përmes votës së lirë dhe votës së barabartë.

Unë, besoj që në këtë drejtim më mirë të kemi zgjedhje çdo dy vjet.

Por, të kemi demokraci më shumë, dinamikë shoqërore, e cila përcaktohet nga kontrolli i qytetarëve mbi ata të cilët votojnë, dhe që u besojnë ëndrrat dhe hallet e tyre.

Pyetje: Përshëndetje i nderuar President i Republikës. Dhe unë nuk kam çfarë të them tjetër, po t’ju çmoj një kontribut të veçantë në unifikimin e faktorit politik ndër-shqiptar, pra Shqipëri-Kosovë. Kam një pyetje fare të thjeshtë dhe të shkurtër:

Për këto 21 vite liri të Kosovës, faktori politik shqiptar në Prishtinë dhe Tiranë, është sjellë gjithmonë me kujdes në raport me njëri-tjetrin.

Tani në këtë qeverisje që ka Kosova, pra natyrisht dihet, është një qeverisje me qasje politike të majtë, po ashtu edhe në Shqipëri për të tretën herë, Kryeministri shqiptar Edi Rama. Vërehet se politika shqiptare në Prishtinë dhe Kosovë i ka raportet më të ftohta, nëse mund ta quajmë kështu, në të gjithë këtë periudhë.

Përse ndodh kjo? Sepse përpara se të jemi faktor stabilizues në rajon, unë konsideroj se duhet të jemi faktor unifikues ndërshqiptar, si e shihni rolin, apo është ndoshta për primat politik, ndërmjet krerëve të dy qeverive shqiptare? Faleminderit!

Presidenti Meta: Është për të ardhur keq që kemi humbur shumë kohë. Edhe ju mendoj unë që nga momenti i shpalljes së Pavarësisë, ka qenë moment kulmor. Por edhe ne, edhe të gjithë së bashku për të bërë shumë punë të mira, të cilat do ta kishin forcuar shumë më tepër pozitën ndërkombëtare të Kosovës, të shqiptarëve.

Dhe të mos harrojmë se edhe pozita e Shqipërisë në qoftë se do të ishte një vend shumë i përparuar, për sa i takon procesit të integrimit europian, në qoftë se nuk do të ishte një vend problematik për zgjedhjet.

Nuk do të ishte një vend që ka dalë në vitet e fundit, shpesh herë në media për dhunë, për gjëra të paarsyeshme dhe që nuk kanë kuptim, sigurisht do të ishte diçka tjetër.

Është harxhuar shumë kohë mendoj unë për pushtete individuale, partiake dhe jo për të zbatuar një vizion të përbashkët, bazuar mbi vlerat dhe aspiratat europiane të vendeve tona dhe popujve tanë.

Është vendimtare që Shqipëria dhe asnjë aktor në Shqipëri, të mos ndërhyjë në punët e Kosovës.

Që do të thotë, se askush nuk duhet të flasë në emër të Kosovës, askush nuk duhet të marrë zotime në emër të Kosovës dhe askush nuk duhet të mbaj krah në debatet për çështjet kryesore që zhvillohen në Kosovë.

Detyra e Shqipërisë është të nxisë unifikim për çështjet madhore në interes të Kosovës. Të bashkëpunojë për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, brenda të gjitha mundësive që ajo ka.

Në këtë drejtim, për fat të keq, kemi parë që probleme, ka pasur dhe me qeveritë e mëparshme, që nuk duhet të kishte dhe që nuk duhet të ketë.

Pra kërkohet një qasje e përgjegjshme. Dhe në fund të fundit, nuk kemi përse t’i japim merita, dikujt që na thotë, se Millosheviçi ishte një udhëheqës i mirë, që qëllimet i kishte të mira, por që rezultatet, nuk i pati të mira.

Në qoftë se gjenocidi ishte një qëllim i mirë, atëherë kuptojmë se ku kthehemi. Në qoftë se mohohet Raçaku, në qoftë se mohohen ato masakra që përjetoi populli i Kosovës dhe i gjithë Ballkanit.

Apo nëse ngacmohet dhe lëndohet situata në Bosnjë, apo nëse përfshihemi më shumë në çështjet e brendshme të Malit të Zi. Kjo nuk është rruga për t’i thënë dikujt që po sillesh si një partner i shkëlqyer europian, përkundrazi.

Në radhë të parë ne duhet vetë të sillemi vetë në mënyrën më të mirë të mundshme europiane, civilizuese dhe këtë nuk mund ta bëjmë në një raport më të madh ndërkombëtar, pa e bërë me njëri-tjetrin, si udhëheqës shqiptarë në rajon.

Faleminderit zoti President! Unë shpresoj dhe besoj se do ta mbani mend gjatë këtë ligjëratë. Ndërkaq ne kemi menduar që të ju rikujtojmë herë pas here këtë. Në fakt studentët e Kolegjit AAB, më saktësisht ata të Fakultetit të Arteve, kanë bërë një surprizë për ju, është një portret i juaji.

Presidenti Meta: Që ta thyejmë pak këtë. Kush nga ju ka qenë në liqenin e Jazhincës? Asnjë nuk ka qenë në liqenin e Jazhincës? Kush nga ju është larë në liqenin e Jazhincës?

Jam shumë krenar që kam qenë në liqenin e Jazhincës, 2200 metra mbi nivelin e detit dhe që jam larë në liqenin e Jazhincës. Edhe bëni stërvitje, dhe  ju jap fjalën, që një takim tjetër do ta bëjmë, duke bërë një tur, duke ngjitur atë pjesë të mrekullueshme të Kosovës.

Të jeni krenar për bukuritë e jashtëzakonshme të Kosovës. Unë çfarë t’i bëj pandemisë, vendi im më i preferuar është Prevalla, kuptohet dhe shumë vende të tjera në Kosovë.

Kosova është një destinacion i mrekullueshëm, por duhet të ndihmojmë dhe njëri-tjetrin për ta njohur më mirë, jo vetëm Kosovën, por dhe Shqipërinë.

Takimin tjetër dua ta lëmë në Jazhincë, me ata të cilët do të bëjnë stërvitje deri atëherë për të shkuar atje.

Dhe e dyta, një thënie nga Adenaueri, mos gaboj: Jetojmë të gjithë në të njëjtin qiell, por nuk shohim të njëjtin horizont, pra disa shikojnë më larg, disa shikojnë më afër.

Ku ka vend më të mirë, se sa universiteti, për të pasur një shikim sa më të largët, sa më me perspektivë dhe prosperues për secilin prej jush.

Dhe tjetra, folën edhe profesorët, nuk është e rëndësishme vetëm të mësojmë këtu sa më shumë, por edhe të mësojmë metodën e të mësuarit në mënyrë të përhershme.

Në mënyrë që të përmirësohemi vazhdimisht edhe kur ndahemi me këtë auditor. Dhe unë besoj se ky do të jetë edhe një nga misionet e Kolegjit tuaj të nderuar AAB. Ju faleminderit!

Dhe kur të merrni ndonjë çmim ndërkombëtar, më ftoni edhe mua që të jem i pranishëm në atë ceremoni. Ju faleminderit!