Presidenti Meta mban ligjëratën me temë “Shqiptarët në mijëvjeçarin e ri – sfidat dhe perspektivat” në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup: Bashkimi Europian duhet të ofrojë “karotën” kur duhet, por edhe “shkopin” kur është e nevojshme ndaj të gjithë autokratëve në rajon të cilët rikthejnë tema të së kaluarës, si një shantazh, për t’i lënë rehat në autokracinë e tyre.

Presidenti Meta mban ligjëratën me temë “Shqiptarët në mijëvjeçarin e ri – sfidat dhe perspektivat” në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup: Bashkimi Europian duhet të ofrojë “karotën” kur duhet, por edhe “shkopin” kur është e nevojshme ndaj të gjithë autokratëve në rajon të cilët rikthejnë tema të së kaluarës, si një shantazh, për t’i lënë rehat në autokracinë e tyre.

Me ftesë të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta mbajti një ligjëratë me temë “Shqiptarët në mijëvjeçarin e ri – sfidat dhe perspektivat” para dhjetra studentëve dhe pedagogëve të universiteteve shqiptare.

Duke iu drejtuar pedagogëve, punonjësve shkencorë, studentëve dhe të ftuarve të pranishëm, Presidenti Meta u shpreh:

I nderuar Profesor Skënder Hasani,

Të nderuar punonjës të Institutit,

Të dashur studentë universitarë dhe pasuniversitarë,

Të nderuar pjesëmarrës!

E prita me kënaqësinë më të madhe ftesën për të bashkëbiseduar me studentë universitarë dhe pasuniversitarë, si dhe me punonjës kërkimorë e shkencorë dhe me të gjithë ekipin e këtij Instituti të mrekullueshëm, në Shkupin e Shën Nënë Terezës, të Pjetër Bogdanit, të Hasan Prishtinës dhe sa e sa personaliteteve të mëdha frymëzuese për ne shqiptarët.

Dua të vlerësoj shumë punën e këtij Insituti, që kujdeset për ruajtjen, kultivimin dhe avancimin e trashëgimisë kulturo-historike dhe shpirtërore të shqiptarëve, i vetmi që ka krijuar një departament të posaçëm për promovimin e të gjithë trashëgimisë së Shën Terezës.

Për ne mbetet ekzistenciale si komb studimi i gjuhës, i zakoneve, traditave, letërsisë, artit, kulturës, historisë dhe forcimit të identitetit tonë kombëtar.

Globalizimi ka shumë avantazhe, por është edhe një kërcënim serioz për shpërbërjen e atyre kombeve, që nuk kujdesen për të “vaditur” rrënjët e tyre, dhe për t’i forcuar ato.

Gjuha shqipe mbetet kyçe për të gjitha studimet, në trevat ku jetojnë shqiptarët. Për këtë qëllim ekzistojnë institucione të posaçme, ku shquhet Instituti i gjuhëve, por edhe  Instituti Albanologjik i Prishtinës, Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Kulturës Popullore, në Shqipëri gjithashtu.

Jam i lumtur që në Shkup, Tiranë dhe Prishtinë, ekziston një rreth i gjerë dhe aktiv, bashkë me komunitetin shkencor që merret me këto fusha.

Me këtë rast dua të përshëndes Memorandumin e bashkëpunimit 2021-2026, ndërmjet Akademisë së Studimeve Albanologjike të Tiranës, të Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe Institutit tuaj, që synojnë nxitjen dhe të fillimin e bashkëpunimit për kërkimin shkencor  në fushën e albanologjisë.

Ndaj duhet të bëjmë më shumë, në mënyrë që të ruhet  dhe të vijohet më tej, ajo trashëgimi e jashtëzakonshme e studimeve albanologjike dhe i kontributeve të albanologëve të shquar vendas dhe të huaj.

 Shqetësim madhor për mua, mbetet eksodi i të rinjve nga rajoni ynë, e sidomos nga Shqipëria.

Problemi i madh është largimi i forcave intelektuale, më krijuese, më të reja dhe për fat të keq më të kualifikuara, që na shton përgjegjësinë për të shpëtuar Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe rajonin tonë, nga ky fenomen, që Papa Françesku e quan me të drejtë “Dimri demografik”.

Është e rëndësishme, që të gjithë shqiptarët duhet të përpiqen, që aty ku ata jetojnë, të mbizotërojë sundimi i ligjit, demokracia, vlerat europiane dhe euroatlantike, bashkëjetesa me të drejta e oportunitete të njëjta, dhe me dinjitet të pacënuar.

Ky është një rajon me një të kaluar të vështirë, por pikërisht për shkak të kujtimeve të hidhura, duhet të punojmë të gjithë për të krijuar një perspektivë të qëndrueshme dhe të besueshme, sidomos për gjeneratat e reja.

Angazhimi për një perceptim sa më pozitiv dhe sa më atraktiv për rajonin tonë, do ndikonte në drejtim të thithjes së investimeve të huaja, që aq shumë na duhen për t’i dhënë një rritje tjetër ekonomike rajonit dhe sidomos për t’u dhënë mundësi më të mira të rinjve tanë, të qëndrojnë këtu dhe të kenë punë të mirëpaguar.

Në rajonin tonë, nuk ka kombe të mëdha dhe kombe të vogla. Në rajonin tonë duhet të ketë vlera europiane, që mbrohen dhe respektohen njësoj nga të gjithë.

Nuk mund të jetë zgjidhje rivizatimi i kufijve në rajonin tonë, sepse kjo çështje është provuar, ka dështuar dhe ka qenë një katastrofë për rajonin.

E vetmja zgjidhje, është respektimi i të drejtave të të gjitha minoriteteve nga kushdo, në mënyrën e duhur dhe në respekt të standardeve europiane. Kjo do të garantonte dhe konsolidonte paqen, stabilitetin, sigurinë, do të forcojë bashkëjetesën ndëretnike dhe do të përmirësojë klimën e biznesit dhe besimin tek e ardhmja.

Në këtë drejtim, unë dua të përshëndes progresin e jashtëzakonshëm të bërë në këtë drejtim nga Maqedonia e Veriut në vitet e fundit, që nga Marrëveshja historike e Prespës, që e kanë kthyer këtë vend në një shembull pozitiv në rajonin tonë, pavarësisht sfidave që ka përpara.

Dua të vlerësoj, të gjithë faktorin shqiptar, që ka qenë një kontribuues shumë aktiv dhe shpesh vendimtar, për udhëtimin euroatlantik dhe europian të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Inkurajoj të ecet në këtë drejtim, pavarësisht nga pozicionet e forcave politike në qeveri, apo në opozitë.

Bota është në lëvizje të shpejtë gjeo-politike, pesha e Bashkimit Europian ndoshta nuk është ajo që ka qenë.

E ardhmja nuk është më ajo që ishte. Sot shumë raporte kanë ndryshuar dhe janë në një dinamikë të vazhdueshme, ndaj edhe duhet t’i paraprijmë këtyre ndryshimeve dhe zhvillimeve.

Vetë Europa duhet të ketë qasje më serioze për Ballkanin Perëndimor dhe duhet t’u qëndrojë premtimeve që bën. Duhet të ofrojë “karotën”  kur duhet, por edhe “shkopin” kur është e nevojshme ndaj të gjithë autokratëve në rajon të cilët rikthejnë tema të së kaluarës,  si një shantazh, për t’i lënë rehat në autokracinë e tyre.

Ne jemi të shqetësuar, për çështje dhe tema që na kthejnë pas në të kaluarën e hidhur.

Një rast konkret është debati i fundit lidhur me të ardhmen e Bosnjë dhe Hercegovinës, vënia në diskutim e Marrëveshjes së Detonit, iniciativa paralizuese për institucionet atje, qëndrime të dyfishta të vendeve të caktuara në rajonin tonë.

E rëndësishme është përmbyllja e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. Ne synojmë dhe dëshirojmë një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të pranueshme nga të gjithë, e cila garanton që Kosova dhe Serbia të bëhen sa më parë anëtare të Bashkimit Europian.

Lidhur me iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, dua të theksoj se në Ballkan, nuk ka kombe të mira dhe kombe të këqija, sepse të gjithë popujt janë të etur për paqe, stabilitet, siguri, bashkëpunim ndëretnik dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, por ka politika të mençura bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse ose politika të mbrapshta dhe përçarëse.

“Ballkani i Hapur” është një nismë imponuese dhe e paqartë, që më shumë se rezultate derimë tani ka prodhuar vetëm debate dhe pasi ka ndërruar tre herë emrin, i vetmi element pozitiv që ka është përcaktimi “i hapur”.

Mjafton të përmendim një fakt, ndalimin nga Serbia të sportistëve nga Kosova, pa përmendur elementë të tjerë që i ndeshim çdo ditë dhe që nuk ndihmojnë në rritjen e mirëbesimit dhe konsolidimit të bashkëpunimit rajonal.

Ndërkohë ne kemi Procesin e Berlinit që është gjithëpërfshirës dhe ka dhënë rezultate konkrete, pasi shoqërohet me garancitë dhe mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, që ka ngritur mekanizma zbatues dhe monitorues.

Nuk mund të zhvendosim stadin e bashkëpunimit rajonal, nga vetë shtrati i procesit të integrimit europian, të të gjithë vendeve tona dhe rajonit.

Nuk mund ta fsheh shqetësimin tim për pozitën e Kosovës dhe tendencën e “Ballkanit të Hapur” për ta margjinalizuar atë.

Unë kurrë nuk kam besuar dhe nuk mund të besoj, që zgjidhja për çdo çështje në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, mund të jetë më pak serbë në Kosovë, apo më pak shqiptarë në Serbi.

Thelbi është që këto dy vende duan t’i bashkohen Bashkimit Europian dhe nëse duhet t’i bashkohen, duhet të ecin në rrugën e parimeve dhe vlerave europiane. Por jo të vendosin në diskutim parimet dhe vlerat, sikurse ka qenë ideja e papranueshme për ndryshimin e kufijve.

Për sa i takon raportit të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut, Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që e ka njohur Maqedoninë e Veriut.

Shqipëria gjithmonë ka qenë një mbështetëse e palëkundur e stabilitetit, e bashkëjetesës ndër-etnike, e Marrëveshjes së Ohrit dhe zbatimit të saj dhe në të gjithë këtë proces, ne jemi udhëhequr nga domosdoshmëria e bashkëjetesës midis popujve në rajon, që fatin e tyre e kanë të lidhur pazgjidhshmërisht me njëri-tjetrin.

Jemi shumë të kënaqur, që Maqedonia e Veriut ka hyrë në një proces solid, të integrimit euro-atlantik dhe jo vetëm kaq.

Çelja sa më parë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe liberalizimi i vizave për Kosovën do të sillte kontribute konkrete dhe tepër pozitive për konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon, si dhe për prosperitetin e qytetarëve tanë.

Ju faleminderit!