9 Janar 2020 Presidenti Meta: Italia mbetet partner i pazëvendësueshëm strategjik. Mirëpresim një prani më të madhe në sektorë strategjikë të investitorëve italianë në Shqipëri
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim Ambasadorin e ri të Italisë në Shqipëri, Sh.T.Z. Fabrizio Bucci, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.
Duke e uruar për përmbushjen me sukses të detyrës së tij shumë të rëndësishme në Tiranë, Presidenti Meta vlerësoi se Italia mbetet partner i pazëvendësueshëm strategjik, si dhe partner kryesor tregtar i Shqipërisë.
Presidenti Meta vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë vendit tonë ndër vite në proceset e integrimit euro-atlantik.
Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën e menjëhershme të dhënë nga Italia mike në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, që goditi vendin tonë, si dhe besimin për vijimin e asistencës italiane edhe për rehabilitimin e zonave të prekura nga tërmeti.
Kreu i Shtetit inkurajoi që të rrisim bashkarisht përpjekjet për mbajtjen gjallë të gjuhës, kulturës e traditave të pasura shqiptare në vendin fqinj.