Presidenti Meta: Industria e naftës dhe e gazit të marrë mbështetjen që meriton nëpërmjet investimeve moderne, që garantojnë jo vetëm furnizimin, por edhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë kombëtare

Presidenti Meta: Industria e naftës dhe e gazit të marrë mbështetjen që meriton nëpërmjet investimeve moderne, që garantojnë jo vetëm furnizimin, por edhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë kombëtare

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta çmoi Profesor Doktor Fatmir Shehun me Titullin “Mjeshtër i Madh”: “Në vlerësim të meritave të jashtëzakonshme dhe kontributit të drejtpërdrejt në revolucionarizimin e teknologjisë së shpimit të puseve të naftës dhe gazit në vendin tonë, në vitet ‘80-të. Me mirënjohje për veprimtarinë e pasur shkencore, për promovimin e palodhur në përhapjen dhe aplikimin e dijes e të shkencës në industrinë tonë të naftës, si dhe për kontributin e madh të dhënë në formimin e brezave të inxhinierëve të rinj të vendit.”

Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar familjarëve dhe kolegëve të pranishëm në ceremoninë e dekorimit, Presidenti Meta u shpreh:

“Është kënaqësi që jemi së bashku për të vlerësuar një inxhinier dhe profesor të nderuar, një personalitetit të shquar të shkencës shqiptare e të industrisë së naftës, Prof. Dr. Fatmir Shehu.

Profesor Shehu ka lindur në zonën e Fierit, ku shumë familje e kishin të lidhur punën dhe jetën me naftën dhe gazin. Kështu ndodhi edhe me të.

Vetëm 14-vjeç ai hyri në botën e naftës, përmes studimeve në shkollën e mesme ‘Teknikumi i Naftës’ Kuçovë, për të vazhduar dhe përfunduar më pas, Universitetin e Tiranës, Fakultetin Gjeologji-Miniera, si inxhinier i shpim-përpunimit të vendburimeve të naftës e gazit.

Si inxhinier i ri filloi punë në kantier, por brenda tij kishte pasionin e fortë për shkencën dhe studimet shkencore. Ky pasion solli emërimin e tij në Institutin e Studimeve e Projektimeve të Naftës e Gazit, të krijuar në qershor të vitit 1965 në Kuçovë.

Fillimi i punës në këtë Institut solli edhe fillimin e studimeve të thelluara dhe intensive të inxhinier Shehut në fushën e shkencës e teknologjisë së shpimit të puseve në vendin tonë, që deri në atë moment kishte mbetur në koncepte dhe me praktikë të prapambetur.

Studimet e vazhdueshme dhe të pandërprera të literaturës së huaj, si dhe studimet e shumta laboratorike, arritën të sjellin identifikimin nga ana e inxhinier Shehut të disa nga arsyet dhe vështirësive të shpimit në vendin tonë.

Përtej kësaj, më e rëndësishmja ishte përcaktimi apo gjetja e ‘kurës’ së duhur për zgjidhjen dhe kapërcimin e problematikave të shpim-kërkimit në të gjitha vendburimet e naftës e të gazit të zbuluar dhe po ashtu, ulja e kostove dhe pa avari teknologjike e shpim-kërkimit të puseve të reja.

Inxhinier Shehu ka një meritë të jashtëzakonshme shkencore, me rreth 165 studime shkencore dhe laboratorike, në zbulimin e fenomeneve të reja e të panjohura të formacioneve me presione shumë të larta, si dhe zbulimit të metodave dhe mekanizmit teknologjik të kapërcimit të problematikës së tyre.

Ky zbulim bëri të mundur shpimin e puseve të shumta për gaz në zona dikur të pakapërcyeshme dhe që kulmon me projektimin e teknologjisë së shpimit, dhe të realizimit në pusin me thellësi 6700 metra, në Ardenicë.

Kjo solli një sukses të jashtëzakonshëm për shkencën dhe teknologjinë tonë, duke e renditur ato ndër më bashkëkohoret, në krahasim edhe me vendet më të zhvilluara të naftës, në sektorin e shpimeve.

Aktiviteti dhe veprimtaria shkencore e botuese e Profesor Shehut ka qenë shumë e gjerë dhe e gjithanshme.

Ai ka qenë një promotor i palodhur i përhapjes dhe aplikimit të dijes e të shkencës në industrinë tonë të naftës, duke botuar me dhjetëra botime shkencore, duke udhëhequr shumë seminare kualifikimi e trajnimi për kolegët dhe profesionistët e shpimit e duke formuar breza të tërë studentësh e inxhinierësh të shpimit, si pedagog në Fakultetin e Gjeologji-Miniera.

Edhe sot, ndërsa ka dalë në pension, Profesor Fatmir Shehu vazhdon të japë kontributin e tij si ekspert i konfirmuar, duke marrë përsipër e realizuar puset e para horizontale në vendin tonë.

Me këtë rast i uroj suksese të mëtejshme!

Shqipëria është një nga vendet me burime natyrore më të mëdha në Europë, sidomos në rezervat e naftës dhe gazit, një pasuri që duhet të kthehejë në mirëqenie vendin dhe për çdo qytetar.

Në kontekstin e zhvillimeve të fundit është me shumë rëndësi që industria e naftës dhe e gazit të marrë mbështetjen që meriton nëpërmjet investimeve moderne, që garantojnë jo vetëm furnizimin, por edhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë kombëtare.

Zhvillimi, modernizimi dhe mbështetja e industrisë së naftës dhe gazit është interes kombëtar strategjik. Ndaj, mbështetur mbi trashëgiminë dhe eksperiencën e personaliteteve si Prof.Dr. Fatmir Shehu, të shumëfishojmë përpjekjet për t’i dhënë prioritet këtij sektori jetik për vendin!”