30 Dhjetor 2018 Presidenti Meta drekë festive me fëmijët e Fshatit SOS: Libri është dhurata më e mirë
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta kremtoi sot festat e fundvitit me fëmijët pa kujdes prindëror të Fshatit SOS, për të cilët shtroi edhe një drekë, duke festuar së bashku me ta.
Presidenti i Republikës duke u uruar përzemërsisht “Gëzuar Vitin e Ri”, atyre dhe të gjithë fëmijëve të Shqipërisë, shpërndau libra dhe dhurata simbolike.
Duke përshëndetur fëmijët, edukatoret dhe mësueset e tyre, Presidenti Meta theksoi se:
Urimi im për vitin që vjen është që të jetë një vit më i mirë për të gjithë shqiptarët, por sidomos për të gjithë fëmijët e Shqipërisë dhe për të gjithë ju. Sepse vetëm duke treguar më shumë kujdes, vëmendje e mbështetje ndaj fëmijëve, duke treguar më shumë kujdes ndaj të rinjve ne do ta bëjmë Shqipërinë edhe më të bukur edhe më njerëzore, edhe më të bashkuar, edhe më të fortë, edhe më europiane. Gëzuar dhe mbarësi për 2019-n!”, – tha Presidenti i Republikës, i cili shoqërohej edhe nga dy fëmijët e tij, vajza Era dhe djali Besar.
I pranishëm ishte edhe aktori i mirënjohur i humorit, Bes Kallaku, i cili i dha një atmosferë festive kësaj dreke, ndërsa fëmijët kishin përgatitur recitime dhe këngë të ndryshme.