Presidenti Meta dekoron grupin polifonik dhe artistë të shquar të trevës së Sarandës me rastin e përfshirjes nga UNESCO të isopolifonisë shqiptare në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë të njerëzimit”: Nderim për kontributin e pazëvendësueshëm për lartësimin e kësaj vlere të jashtëzakonshme të trashëgimisë tonë kulturore

Presidenti Meta dekoron grupin polifonik dhe artistë të shquar të trevës së Sarandës me rastin e përfshirjes nga UNESCO të isopolifonisë shqiptare në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë të njerëzimit”: Nderim për kontributin e pazëvendësueshëm për lartësimin e kësaj vlere të jashtëzakonshme të trashëgimisë tonë kulturore

Me anë të një ceremonie solemne të organizuar në Kalanë e Lëkurësit, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dekoroi grupet polifonike dhe këngëtarë të spikatur polifonikë të trevës së Sarandës me rastin e 15-vjetorit të përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit” nga UNESCO-ja.

Kreu i Shtetit i akordoi Titullin “Naim Frashëri” Ansamblit “Zëri i Bilbilit”, me motivacionin Për kontributin e spikatur dhe të pandërprerë në ruajtjen, pasurimin dhe transmetimin e këngës polifonike, si një vlerë e vyer shpirtërore e trashëgimisë kulturore, për pjesëmarrjen e suksesshme në aktivitete kulturore dhe festivale folklorike brenda vendit dhe jashtë vendit, si mbështetës aktiv i turizmit kulturor dhe si përçues tek brezat e rinj i vlerave kulturore të këngës polifonike dhe valles tradicionale”.

Me Titullin “Mjeshtër i Madh” u çmua këngëtari dhe rapsodi i këngës polifonike, zoti Xheladin Beqiri, me motivacionin:Për kontributin e vyer disavjeçar në ruajtjen, pasurimin dhe transmetimin ndër breza të këngës polifonike. Këngëtar dhe interpretues virtuoz, rapsod dhe njohës i mirë i këngës polifonike. Pjesëmarrës i suksesshëm dhe laurues i shumë festivaleve folklorike kombëtare në Gjirokastër”;

s dhe zonja Katerina Kule “Me vlerësime si një nga këngëtaret e shquara të këngës polifonike. Me talentin, zërin e rrallë dhe dashurinë për këngën e popullit të saj ka luajtur një rol të madh në ruajtjen e traditës dhe kultivimit të mëtejshëm të folklorit dhe në veçanti polifonisë së jugut të vendit”.

Presidenti Meta vlerësoi me Titullin “Naim Frashëri” marrësin e shquar marrës polifonik, zotin Petrit Metushi, me motivacionin: “Si një nga këngëtarët e shquar të këngës  polifonike, i dalluar për talentin dhe interpretimin e spikatur në rolin e marrësit, si dhe për rolin unik në mbajtjen gjallë, kultivimin dhe përsosmërinë e këngës polifonike sarandjote.”;

si dhe intepretuesin e spikatur Kiço Kapetani (pas vdekjes)Në vlerësim të kontributit të spikatuar në interpretimin dhe lartësimin e këngës polifonike. I dalluar në rolin e marrësit për talentin dhe interpretimin e shquar, si dhe rolin unik në mbajtjen gjallë, kultivimin dhe përsosmërinë e këngës polifonike sarandjote”.

Me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”, Kreu i Shtetit dekoroi zotin Sinan Ahmeti, me motivacionin: “Me mirënjohje artistit të shquar të kulturës popullore dhe folklorit me kontribut të spikatur në mbartjen, pasurimin dhe transmetimin e këngës polifonike ndër breza. Si pjesëmarrës, drejtues dhe organizues me nivel të lartë artistik i shumë veprimtarive folklorike, në dobi të ruajtjes së traditës të polifonisë dhe nxitjes së turizmit kulturor”.

Në përshëndetjen e Tij drejtuar artistëve, këngëtarëve, rapsodëve, muzikologëve dhe studiuesve të polifonisë, si dhe familjarëve  Presidenti i Republikës u shpreh:

“Jam shumë i lumtur që ndodhëm këtu së bashku me ju në Kalanë e Lëkurësit, për të nderuar historinë e lavdishme të luftërave për liri,  si dhe për të vlerësuar disa prej  korifenjve sarandjotë të këngës sonë polifonike.

Institucioni i Presidentit të Republikës e ka shpallur vitin në vazhdim si viti i nderimit të polifonisë!

15 vite më parë, më 25 nëntor të vitit 2005, UNESCO e përfshiu isopolifoninë shqiptare në listën e ‘Kryeveprave të trashëgimisë së njerëzimit’!

E meritojnë korifenjtë e polifonisë këtë vlerësim  dhe kënaqësi për gjithçka, që ata  kanë bërë për Atdheun, për të forcuar shpirtin kulturor të kombit, identitetin tonë si dhe për të  lartësuar deri në UNESCO polifoninë shqiptare!

E filluam përkujtimin e këtij përvjetori historik në Bylisin Antik të Mallakastrës, për të vazhduar në Pilurin e princit të këngës  Lefter Çipa, më tej në Vlorën e Flamurit Kombëtar duke mbërritur sonte në Sarandë.

E ku tjetër më bukur se sa këtu në Lëkurës, në djepin e lirisë dhe polifonisë, në këtë kështjellë të ndërtuar mbi atdhedashurinë, midis valëve të detit dhe maleve, do të mund ta festonim këtë përvjetor të shquar për trevën e Sarandës.

Të dashur miq,

Në këtë kështjellë nga e kaluara kanë ngelur muret monumentale, por këtu jehonë edhe kënga polifonike, e cila si një fill magjik bashkon të dy kohët!

Ky është padyshim atributi dhe misioni i vetë këngës labe por edhe i kontributit të veçantë dhe të spikatur të Ansamblit ‘Zëri i Bilbilit’, i cili e ka hijeshuar dhe gjallëruar edhe më tepër me këngët e tij këtë kështjellë të lashtë dhe këtë trevë të lavdishme!

Ne kemi ardhur këtu të nderojmë pikërisht këngëtarët e këtij grupi të njohur për kontributin e pazëvendësueshëm në mbijetesën dhe lartësimin e këngës polifonike, në ruajtjen e kostumeve popullore dhe traditave tona më të mira kulturore.

Ata me mjeshtëri kanë harmonizuar talentin e tyre me nevojat dhe kërkesat e turizmit kulturor, por  edhe të shijes së spektatorëve nga gjithë bota.

Kjo është një arritje e madhe për kulturën popullore dhe të ardhmen e saj në dobi të shoqërisë, por edhe në dobi të njerëzimit.

Ndaj jemi bërë bashkë për të nderuar pikërisht ata bij dhe bija sarandjotë, që kanë ditur të ngrenë në piedestal polifoninë dhe kulturën tonë mikpritëse.

Jemi mbledhur për të vlerësuar kontributin artistik dhe aftësitë organizative të këngëtarit të shquar Sinan Ahmeti, talentin e këngëtarit dhe krijuesit të shquar të polifonisë Xheladin Beqirit, cilësitë interpretuese të Katerina Kules, si dhe trashëgiminë e vyer të korifenjve Kiço Kapedani dhe Petrit Metushi.

Të dashur artistë,

Polifonia është pronë dhe pasuri shpirtërore e kombit dhe e çdo shqiptari.

Ne e kishim të vështirë të përzgjidhnim për vlerësim nga kjo bashkësi e madhe këngëtaresh popullorë , pasi  njëri është  më i mirë sesa tjetri.

Për këtë arsye, duke besuar mirëkuptimin tuaj, dua t’ju premtoj se ne do kemi përsëri mundësi, për të bërë sërish vlerësimet e duhura edhe për shumë kolegë të tjerë artistë tjerë të shquar popullor të këngës polifonike.

Me këtë rast dua të uroj Sarandën, verë gjithmonë, por të rrojë edhe  polifonia me iso e Shqipërisë dhe  jetë të gjatë këngëtarëve sarandjotë.

Suksese më të rinjve, por jo vetëm t’ua lini stafetën, por edhe t’ua marrin atë!

E përjetshme qoftë kjo pasuri e rrallë dhe e papërsëritshme e kombit tonë!

Të nderuar qofshin ndër shekuj të gjithë ata që i dhanë asaj zërin dhe shpirtin tyre fisnik!”