Presidenti Meta dekoron atletët Sokol Morina, Petrit Qendro dhe Sotir Qirjaqi: Kjo ceremoni synon të riafirmojë jo vetëm vlerat dhe kontributin e personaliteteve sportive, por dhe rëndësinë e vetë sportit, në zhvillimin e shëndetshëm të shoqërisë tonë.

Presidenti Meta dekoron atletët Sokol Morina, Petrit Qendro dhe Sotir Qirjaqi: Kjo ceremoni synon të riafirmojë jo vetëm vlerat dhe kontributin e personaliteteve sportive, por dhe rëndësinë e vetë sportit, në zhvillimin e shëndetshëm të shoqërisë tonë.

Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, çmoi me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, ish-atletët e shquar z. Sokol Morina dhe z. Petro (Petrit) Qendro në vlerësim të kontributeve të mirënjohura si atletë dhe trajnerë në përgatitjen profesionale të sportistëve elitarë.

Ndërsa Sotir Qirjaqi u vlerësua nga Kreu i Shtetit me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” për përkushtimin dhe punën dinjitoze si vrapues i palodhur dhe veprimtarinë e tij publike, sociale dhe sportive.

Në fjalën e Tij Presidenti i Republikës duke iu drejtuar atletëve kampionë në disiplina të ndryshme, trajnerëve dhe drejtuesve të “mbretëreshës së sporteve”, miqve dhe familjarëve të tyre, u shpreh:

“Të nderuar personalitete të sporti tonë, të dashur miq dhe familjarë të pranishëm, zonja dhe zotërinj. Dua t’ju falënderoj të gjithëve për praninë tuaj në këtë ceremoni, që synon të riafirmojë jo vetëm vlerat dhe kontributin e disa personaliteteve të shquara sportive, por mbi të gjitha rëndësinë e vetë sportit, në zhvillimin e shëndetshëm të shoqërisë tonë e sidomos të atletikës.

Sporti ynë është zhvilluar nga puna dhe pasioni vullnetar i qindra trajnerëve, mësuesve dhe drejtuesve, të cilët, dhuruan kohën dhe energjinë e tyre, për të rritur mundësitë e gjithsecilit për të shprehur veten, por edhe për të rritur aftësitë e tyre.

Pikërisht sot unë kam kënaqësinë të vlerësoj dy figura shumë të spikatura të sportit dhe atletikës tonë, atletët, mësuesit dhe drejtuesit e palodhur, sportistët universalë, zotin Sokol Morina dhe zotin Petrit Qendro, (që ne gjithmonë e kemi thërritur profesor Petrit Qendro).

Puna dhe arritjet tuaja kanë qenë gjithmonë të pranishme në lëvizjen e madhe sportive, por mbi të gjitha ne kemi admiruar shembullin e profesionalizmit tuaj, të pasionit, të ndjenjës së përgjegjësisë dhe të edukimin e të rinjve dhe fëmijëve me dashurinë për sportin.

Historia juaj është një histori e pafund, e bukur, magjepsëse, emocionuese, një burim krenarie, është një pjesë e rëndësishme e historisë së vendit tonë.

Sporti dhe atletika ju përkulen me respekt për përkushtimin dhe punën tuaj të palodhur, në zhvillimin dhe arritjen e sukseseve të pamohueshme, në një kohë mjaft të vështirë.

Falë punës dhe pasionit tuaj ju keni prodhuar qindra sportistë e trajnerë kampionë, të cilët na kanë nderuar kudo në mbarë botën.

Shembulli i jetës dhe veprimtarisë tuaj ka qenë dhe mbetet një burim frymëzimi, sidomos për të rinjtë dhe fëmijët e sotëm.

Një mirënjohje të veçantë dua t’i përcjell atyre atletëve kampionë e rekordmenë, që dolën nga duart tuaja, që koha nuk i fshin, por i lartëson në historinë e lavdishme të sportit tonë.

Shumë suksese të K.S. ’Dinamo’ i dedikohen përkushtimit serioz të zotit Morina, që ka drejtuar me profesionalizëm atë klub sportiv, pa harruar manifestimet e spartakiadat e mëdha sportive të qëndisura me aq mjeshtëri nga profesori Petrit Qendro.

Ju keni punuar pa u lodhur që edukimi sportiv të jetë pjesë e rëndësishme e edukimit qytetar të rinjve tanë.

Ju i keni mësuar të rinjtë tanë që përmes aktivitetit sportiv të mësojnë vlerat e miqësisë dhe bashkëpunimit, respektin për kundërshtarin dhe garën e ndershme sportive.

Kur një mësues e bën nxënësin të kuptojë se lodhja në stërvitje, guximi dhe përulësia, për të provuar veten në një garë sportive është një faktor rritje që ndikon për jetën, ai ka bërë një investim shumë të rëndësishëm për të.

Për këtë arsye sporti është një mjet shumë i çmuar pedagogjik për rritjen dhe forcimin e personalitetit të gjithëve.

E gjithë jeta juaj sportive ka shërbyer si një barometër, për të gjitha sukseset në vite, të sportit tonë.

Dhe tradita e vrapimit vazhdon…

‘Do të jepja një mijë libra, vetëm të mund të vrapoja aq shpejt sa ti!’ – ka thënë Shekspiri!

Prandaj sot me të njëjtën kënaqësi vlerësoj kontributin e vrapuesit të apasionuar zoti Sotir Qirjaqi, të cilit i shpreh mirënjohjen time të veçantë për shembullin që jep.

Zoti Qiriaqi është një figurë e shquar popullore në sportin e vrapimit dhe në maratonat masive, në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ai është një nga promovuesit e rëndësishëm të vrapimit në dobi të shëndetit dhe të jetës, në mediat shqiptare dhe të huaja.

Gjithmonë ka përfaqësuar me dinjitet pasionin e madh të tij për vrapimin dhe ka ngritur lart, me krenari, flamurin kombëtar, në çdo kompeticion ndërkombëtar.

Ai ka vrapuar përkrah shumë figurave botërore, që e kanë kuptuar rëndësinë e madhe të vrapimit për një jetë të shëndetshme dhe sidomos për të frymëzuar të rinjtë.

Veprimtaria e tij gjithmonë është karakterizuar nga motivi sportiv dhe human, duke patur gjithmonë si qëllim mesazhin për paqen, forcimin e shëndetit dhe dashurinë njerëzore.

Këto janë momente që na bashkojnë të gjithëve, në promovimin e vlerave sportive, por edhe njerëzore dhe shoqërore.

Titujt që i akordohen sot, këtyre personaliteteve të sportit profesionist dhe amator, janë një vlerësim i punës dhe pasionit, që ka karakterizuar këta sportistë, mësues e drejtues, që janë një pasqyrë reflektimi, por edhe një burim frymëzimi për të gjithë sportistët tanë, po sidomos për fëmijtë edhe për të rinjtë .

Ju uroj përzemërsisht sa më shumë suksese dhe shëndet në familjet tuaja!”