Presidenti Meta dekoron artistin e shquar të arteve figurative Agim Nebi me Titullin “Mjeshtër i Madh”

Presidenti Meta dekoron artistin e shquar të arteve figurative Agim Nebi me Titullin “Mjeshtër i Madh”

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta çmoi me Titullin “Mjeshtër i Madh” artistin e shquar të arteve figurative, skulptorin dhe mosaicistin Agim Nebi, me motivacionin: “Për kontributet e shquara në lartësimin përmes veprave artistike të imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit. Në vlerësim të reflektimit dhe përçimit të vlerave më të mira artistike dhe të qytetarisë si dhe shembullit të tij të rrallë si mozaicist, që vazhdon të frymëzojë brezat e rinj”.

Në ceremoninë solemne të organizuar, në emër të Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, fjalën përshëndetëse e mbajti Drejtori i Tij i Kabinetit, z. Edmond Panariti, i cili u shpreh:

“Të nderuar pjesëmarrës,

Jam i lumtur, që jemi sot, së bashku për të nderuar një tjetër artist shqiptar të arteve figurative, zotin Agim Nebi.

Zoti Agim Nebi njihet si mjeshtër i mozaikut, por ai ka lëvruar edhe gjini të tjera të arteve figurative, duke qenë pjesëmarrës dhe fitues çmimesh në shumë ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare.

Zoti Nebi ka meritën e veçantë se ringjalli traditën e lashtë të mozaikut në vendin tonë, duke realizuar për afro 45 vjet, mozaikë monumentalë brenda dhe jashtë vendit.

Veprat e zotit Nebi shquhen për larminë e tyre tematike, për mjeshtërinë e realizmit, lirizmin dhe epikën, si edhe për funksionet dekorative.

Veprat e tij kanë një frymë të fortë patriotizmi dhe tema heroike është lajtmotiv i shumë veprave të artistit Nebiu, si Mozaiku ‘Jehona e Skënderbeut’ në Muzeun e Tropojës; ‘Flamuri’ në vendvarrimin e Skënderbeut në Lezhë; ‘Mësuesi i Popullit Petro Nini Luarasi mes nxënësve dhe luftëtarëve’ në Muzeun Ersekë; ‘Masakra e Borovës’ në Borovë; ‘Liria’ në Akademinë e Arteve, etj.

Ndërkohë në vitin 1981 Agim Nebi vijoi angazhimi e tij, së bashku me pesë artistë të tjerë, për realizimin e mozaikut ‘Shqipëria’; në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar.

Krahas temës heroike edhe tema lirike është e pranishme në një sërë veprash të Agimit, duke filluar nga mozaiku ‘Festa e Grurit’ në Hotel Tirana International, ‘Studentët’ në Fasadën e Universitetit Bujqësor të Tiranës, ‘Motive Baritore’ në Hotel Turizmi në Rrëshen, ‘Barinjtë’ në Muzeun e Skraparit, ‘Fëmijët’ në Pallatin e Kulturës Ersekë e të tjera.

Veprat lirike shquhen për hijeshinë e tyre në kompozim, për brishtësinë e personazheve femërore, si edhe për format e tyre mjaft të larmishme, që di t’i realizojë një mjeshtër si Agimi.

Ajo çka e dallon veprën e Agim Nebiut është përdorimi i gurëve natyral të mbledhur nga të gjitha viset e Shqipërisë, si një mënyrë për të sjellë në mozaikët e tij aromën dhe ngjyrat e larmishme të viseve të vendit tonë.

Ato janë qindra mijëra copëza guri të kthyera në kompozime të larmishme, me individualitetin e portreteve por edhe me bukurinë e veshjeve, ku shquhen frymëzimi nga veshjet popullore, tradicionale shqiptare.

Këto vepra, me bukurinë dhe veçorinë e tyre, me gurët e përdorur, do të mbeten të pavdekshme në përjetësi, së bashku me emrin e autorit të tyre.

Siç shprehej artisti dhe historiani i artit, italiani Xhorxhio Vazari: ‘Mozaiku është piktura më e rezistueshme. Pikturat e tjera veniten me kalimin e kohës, kurse mozaiku shkëlqen vazhdimisht dhe përjetësisht ndër vite.’

Agim Nebi e ka zhvilluar një pjesë të madhe të krijimtarisë së tij në Itali, ku është nderuar nga autoritetet italiane me tituj dhe vlerësime.

Mozaikët e tij do t’i gjesh në disa kisha, në sheshe, në ndërtesa zyrtare dhe në mjedise çlodhjeje në Napoli, Bari dhe në qytezat e tjera të zonës rreth tij.

Agimi me veprat e tij ka krijuar një stil origjinal, që pa frikë mund ta quajmë shqiptar. Ai ka mbajtur lart gjithmonë në veprat e tij emrin e Shqipërisë, duke realizuar e publikuar personazhe të ndritur, vende historike dhe kulturën etnografike shqiptare edhe jashtë atdheut.

Mozaikët si ‘Nënë Tereza’, e cila gjendet në sheshin me të njëjtin emër në Torrito (Bari), si edhe mozaiku monumental ‘Solo mare tra di noi’, kushtuar miqësisë shqiptare-italiane, janë vetëm 2 nga mozaikët me përmasa të mëdha, që kanë tërhequr vëmendjen e publikut italian dhe që kanë kontribuar në forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Italisë.

Frymën patriotike të veprave të tij, ai e ruan me fanatizëm edhe në veprimtarinë e tij artistiken në Itali dhe e pasqyron atë në çdo mjedis ku ftohet apo nderohet.

Në çelje të ekspozitave të tij personale në Itali, bien në sy Flamuri ynë Kombëtar dhe shoqërimi përherë me tingujt e Himnit Kombëtar shqiptar.

Krijimtaria e këtij artisti manifeston në mënyrën më të padiskutueshme bukurinë dhe vlerat e mëdha të artit dhe të kulturës shqiptare.

Për gjithë kontributin e tij të shquar si në përçimin e vlerave më të mira artistike ashtu edhe për lartësimin e imazhit të Shqipërisë, brenda dhe jashtë vendit, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka kënaqësinë të vlerësojë mozaicistin Agim Nebi me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’.

Faleminderit!”