Presidenti Meta çmon me Titullin “Mjeshtër i Madh” intelektualin dhe ish-deputetin, ish-ministrin e Punës dhe ish-Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Engjëll Dakli

Presidenti Meta çmon me Titullin “Mjeshtër i Madh” intelektualin dhe ish-deputetin, ish-ministrin e Punës dhe ish-Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Engjëll Dakli

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta çmoi me Titullin “Mjeshtër i Madh” intelektualin elbasanas, zyrtarin dhe drejtuesin e lartë të shtetit, Engjëll Dakli (pas vdekjes): “Në vlerësim të kontributeve të spikatura në një sërë projektesh në Kombinatin Metalurgjik dhe Uzinën e Ferrokromit në Elbasan dhe në Burrel. Me mirënjohje ndaj punës së palodhur dhe pasionin për edukimin e brezave të rinj me dashurinë për dijen dhe për vlerat njerëzore. Intelektual, zyrtar dhe drejtues i lartë i shtetit, i cili i shërbeu me korrektësi e largpamësi vendit dhe qytetarëve të Elbasanit.”

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Të nderuar pjesëmarrës, të dashur familjarë të zotit Engjëll Dakli. Privilegj të jemi sot, së bashku, për të nderuar dhe vlerësuar një personalitet të shquar, jo vetëm të qytetit të Elbasanit.

Fatkeqësisht, zoti Engjëll Dakli u nda nga jeta një vit më parë, për shkak të Covid-19, por emri dhe kontributi i tij, në jetën politike dhe publike, si dhe përpjekjet e tij të vazhdueshme, për përmirësimin e qeverisjes vendore, në veçanti në qytetin e Elbasanit do të kujtohen gjithmonë.

Engjëll Dakli ka qenë dhe do të mbetet një model frymëzimi i intelektualit dhe qytetarit fisnik e të përkushtuar për qytetin dhe për vendin e tij.

Engjëlli rridhte nga një familje e nderuar e qytetit të Elbasanit, që ka nxjerrë në vite shtetarë të suksesshëm, një familje mbiemri i së cilës peshonte mbi shpatullat e Engjëllit, që e bënte atë krenar për trashëgiminë që mbarte, por që i rriste dhe përgjegjësinë, modestinë dhe thjeshtësinë.

Në këtë familje me tradita, ai u rrit me ndjenjën e detyrës dhe të shërbimit ndaj njerëzve.

Pas studimeve, iu dedikua me përkushtim punës si inxhinier në Kombinatin Metalurgjik, duke kryer studime e realizuar projekte të shumta , duke u vlerësuar edhe me çmime kombëtare për studimin, projektimin dhe eksperimentimin më të mirë në industri, në vitin 1984.

Engjëlli ishe një intelektual dhe profesionist, që nxiste idetë gjithëpërfshirëse dhe guxonte të ëndërronte gjëra madhore për Shqipërinë tonë të asaj kohe.

Me ndryshimin e sistemit, ai u përfshi në mënyrë aktive në jetën publike dhe politike të vendit.

Dedikimi, vizioni dhe idealizmi i tij bënë që të përzgjidhej si përfaqësues dhe drejtues i institucioneve më të larta të shtetit: në Kuvendin e Shqipërisë për 2 legjislatura dhe në kabinetin qeveritar gjithashtu si Ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale.

Ai njihej gjithmonë si një politikan i moderuar, që në themel të veprimtarisë së tij kishte intelektualizmin dhe respektin ndaj qytetarëve.

Këto karakteristika bënë që Engjëll Dakli të zgjidhej edhe për të drejtuar Bashkinë e Elbasanit.

Ai ishte një Kryetar Bashkie i cili vendosi standarde të larta dhe dha shembullin, se si duhej të drejtohej një institucion kaq i rëndësishëm. Ai punoi me pasion e dashuri për të ardhmen e qytetit të tij.

Një drejtues e veçanërisht një kryetar bashkie mbahet mend për punët që bën për komunitetin. Ai e dinte mirë këtë, prandaj punoi fort dhe ishte nga të parët që ideoi rrugën Elbasan-Tiranë dhe që tërhoqi edhe kompani të huaja për investime në këtë qytet.

Por ai ndërmori edhe një sërë veprimtarish për të gjallëruar jetën kulturore të komunitetit elbasanas si: festimet e Ditës së Verës, Panairi i Ditës së Verës, hapja e kinemasë së qytetit, Festivali Teatror e shumë të tjera.

Ndërkohë, pas përfundimit të detyrës si kryetar bashkie iu rikthye pasionit të tij të parë: mësimdhënies.

Engjëlli ishte një pedagog pasionant, që edukonte studentët me dashurinë për dijen.

Synimi i tij ishte që studentët të formoheshin, jo vetëm si specialistë të aftë, por mbi të gjitha si qytetarë me vlera të larta njerëzore për shoqërinë.

Gjatë gjithë jetës së tij Engjëll Dakli mbeti një njeri ëndërrimtar dhe me dashuri të pakufishme për vendin, një inxhinier i talentuar me kontribut të spikatur dhe një intelektual që iu shmang protagonizmit edhe kur ishte protagonist.

Largimi i parakohshëm i Engjëll Daklit nga jeta, krijoi një mungesë të madhe, jo vetëm për familjen, miqtë e tij, por edhe për shoqërinë.

Pasi ai me modelin që krijoi, njëkohësisht afroi gjatë gjithë jetës dhe karrierës së tij, një mundësi të shkëlqyer për t’u ndjekur nga më të rinjtë.”