Presidenti Meta çmon me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” ish-partizanin dhe ushtarakun e shquar, Selim Shuli

Presidenti Meta çmon me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” ish-partizanin dhe ushtarakun e shquar, Selim Shuli

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta çmoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” ish-partizanin dhe ushtarakun e shquar, Selim Shuli (pas vdekjes), me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Shembull i heroizmit partizan dhe sakrificës për Atdheun me thjeshtësinë e luftëtarit të lindur. Për karrierën e gjatë dhe të suksesshme si ushtarak, në interes të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit”.

Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar familjarëve dhe të pranishmëve në ceremoninë solemne të vlerësimit, Presidenti Meta vuri në dukje:

“Jam i lumtur që ndodhemi sot, së bashku, për të vlerësuar një figurë të shquar të krahinës së Mokrës, ish-partizanin e Luftës Antifashiste dhe ish-ushtarakun, që kreu detyrën me përkushtim e devocion, Selim Shuli.

Selim Shuli lindi në një familje të varfër me tradita patriotike dhe atdhetare, e cila përkrahu pa rezerva Luftën Antifashiste kundër pushtuesve italianë e gjermanë.

Shumë pjesëtarë të familjes Shuli u angazhuan dhe u bënë pjesë e formacioneve partizane.

Duke ndjekur shembullin e babait dhe të afërmve të tjerë, edhe Selimi, u rreshtua në formacionet partizane, fillimisht në çetën ‘Reshit Çollaku’ dhe më pas, në Brigadën XV Sulmuese, ku luftoi deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë.

Nga kjo brigadë ranë në fushën e betejave 54 partizanë e partizane, komandantë e komisarë dhe u plagosën mbi 150 luftëtarë, një prej të cilëve ishte edhe Selim Shuli.

Në këto luftime ai shfaqi cilësitë e mira të një partizani guximtar, me moral të lartë dhe vetëmohues.

Pjesëmarrja në Luftën Antifashiste ishte shkolla e parë për Selim Shulin.

Jetën ushtarake e nisi nga partizan i thjeshtë, për të ngjitur shkallët e karrierës ushtarake, pas çlirimit të vendit, me studimet e kryera në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve.

Gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë dhe në gjithë detyrat që iu ngarkuan, Selim Shuli ishte shembulli i ushtarakut të dedikuar, me ndërgjegje e disiplinë të lartë, i vlerësuar disa herë për punën e tij nga Ministria e Mbrojtes dhe komandat e reparteve.

Selim Shuli punoi me përkushtim në radhët e Forcave të Armatosura, deri sa doli në pension, i rrethuar me dashurinë dhe vlerësimin e miqve, familjarëve dhe shokëve të shumtë.

Por aktiviteti i tij nuk ndaloi. Pas këtij momenti deri në ndarjen e tij nga jeta, Selim Shuli iu përkushtua Organizatës së Veteranëve të Luftës, duke promovuar luftën antifashiste dhe përpjekjet e luftëtarëve të lirisë.

Për kontributin e tij është vlerësuar me titullin ‘Nder i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it’.

Selim Shuli mbetet edhe sot një emër i nderuar, shembulli i heroizmit partizan, i njeriut që me thjeshtësi e modesti, pa u lodhur dhe pa pretendime, bëri çdo sakrificë për Atdheun.

Për kontributin e tij në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, si dhe për karrierën e gjatë dhe të suksesshme si ushtarak, i akordoj Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Flamurit’”.