Presidenti Meta çmon me Dekoratën “Nderi i Kombit” dirigjentin e mirënjohur, Ermir Krantja

Presidenti Meta çmon me Dekoratën “Nderi i Kombit” dirigjentin e mirënjohur, Ermir Krantja

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta çmoi me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” dirigjentin e mirënjohur, Ermir Krantja: “Në vlerësim të kontributit të shquar në interpretimin me nivel të lartë të krijimtarisë mbarëkombëtare dhe asaj ndërkombëtare, duke ngritur lart vlerat e mirëfillta të artit dhe kulturës shqiptare. Me mirënjohje të veçantë për angazhimin e çmuar në zhvillimin e institucioneve muzikore në Shqipëri, si dhe rolin e rëndësishëm në mbështetjen dhe promovimin e kompozitorëve shqiptarë nëpër botë.”

Duke iu drejtuar Maestro Krantjes dhe personaliteteve të muzikës, artit dhe kulturës të pranishëm në ceremoninë solemne të dekorimit, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Është kënaqësi të jem sot me ju për të vlerësuar një emër të njohur të botës së muzikës shqiptare por edhe më gjerë, dirigjentin e shquar, Maestro Ermir Krantja.
Me një numër të madh koncertesh, të dirigjuara brenda dhe jashtë vendit, Maestro Krantja është një ikonë e skenës dhe muzikës shqiptare.

Ai u lind në një familje të njohur artistësh, ku edhe u brumos me dashurinë për artin dhe muzikën.

Emri i familjes, që Ermir Krantja mbarte, ishte me peshë të madhe, si djali i Artistit të Popullit, Mustafa Krantja dirigjenti i parë shqiptarë, themeluesit kryesor i Teatrit të Operës dhe Baletit, Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit, Orkestrës së Akademisë së Arteve dhe themelues i shkollës së dirigjimit shqiptar.

I vetëdijshëm për këtë trashëgimi të rëndësishme, Maestro Ermir Krantja e çoi përpara e në dimensione të reja dirigjimin si profesion, por edhe si drejtues i orkestrës simfonike në Shkodër dhe Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë, duke edukuar e mësuar breza të rinj artistësh në dirigjim, orkestrim dhe muzikologji.

Maestro Krantja ka patur një bashkëpunim të ngushtë me orkestrat në të gjitha trevat shqiptare, si në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, dhe emri i tij njihet në skenat e shumë vendeve të rajonit, Europës, Shtetet e Bashkuara.

Kontributi i tij si dirigjent në Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar dhe si profesor në Akademinë e Arteve, si dhe bashkëpunimi me shumë instrumentistë dhe vokalistë me famë botërore, dhe me orkestra brenda dhe jashtë vendit, janë një pasuri e çmuar, jo vetëm për dirigjimin shqiptar, por edhe për artdashësit në tërësi.

Regjistrimet e tij për RAI dhe Mediaset, dirigjimi i kolonave zanore të filmave për Rai Uno, Rai Duo, Canale 5, etj, dhe rreth 25 kolonave zanore të filmave në Shqipëri, e bëjnë Maestro Ermir Krantja një artist me ndikim shumë dimensional, i cili ka përçuar prej dekadash muzikën e bukur e të kulluar, në zemrat e artdashësve.

Edhe pse aktivitetin e tij, ai tashmë e zhvillon kryesisht jashtë vendit, në vëmendjen e tij ka qenë dhe mbetet gjithmonë krijimtaria muzikore shqiptare.

Apeli i tij ndaj institucioneve, për të treguar më shumë vëmendje ndaj emrave më të mirë të muzikës shqiptare, si brenda dhe jashtë vendit, duhet dëgjuar, në mënyrë që talentet e muzikës tonë të promovohen e të përfshihen në sa më shumë bashkëpunime, pasi ata janë krenaria e vendit dhe një vlerë e çmuar dhe e jashtëzakonshme e shoqërisë sonë.

Muzika është gjuha universale e njerëzimit, – ka thënë poeti i njohur Henry Longfellow.

Maestro Krantja i është përkushtuar një jetë të tërë kësaj gjuhe, që kuptohet nga çdo kombësi dhe që sjell frymëzim e mirëqenie shpirtërore, si për individin ashtu edhe për shoqërinë.

Trashëgimia e punës së tij është një shembull që ndiqet nga dirigjentët e rinj e që do të nxisë edhe brezat e ardhshëm, drejt rrugës së bukur të artit dhe muzikës.

Maestro Krantja, ju uroj suksese dhe krijimtari të re për të ardhmen!”