Presidenti i Republikës së Shqipërisë

WhatsApp Image 2024 05 02 at 07.58.55

Lajme

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, takon SH. T. Imzot Donato Oliverio, Kryepeshkop i Eparkisë së Ungrës

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, takoi sot në selinë e Eparkias së Ungros, SH. T. Imzot Donato Oliverio, Kryepeshkop i kësaj Eparkie, që përmbledh të gjitha kishat arbëreshe në Itali.

Presidenti vlerësoi mikpritjen që iu rezervua nga Kryepeshkopi.

Kreu i Shtetit i shprehu Kryepeshkopit vlerësimin e tij të veçantë për mbajtjen bashkuar të kishave arbëreshe në Itali si udhëheqës shpirtëror dhe përbashkues i të gjithë arbëreshëve.

WhatsApp Image 2024 05 02 at 07.58.57

Duke marrë shkas nga një vlerësim i fundit i Papa Françeskut mbi modelin shqiptar të harmonisë fetare, Presidenti u shpreh krenar për këtë virtyt të shqiptarëve, jo vetëm të atyre që jetojnë në Shqipëri, por edhe për modelin e jashtëzakonshëm të arbëreshëve në Itali, që respektojnë besimet e ndryshme, por vijojnë të ruajnë ritin e tyre fetar.

“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin tim e të popullit shqiptar për rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur Eparkia e Ungros në mbrojtjen e vlerave tona identitare, atyre shpirtërore dhe gjuhësore e kulturore. 

Gjithashtu, kishat dhe manastiret kanë qenë vatra të kulturës, të themelimit të Rilindjes Kombëtare e të ngjizjes së vetëdijes sonë kombëtare.

Në ditët e sotme, roli i institucioneve të besimit është edhe më i madh. Sot, institucionet e besimit nuk janë vetëm ruajtëse dhe promovuese të dijes, kulturës dhe edukimit, por edhe institucione që kanë një peshë të pazëvendësueshme në përballimin e sfidave të mëdha të modernitetit, fenomeneve të dëmtimit të komuniteteve, familjes dhe vlerave themelore njerëzore”, – u shpreh Presidenti Begaj.