11/03/2024• Intervistat• Bianka Hada
Gazetari – Zoti President, sapo keni përfunduar vizitën në Shtabin e NATO-s, ku keni pasur një takim me Komandantin e Forcave Aleate, zotin Cavoli.
Ka një mesazh që mund ta ndani me publikun nga ky takim që keni pasur dhe nga gjithë kjo vizitë juaja?
Presidenti Begaj – Përshëndetje, Alban!
Kënaqësi!
Sapo mbarova takimin me Gjeneral Cavolin, mikun e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, Komandantin e Komandës Strategjike të NATO-s, Komandës Operacionale.
Takimi ishte mjaft i frytshëm. Biseda ishte shumë e plotë, në lidhje me sigurinë në tërësi, çështje të sigurisë rajonale në veçanti, për rolin e Shqipërisë si vend anëtar në NATO, kontributin e Shqipërisë si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Po kështu, e falënderova Gjeneral Cavolin për të gjithë ndihmën që Aleanca i ka dhënë Shqipërisë, edhe së fundi me ceremoninë e inaugurimit të Bazës Ajrore Taktike të Kuçovës. Patjetër që folëm edhe për çështje të tjera me interes të përbashkët.
Gazetari – Ndërkohë, jemi në kontekstin ku situata botërore nuk është më e mira e mundshme. Madje, ka sinjale dhe paralajmërime që flasin, le të themi, për një situatë që mund të përshkallëzohet, duke u bërë edhe më e rrezikshme.
Cili është roli i Shqipërisë në kuadër të NATO-s edhe në këtë kontekst?
Presidenti Begaj – Kjo çështje u diskutua me Gjeneral Cavolin.
Siç e përmendët edhe ju, situata e sigurisë globale është e paqëndrueshme. Sfida dhe kërcënime të shumëllojshme po destabilizojnë rendin botëror. Realisht, ne duhet të jemi të përgatitur.
Të qenurit vend anëtar në NATO na jep mundësinë që, bashkë me aleatët e tjerë, të diskutojmë skenarët e mundshëm të këtyre krizave dhe përballimin e tyre. Natyrisht, përballimi i sfidave dhe kërcënimeve nuk mund të bëhet i vetëm, duhet të jemi të gjithë të bashkuar, siç jemi në Aleancë.
Shqipëria ka një kontribut të jashtëzakonshëm në Aleancë dhe patjetër që, si vend anëtar i NATO-s, bën vlerësimin e risqeve dhe kërcënimeve të situatave globale dhe në vend. Për këtë qëllim miratohen edhe dokumentet strategjike të vendit, siç është Strategjia e Sigurisë Kombëtare, që u miratua para 1 muaji në parlament. Në bazë të saj bëhen skenarë që duhet të përballohen nga shteti shqiptar dhe institucionet përgjegjëse marrin masa për t’i realizuar. Patjetër që kontributi i Shqipërisë në NATO është i vlerësuar.
Gjithashtu, kemi diskutuar edhe për pjesëmarrjen dhe rritjen e kontributit të Shqipërisë në misione të ndryshme, dhe veçanërisht në Kosovë me KFOR-in. Një gjë e rëndësishme, që u përmend dhe u lavdërua nga partnerët dhe Gjeneral Cavoli, ishte mesazhi që çdo vend tjetër duhet të bëjë atë që ka bërë Shqipëria këtë vit: realizimin e buxhetit prej 2%-ësh të Produktit të Brendshëm Bruto për Forcat e Armatosura. Kështu, do të japim mundësi të investohet në modernizimin e Forcave tona të Armatosura dhe në rritjen e kapaciteteve mbrojtëse. Duke u rritur kapacitetet mbrojtëse kombëtare, do të kemi mundësi të kontribuojmë edhe më shumë në Aleancë.
Gazetari – Është i mjaftueshëm buxheti prej 2%-ësh për një vend si Shqipëria, ku ka mungesa, le të themi? Ju vetë më parë keni qenë Shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe e njihni mirë gjendjen e ushtrisë shqiptare, të armatimit, të të gjitha pajisjeve që duhet të ketë një ushtri për të qenë e aftë, për të qenë moderne dhe për të përballuar kriza, brenda rajonit, apo edhe më gjerë? Është i mjaftueshëm 2%-shi?
Presidenti Begaj – Nga pikëpamja financiare, 2%, apo pak më shumë, asnjëherë nuk janë mjaftueshëm për të përballuar të gjitha nevojat. Themi se është sukses 2%-shi i Prodhimit të Brendshëm Bruto i caktuar për buxhetin e mbrojtjes, pasi është realizim i objektivit të ndërmarrë në Wells, sipas së cilit, çdo vend i NATO-s duhet të shpenzojë për mbrojtjen 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe 20% të kësaj vlere duhet ta shpenzojë për modernizimin e Forcave të Armatosura. Për këtë arsye, mendoj se arritja e këtij objektivi, siç është e parashikuar në Samitin e Wells-it, është sukses. Besoj se në vitet në vijim buxheti do të rritet më tepër dhe do të bëhet objekt i realizimit të kërkesave apo nevojave të Forcave të Armatosura, të cilat kanë nevojë për më shumë projekte të modernizimit, të rritjes së fuqisë mbrojtëse apo për vlerësimin e personelit ushtarak të Forcave të Armatosura.
Gazetari – Po këmbëngul te roli ynë në këtë koncert të madh siç janë vendet aleate. Ne jemi një vend i vogël, gjithsesi, pa peshë numerike. Pra, pa ndonjë ushtri të madhe, por edhe pa ndonjë fuqi të madhe ushtarake.
Nga ana tjetër, kjo duket sikur udhëton një mizë në kurrizin e një elefanti, në një lloj kuptimi.
Cila është pesha specifike e Shqipërisë në këtë situatë të krizës? Në fakt, ne sigurinë tonë e kemi të varur te siguria që na vjen prej NATO-s, aleatëve tanë të mëdhenj, siç janë SHBA-të. Jo vetëm ne, por edhe Kosova, gjithashtu.
Presidenti Begaj – Në fakt, do t’ju bëj një korrigjim, nuk jam dakord me komentin tuaj.
Ne jemi vend i vogël, por ju siguroj se pavarësisht kësaj, pesha dhe kontributi i Shqipërisë është jashtëzakonisht i vlerësuar dhe i madh në Aleancë. Forcat tona të Armatosura janë prezente në të gjitha misionet e NATO-s. Jemi vlerësuar në Konferencën e Gjenerimit të Forcës për faktin që Shqipëria do ta shtojë sërish kontributin e saj, dhe kjo tregon se Shqipëria, pavarësisht se është e vogël, ka vlerësimin maksimal të aleatëve. Patjetër që mbrojtja e vendit, siç e thatë ju, ka mbështetjen e Aleancës dhe të aleatit tonë strategjik, SHBA-së, por unë ju siguroj se mbrojtja e vendit, përveç se duhet të bazohet te neni 5 i Aleancës, duhet të përmbushë edhe nenin 3, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse në vend. Ne po punojmë më shumë që Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura ta përmbushin këtë detyrim kushtetues për mbrojtjen e vendit.
Gazetari – Ju përmendët pak më parë bazën operacionale ajrore të Kuçovës, që u inaugurua javën e kaluar, një ngjarje shumë e rëndësishme, e vlerësuar natyrisht edhe nga aleatët tanë. Prej kohësh është hedhur një ide nga Kryeministri dhe nga ju për bazën e Porto Romanos. A diskutuat me Gjeneral Cavolin mbi portin e Porto Romanos, për t’u vënë në funksion të NATO-s? A ka ecur përpara kjo ide dhe çfarë duhet të ndodhë?
Presidenti Begaj – Patjetër që edhe kjo temë pati vendin e saj në diskutimin tonë. U vlerësua shumë ceremonia hapëse e Bazës Ajrore Taktike të Kuçovës, e cila, për Shqipërinë dhe Forcat e Armatosura, është një investim strategjik, ndërsa për NATO-n është një forcim i kapaciteteve në atë rajon. NATO është një organizatë ushtarake, politiko-ushtarake, që forcën nuk e ka vetëm tek ushtria, e ka edhe te politika dhe diplomacia. Duke qenë në atë rajon, NATO dha një mesazh të fortë, që si një organizatë mbrojtëse nuk ka asnjëherë qëllim tjetër. Nëpërmjet mbrojtjes, ajo mbron vlerat demokratike të asaj që përfaqëson.
Natyrisht, u diskutua edhe për objektivin tjetër madhor që ka Shqipëria për vënien e baze detare në dispozicion të Aleancës dhe Porto Romano është vlerësuar nga Komanda Operacionale e Napolit, është në planet e NATO-s për t’u përcaktuar dhe dezignuar si një bazë navale suportive për Aleancën.
Gazetari – Pra, nuk është vetëm një dëshirë jona…
Presidenti Begaj – Nuk është një dëshirë, por është futur në planet konceptuale të NATO-s për të marrë miratimin politik të saj, sepse kuptohet, vlerësohet nga pikëpamja e strategjisë ushtarake dhe më pas merret miratimi politik për t’u dezignuar si një bazë detare e NATO-s.
Gazetari – Shumë njerëz, madje një koment i fundit nga baza e Kuçovës ishte që, gazetarët të huaj që erdhën në Shqipëri, u habitën me një popull që është i gjithi entuziast për bazat amerikane apo bazat e NATO-s që vijnë në vendin tonë, ndërkohë që në vende të tjera ka pasur edhe protesta kur ka pasur baza. Domethënë, ka gjithmonë diferenca në publik midis qëndrimit ndaj këtyre çështjeve, aq më tepër kur ka përplasje midis pacifistëve të ndryshëm dhe njerëzve që e shikojnë NATO-n si një ombrellë sigurie për të gjithë hemisferën tonë.
Pa u zgjatur te kjo, cili është përfitimi konkret i Shqipërisë, jo vetëm ushtarak, sepse kjo është pjesa më e qartë, por i krijimit të një baze, siç është ajo e Porto Romanos? Domethënë, vënia në funksion si bazë për NATO-n.
Presidenti Begaj – Unë e përmenda pak më parë që inaugurimi i Bazës Ajrore Taktike të Kuçovës është një investim jo vetëm ushtarak, përfitues për Forcat e Armatosura, por edhe një investim me rëndësi strategjike për Shqipërinë në rajon. Patjetër, duke pasur në Shqipëri një bazë ajrore taktike apo një bazë detar në funksion dhe në shërbim të Aleancës, ka një siguri më të madhe për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Turistët e ardhur në Shqipëri vitin e kaluar, një shifër të konsiderueshme prej 10 milionë vetash, besoj se do të vijnë më shumë duke e ditur që në këtë vend siguria është e qëndrueshme.
Gazetari – Nga ana tjetër, krijon oportunitete ekonomike porti në Durrës, Porto Romano, i cili, siç edhe u fol, shoqërohet me Korridorin e 8-të dhe me …
Presidenti Begaj – Patjetër, nga pikëpamja gjeostrategjike, pozicioni i Shqipërisë u vlerësua edhe gjatë stërvitjes Defender Europe 21. Distanca për të arritur nga Porti i Durrësit dhe për të aksesuar Detin e Zi është e lidhur me investimin strategjik të Korridorit 8-të. Kjo bëhet e mundur ndërmjet një investimi të qëndrueshëm dhe i jep rëndësi gjeostrategjike të gjithë rajonit, jo vetëm ne, por edhe Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë, për të përfunduar deri …..
Gazetari – Shqipëria përfiton akoma më mirë.
Presidenti Begaj – Shqipëria është një hap për të gjithë rajonin.
Gazetari – Në fakt, shikojmë, është komentuar dhe nga vëzhguesit kohët e fundit, që Shqipëria ka bërë lëvizje cilësore, le të themi, për sa i përket ekspozimit të saj si një vend që fillon dhe merr një peshë specifike për të gjithë rajonin. Kujtoj këtu disa samite të organizuar radhazi në Tiranë, ku i fundit ishte pritja e zotit Zelensky, Samiti për Ukrainën dhe Europën Juglindore, dhe të nesërmen Samiti i Ballkanit Perëndimor.
Më parë ka pasur samite të tjera, si: vizita e Blinkenit, Sekretarit Amerikan të Shtetit, gjithashtu, në Tiranë. Duket sikur ka një dinamikë tjetër në politikën e jashtme, një dinamikë që po e ndryshon këtë politikë në mënyrë cilësore për sa i përket imazhit të Shqipërisë dhe pozicionimit të saj në rajon si një vend tashmë me një peshë specifike.
Presidenti Begaj – Të gjitha ngjarjet që ju përmendët janë një sukses i politikës së jashtme të Shqipërisë. Po ju kujtoj se në tetor të vitit të kaluar u organizua për herë të parë Samiti i BE-së dhe i Ballkanit Perëndimor jashtë Bashkimit Evropian. Kuptohet, kishte një lloj skepticizmi për sigurinë dhe performancën që do të sigurohej apo jo kryerjes me sukses e këtij samiti dhe samiteve të tjera që sapo përmendët, e shoqëruar edhe me vizitat e kryetarëve të shteteve apo të Sekretarit të Shtetit së fundi.
Kjo tregon se diplomacia shqiptare, politika e jashtme shqiptare, ka qenë shumë aktive dhe ka bërë të mundur të rrisë prestigjin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Kuptohet, ka qenë disa detyra edhe të më përparshme të diplomacisë shqiptare, të cilat kanë qenë lidhur me realizimin me sukses të kryesimit në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në mandatin e saj. Po kështu, edhe në mandatin tonë gjatë Këshillit të Sigurimit prej 2 vitesh, që përfundoi në janarin e vitit 2024. Këto mandate i dhanë peshë specifike diplomatike Shqipërisë dhe e ngritën shumë lart emrin e saj.
Gazetari – Kemi pasur diplomaci të turizmit. Tani duket sikur kemi një diplomaci të samiteve, sepse është një lloj forme për të thirrur sa më shumë lider botërorë me peshë ndërkombëtare në vendin tonë.
Cili do të ishte samiti i radhës që e ngre në një tjetër cilësi Shqipërinë?
Presidenti Begaj – Kryeministri e deklaroi, e dëgjova në takimin që patëm, ofertën bujare të Shqipërisë për të organizuar samitin e NATO-s në vitin 2027. Shpresoj shumë që të gjitha vendet anëtare të NATO-s, sepse tani janë bërë 32, të ngrenë dorën dhe të pranojnë të bëhet Shqipëria dhe Tirana organizues i këtij samiti të rëndësishëm.
Gazetari – Nga kjo, në fakt, do të vinin të tjera figura botërore që do të ishin pjesë e këtij samiti, dhe aq më tepër që tani është thyer koncepti: mund t’i organizojmë apo jo në Tiranë këto samite, e kemi sigurinë apo jo në Shqipëri.
Duket që jemi stabël në politikën e jashtme dhe, flas gjithmonë në raport me rajonin, herë pas herë kemi filluar të veçohemi nga pjesa tjetër e rajonit.
Ndërkohë, Prishtina, për shkak të kontekstit politik që ekziston atje, është në një pozicion jo fort komod me aleatët. Ka një këshillë? Si e shikoni këtë? Apo nuk e shikoni si ndarje?
Presidenti Begaj – Kur them se Shqipëria ka organizuar evente, samite, merr vendimin për të organizuar Samitin e NATO-s në 2027, bie ndesh me atë çfarë thatë ju, që Shqipëria është e vogël dhe kontributi i Shqipërisë është i vogël. Jo. Shqipëria është e vogël, por kontributi i Shqipërisë në politikën e jashtme është shumë i madh dhe sidomos në rajon. Në rajon, Shqipëria dhe faktori shqiptar, është një faktor kontribuues për paqen, stabilitetin, zhvillimin e qëndrueshëm. Kosova është një pjesë e jona. Jemi dy shtete, një komb. Natyrisht, është interesi më madhor i Shqipërisë, është një detyrim kushtetues të interesohemi për Kosovën. Kosova tashmë është një realitet që nuk mund të kthehet dot pas. Integriteti dhe sovraniteti i Kosovës është i padiskutueshëm.
Fat i madh që në Kosovë kemi edhe FKOR-in, i cili është një tjetër histori suksesi i Aleancës, garanton sigurinë, mbrojtjen e Kosovës, kufirin e Kosovës. Por, çdo vendim që Kosova duhet të marrë, çdo vendimmarrje e rëndësishme për të zbatuar detyrimet që i takojnë si shtet, do të ishte mirë të bëhej me këshillimin, me marrjen e pëlqimit, të dëgjonin më shumë këshillat e marra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partneri kryesor, dhe Bashkimi Evropian.
Gazetari – Jemi stabël dhe na shikojnë si një vend stabël për sa i përket orientimit tonë. Madje, jo vetëm ne, por ju e thatë pak më parë, e gjithë hapësira shqiptare, në orientimin tonë pro-atlantik, pro-perëndimor, jemi në një stabilitet të plotë dhe na shikojnë si të tillë. Duke parë turbulencat që kanë vendet e tjera, ndarjet që ka opinioni publik në vende të tjera, si: Serbia, Mali i Zi, pse jo edhe pjesa lindore e Maqedonisë së Veriut.
Kjo, natyrisht, na bën nder. Por, kur vjen puna në politikën e brendshme, duket që turbulenca nuk janë të rralla dhe të lehta. Ka turbulenca të forta dhe këto i shikojmë në Parlamentin e Shqipërisë, që duket sikur ka dalë jashtë funksionit prej një kohe të gjatë për shkak të opozitës, një pjese të opozitës, e cila është në atë që ajo e quan “aksion i mosbindjes civile”. Madje, kjo mosbindje ishte aq civile, sa që ju detyroi dhe juve të mos e mbanit fjalimin në hapjen e sesionit të ri parlamentar të janarit. Keni një koment në lidhje me këtë situatë?
Presidenti Begaj – Fryma dhe orientime euroatlantik i shqiptarëve është i pandryshueshëm. Pikërisht kjo gjë që na faktorizon jo vetëm në rajon, por edhe ndërkombëtarisht. Për këtë kemi vlerësimin maksimal si vend për të qenë një faktor kontribuues jo vetëm në rajon, por edhe më shumë. Politika e jashtme po bën shumë mirë. E përmendëm dhe shikohet.
Në politikën e brendshme, në fakt, ju e thatë që unë nuk e mbajta fjalën në Parlament
Gazetari – Ju e mbajtët fjalën në Presidencë.
Presidenti Begaj – Unë e mbajta fjalën që duhet të mbaja.
Presidenti i është drejtuar parlamentit në çdo fillim sesioni parlamentar e në çdo mesazh të Presidentit do të lexoni se forcat politike në vend duhet të kontribuojnë me ide, programe, me debate, të prodhojnë ligje në të mirë të qytetarëve. Reformat bëhen për të pasur interes qytetarët. Presidenti nuk ndërhyn te agjendat politike të asnjërës parti. Nuk ndërhyn, gjithashtu, as tek aksioni politik që ato ndërmarrin. Por, për një gjë është e sigurt, që Presidenti i drejtohet me mesazh, duke shprehur se duhet të mendojnë më shumë për interesin kombëtar, se sa për interesin personal politik.
Gazetari – Zoti President, më lejoni të bëj një histori të shkurtër të perceptimit të Presidentëve në vendin tonë, paraardhësit tuaj.
Kujtoj se pas vitit ’97, Presidenti Meidani ka pasur momentet e tij të konfliktit me Kryeministrin Nano, megjithëse ishin nga e njëjta parti.
Presidenti konsensual Moisiu, pas periudhës së “muajit të mjaltit” që pati me të dy krahët politikë, erdhi një moment kur krijoi artritet e veta me zotin Berisha, i cili u rikthye në 2005 si Kryeministër.
Më tej, zoti Bamir Topi pati momentet e veta të përplasjeve, sidomos me maxhorancën. Zoti Bujar Nishani, gjithashtu, me Kryeministrin Rama pas periudhës së parë kur Kryeministër kishte zotin Berisha, për të ardhur pastaj te zoti Ilir Meta, i cili pati një përplasje pothuajse të hapur me maxhorancën dhe, në një farë kuptimi, në mbrojte të aksionit opozitar në atë periudhë.
Juve, deri tani, nuk ju kemi parë, jeni shmangur. Megjithëse ju kanë thirrur në betejë, i jeni shmangur betejave me krahët politike. E keni brenda juaj frikën që ndoshta kjo shmangie mund t’ju perceptojë qoftë te publiku, qoftë te politika, si një President të dobët?
Presidenti Begaj – Perceptimi nga ana politike nuk më shqetëson. Me shqetëson nëse Presidenti i Republikës është në lartësinë e detyrës që përfaqëson, apo jo. A e zbaton Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë? Kjo më shqetëson më shumë.
Praktikisht, mendoj se në funksionin që jam, Presidenti i Republikës nuk mund të bëhet pjesë e politikës së ditës. Presidenti duhet të rrijë në pozicionin e tij kushtetues, që është pozicioni neutral, që i lë partitë politike të debatojnë, të bëjnë punën e tyre dhe, në momentin që do të kërkohet nga Institucioni i Presidentit dhe nga Presidenti për t’u marrë në konsideratë një çështje e caktuar, patjetër që do të përfshihet.
Gazetari – Dua të këmbëngul pak te kjo.
Janë dy elemente në këtë moment që ekziston kjo përplasje mes maxhorancës dhe opozitës, kur parlamenti nuk është në funksionin e tij normal.
A ka rol Presidenti për të luajtur, qoftë edhe për t’i thirrur palët në bisedë për ta sheshuar sherrin? Në këtë kuptim, kjo është e para.
E dyta, ju përmendni herë pa herë së nuk keni kthyer mbrapsht asnjë dekret. Ka ndonjë dekret që është në radhë dhe që pritet të kthehet mbrapsht?
Presidenti Begaj – Nuk është e vërtetë që unë nuk kam kthyer ligje mbrapsht. Nuk është e vërtetë që Presidenti ka kthyer mbrapsht vetëm ligjin e dekoratave, se cenohet interesi i tij kushtetues. Presidenti ka kthyer mbrapsht edhe ligje të tjera, ka lënë në heshtje edhe ligje të tjera, por natyrisht, kthimi mbrapsht i një ligji nuk është i bazuar te një tekë personale individuale, është i bazuar te Kushtetuta.
Nëse një ligj i caktuar ka cenim të Kushtetutës, patjetër që kthehet mbrapsht. Presidenti nuk niset nga emocionet, niset nga ajo çfarë përfaqëson. Patjetër që mund të thonë, edhe mund të kërkojnë më shumë debat nga ana e Presidentit.
Unë mendoj se Kushtetuta i ka dhënë disa kufizime Presidentit, për të cilat nuk mund të dalë jashtë tyre dhe nuk mund të përfshihet në një debat politik ideologjik që kanë partitë politike me njëra-tjetrën, ndërsa me mesazhe publike, jo më larg se sa data 15 janar, Presidenti kërkoi nga forcat politike një parlament funksional, një llogaridhënie, transparencë për ligjet që miratohen. I mëshoj fort mesazhit që opozita është e nevojshme për vendin, është e domosdoshme.
Gazatari – Ka një debat tjetër në Shqipëri sot në lidhje me organet e reja të drejtësisë, dhe sidomos me SPAK-un.
E para, duhet thënë se ka një entuziazëm publik. Kjo, në fakt, duket nga sondazhet në lidhje me punën që është duke bërë SPAK-u, por kemi sulme politike. Në këtë rast, po ta shikojmë me vëmendje, ka sulme politike të shprehura qartazi nga lideri i asaj pjese të opozitës që ne e quajmë Partia Demokratike, Rithemelimi, zoti Berisha, që janë sulme të ashpra, duke quajtur SPAK-un edhe organizatë kriminale, por ka edhe sulme nga ana e Kryeministrit, natyrisht më në studim, më të zbutura. E fundit ka qenë një intervistë që ka dhënë për News Bomb, i cili flet për tejkalime, të themi, të veprimeve nga ana e prokurorëve dhe oficerëve të BKH-së.
Doja mendimin tuaj në lidhje me punën e deritanishme të SPAKU-t.
Presidenti Begaj – SPAKU dhe BKH-ja, bashkë me institucionet e reja të drejtësisë, janë miratuar dhe funksionojnë në bazë të një reforme të drejtësisë, e cila u miratua në parlamentin shqiptar me numrin maksimal prej 140 votash. Implementimi i kësaj reforme deri sot ka gjetur mbështetjen maksimale të ndërkombëtarëve. Pra, SPAK-u, BKH-ja dhe institucione të tjera të drejtësisë kanë pasur jo vetëm mbështetjen politike të ndërkombëtarëve, por edhe mbështetjen financiare. Fatmirësisht, në të gjitha sondazhet publike e shikojmë që SPAK-u dhe BKH-ja kanë një mbështetje të gjerë popullore dhe më së fundi njerëzit besojnë se organet e drejtësisë po punojnë për të dhënë drejtësi.
Patjetër që unë mendoj dhe besoj fort që këto organe do ta vazhdojnë që këtë besim të ndërkombëtarëve dhe të opinionit publik ta çojnë deri në fund. Për mua SPAK-u dhe BKH-ja kanë mbështetjen maksimale. Është një institucion i pavarur, të vazhdojë të bëjë detyrën e vetë.
Gazetari – Ju thatë se kanë mbështetjen maksimale të ndërkombëtarëve.
Presidenti Begaj – Dhe timen.
Gazetari – Patjetër, tuajën. Unë po i rendisja.
Kanë mbështetjen maksimale të ndërkombëtarëve, kanë një entuziazëm dhe mbështetjen e publikut në Shqipëri. Maxhoranca, gjithashtu, ka deklaruar: Ne e mbështesim SPAK-un. Një pjesë e opozitës në mënyrë të qartë kanë deklaruar se e mbështesin SPAK-un deri në fund. Ju thoni se e mbështesim SPAK-un dhe organet e drejtësisë pa rezerva.
Problemi është se e gjithë kjo mbështetje mund t’ju krijojë iluzionin njerëzve që janë atje, se janë të paprekshëm dhe është tabu t’i kritikosh, dhe nesër pasnesër, (ky është një opinion që qarkullon), le të themi një dyshim që qarkullon, mund të gjendemi në situatën e një “republike të prokurorëve”.
Presidenti Begaj – Mendoj se këto institucione nuk janë jashtë kontrollit. Vlerësimi i performancës së SPAK-ut, Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bëhet nga institucionet të drejtësisë, të cilat janë të ngritura, dhe nuk ka vend për të pasur këtë lloj dyshimi. Vlerësimi i performancës së gjithsecilit do të bëhet. Patjetër që kush nuk plotëson kriteret, apo është nënvlerësuar, do të largohet. Por unë nuk mendoj se duhet të ketë frikë për këtë gjë.
Gazetari – Zoti President, kthehemi edhe një herë te vizita juaj këtu dhe kjo është pyetja e fundit, për ta mbyllur.
Do të keni pas pak një takim me personelin shqiptar në kuartierin e NATO-s.
Cili është mesazhi për ta?
Presidenti Begaj – Do të më quajnë sikur anoj pak nga profesioni i mëparshëm i të qenurit ushtarak, sepse çdo vizitë timen jashtë vendit e lidh patjetër me takimin e trupave apo përfaqësuesit tanë në misione.
Është kënaqësi dhe nder t’i takosh këta njerëz, të cilët përfaqësojnë Shqipërinë në këto institucione kaq të larta ushtarake dhe civile. Patjetër që takimi me ta është privilegj, për t’i falënderuar dhe për të qenë mirënjohës për punën që bëjnë. Të qenurit ushtarak, përveçse si një profesion si gjithë punët e tjera, për të marrë një të ardhur mujore për të mbajtur familjen, nga ana tjetër unë e shikoj si një mision, si një krenari kombëtare, që përfaqëson atdheun, mbron interesat dhe ngre lart emrin e Shqipërisë.
Gazetari – Zoti President, unë ju falënderoj që ishit në këtë intervistë për Radio-Televizionin Publik Shqiptar dhe për emisionin “3D!
Presidenti Begaj – Faleminderit juve, Alban, për mundësinë!
Kënaqësi!