Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 6623

Lajme

Presidenti i Republikës Sh. T. Z Bajram Begaj jep pritjen zyrtare në nder të 111- vjetorit të Pavarësisë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sh.T.Z Bajram Begaj organizoi sot në Pallatin e Brigadave pritjen solemne për festën e pavarësisë. 

Në këtë ceremoni morën pjesë drejtues të shtetit, qeverisë qendrore dhe asaj vendore,  përfaqësues të institucioneve e politikanë, të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut. Ceremonisë festive iu bashkuan personalitete të jetës publike e artistike, trashëgimtarë të firmëtarëve të Pavarësisë, klerikë e diplomatë ndërkombëtarë në Tiranë.

IMG 6624

Gjatë fjalës së tij Presidenti Begaj vlerësoi kontributin e atdhetarëve, progresin e arritur nga Shqipëria dhe bëri thirrje për unitet e bashkëpunim të institucioneve dhe shqiptarëve brenda e jashte vendit për rritjen  e mirëqenies dhe ruajtjen  e vlerave e parimeve mbi të cilat është ndërtuar ky komb.

IMG 6625

“Këtë nëntor të shekullit të dytë të pavarësisë së shtetit shqiptar, kur shumë është arritur falë përpjekjes së paepur të shqiptarëve brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë, ne duhet të jemi pafund krenar për vendin tonë, këtë shtëpi të përbashkët, të Zotit dhe mikut”.

Presidenti i Shqipërisë risolli në vëmendje të bashkëkombasve, simbolikën e 28 Nëntorit ndër shekuj, heronjtë dhe patriotët që bënë historinë me ruajtjen e kombit; Gjergj Kastriotin, Ismail Qemalin e Adem Jasharin duke u shprehur se kjo është “dita e kujtesës dhe nderimit për të shkuarën dhe e frymëzimit për të ardhmen”.

“Sot është dita që të kujtojmë me përulësi dhe mirënjohje sakrificën e jashtëzakonshme të shkruar me gjak të patriotëve shqiptarë, të qindra e mijëra shqiptarëve nga Vlora e Prishtina, nga Ulqini dhe Tetova, nga Shkodra dhe Çamëria, që ndezën flakën, përzunë errësirën e robërisë dhe shpallën Pavarësinë”- u shpreh Presidenti.

 

IMG 6626

Në sfondin e ngjarjeve të fundit në rajon dhe në botë, Presidenti i Shqipërisë u shpreh se vendi ynë ka përgjegjësi për konsolidimin e stabilitetit demokratik, prosperitetit ekonomik, të sigurisë dhe të paqes.

“Zhvillimet më të fundit në arenën ndërkombëtare kanë provuar se paqja nuk është asnjëherë e sigurtë dhe mirëqënia asnjëherë e mjaftueshme”.

Presidenti Begaj apeloi për bashkëpunimin te sinqertë me Kosovën.

IMG 6627

“Bashkëpunimi me Kosovën në pozita të barabarta, si dy shtete të një kombi, duhet të jetë sa më i ngushtë, simetrik dhe përplotësues. Kemi shumë ç’të mësojmë nga njëri-tjetri. Kemi edhe më shumë për të bërë që, të ngrihemi në nivelin e pritshmërive të qytetarëve tanë”.

Kreu i shtetit vlerësoi progresin e reformave që afrojnë Shqipërinë në BE sidomos në sistemin e drejtësisë duke u shprehur se edhe Unioni Evropian do të konkretizojë përshpejtimin e anëtarësimit të të gjithë bllokut të Ballkanit Perëndimor. 

IMG 6628

Gjatë fjalës në Ditën e Pavarësisë, Presidenti beri thirrje për angazhim në përmirësimin e parametrave ekonomike të vendit, të sektorëve jetikë, ndërsa një mesazh të posaçëm u drejtoi u drejtoi ligjvënësve shqiptarë.

 “Bëj thirrje për përfaqësuesit e shqiptarëve në Kuvend, që kokëulur të punoni për një Shqipëri që sundohet nga ligji, që ka prioritet të mirën e të gjithëve, ku të gjithë të punojnë e jetojnë me nder e dinjitet.

IMG 6629

Në jetën tuaj parlamentare, të udhëhiqeni nga interesi kombëtar mbi dallimet ideologjike, nga kompromisi dhe jo nga konfrontimi, nga respekti dhe jo nga mllefi, dhe mbi të gjitha, nga përgjegjësia për të ardhmen dhe nga dashuria për vendin”.

Presidenti i Republikës u shpreh se gjithësecili duhet të ngrihet në lartësinë që kërkon koha e të punojë për ndërtimin e një shoqërie të drejtë. 

IMG 6630

“Shqipëria jonë-u shpreh Presidenti i Republikës – me pasurinë e natyrës dhe dashamirësinë e njerëzve të saj, këtu ka qënë shekuj më parë, do të jetë këtu shekujt e ardhshëm, do të jetë këtu përgjithmonë.

Zoti bekoftë Flamurin tonë, Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!” 

IMG 6631