Presidenti i Republikës së Shqipërisë

1.3

Lajme

Presidenti Begaj vizitë zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, me ftesë të homologut të tij, Sh. T. Z. Frank-Walter Steinmeier.

Të dy presidentët patën fillimisht një takim kokë më kokë.

1.2

Bashkëpunimi dypalësh, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, zhvillimet në rajon, zbatimi i agjendës së Procesit të Berlinit në Ballkanin Perëndimor, si dhe çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes ishin në fokus të bisedës mes Presidentit Begaj dhe Presidentit Steinmeier.

Presidenti i Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, falënderoi homologun e tij gjerman për pritjen e rezervuar si një mundësi për vazhdimin e  diskutimit të nisur gjatë vizitës së Presidentit Steinmeier në Tiranë në dhjetor 2022, si edhe për çështje për të cilat është arritur mbështetje dhe mirëkuptim.

Ky takim, sipas Presidentit Begaj, është tregues i bashkëpunimit të shkëlqyer politik midis dy vendeve, si dhe i vëmendjes së vazhdueshme të Gjermanisë mike ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

1.1

Presidenti Begaj i përcolli Presidentit Steinmeier falënderime për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve dhe partneritetit mes dy vendeve aleate në NATO dhe që ndajnë vlera të përbashkëta evropiane.

“Për këtë kontribuojnë edhe shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Gjermani, apo bizneset gjermane që janë prezente në Shqipëri”, – u shpreh Presidenti Begaj.

Gjatë këtij takimi, Kreu i Shtetit mori mbështetjen dhe garancinë e plotë që Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe me këtë rast i shprehu Presidentit Steinmeier vlerësimin e sinqertë për mbështetjen e zëshme politike dhe publike, si dhe asistencën e ndihmën e ofruar në këtë drejtim.

1.4

Për sa i përket zhvillimeve në rajon, Presidenti Begaj u shpreh se roli dhe angazhimi i Gjermanisë mbetet i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm, në mënyrë që sfidat, me të cilat po përballet Ballkani Perëndimor, të mos ndikojnë apo komprometojnë të ardhmen Euroatlantike.

Në këtë kontekst, me luftën në Ukrainë dhe ndikimin e aktorëve të tretë, Presidenti Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, vlerësoi se duhet bashkëpunim i ngushtë rajonal, ku e ardhmja evropiane do të jetë udhërrëfyese për të ardhmen e përbashkët në paqe, siguri dhe prosperitet.

1.5

Procesi i Berlinit, sipas Presidentit Begaj, mbetet një mekanizëm inovativ dhe i patjetërsueshëm për forcimin e këtij bashkëpunimi, integrimin ekonomik të rajonit dhe, gjithashtu, integrimin me tregun e vetëm evropian, si dhe një shtysë e fuqishme për procesin e integrimit në BE.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, i rikonfirmoi Presidentit gjerman përkushtimin e plotë e të vazhdueshëm të Shqipërisë për këtë iniciativë.