Presidenti i Republikës së Shqipërisë

322963326 871245770814492 903649878358075474 n

Lajme

Presidenti Begaj vendos kurorë në Memorialin “Skënderbe”

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, vendosi sot një kurorë  në Memorialin “Skënderbe” në qytetin e Lezhës, në përkujtim të 555 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Në një aktivitet përkujtimor organizuar nga Bashkia Lezhë, Presidenti i Republikës në fjalën e tij tha se “historia e kombit shqiptar është ajo e arritjeve, qendresës, dhe e ringritjes përpos gjeopolitikës, përpos paragjykimeve, përpos dasive të kërkuara me insistim nga shtete shumë më të fuqishme. Jeta e Gjergj Kastriotit na kujton origjinalitetin e forcën e një populli autokton, pa orekse për territore që nuk i përkasin, por i palëkundshëm nga trojet e veta.”

323458118 1154050985293355 7254990359533461393 n

Duke shfrytëzuar këtë datë përkujtimore Presidenti theksoi se “jeta e Gjergj Kasriotit tregon suksesin e besimit tek vetvetja, pa i lakmuar askujt asgjë. Gjergj Kastrioti Skënderbeu nuk është një legjendë, është një hero, por mbi të gjitha është një e vërtetë.”

“Gjergj Kastrioti,” theksoi Presidenti, “është Heroi ynë Kombëtar dhe ne i jemi mirënjohës për luftën, përpjekjet, sukseset dhe shembullin. E shqiptarët dinë të jenë mirënjohës. Por, Gjergj Kastrioti ishte mbi të gjitha një shqiptar si të tjerë në mote e sot, që kanë në zemër dashurinë për këtë tokë, kanë besim në cilësitë e tyre, dhe dinë të arrinë suksese për vete e për shumë të tjerë. Këta shqiptarë janë në Shqipëri e kudo në botë,” nënvizoi Presidenti Begaj.

323161579 1345583509594211 8883381647030994934 n

Në fund të fjalës së tij, Kreu i Shtetit bëri thirrje që “qofshim ne shqiptarët kudo të jemi, çdo ditë, e veçanërisht në ditë si kjo kur përkujtojmë heroin evropian dhe rolin tonë si popull në historinë botërore, të ndërgjegjshëm për cilësitë tona. Të dimë t’i mbrojmë këto cilësi me zgjuarsi, dije e bashkëpunim siç dhe bëri Gjergj Kastrioti.”