Presidenti i Republikës së Shqipërisë

logo e institucionit Presidenti slider 2

Lajme

Presidenti Begaj telegram urimi për Presidentin Trump për inaugurimin: Shqipëria, e angazhuar të thellojë bashkëpunimin me SHBA-në

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, i dërgoi sot një telegram urimi Sh. T. Z. Donald Trump me rastin e inaugurimit si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Presidenti Begaj i shprehu Presidentit Trump urimet për përmbushjen me sukses të detyrës në këtë post të rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për zhvillimet në botë.

Presidenti i Republikës rikonfirmon admirimin historik dhe të vazhdueshëm të shqiptarëve ndaj Amerikës, si kampione e parimeve të demokracisë, lirisë e përparimit, si dhe miqësinë midis dy vendeve dhe respektin e ndërsjellë, bazuar mbi vlera e aspirata të përbashkëta. 

Kreu i Shtetit shprehet besimplotë se udhëheqja e Trump do të vazhdojë të mbështesë këto vlera dhe arritje, duke nxitur stabilitetin, paqen dhe mirëqenien në rajonin tonë dhe në arenën globale. 

“Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar të thellojë bashkëpunimin e suksesshëm me Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në adresimin e sfidave të përbashkëta rajonale dhe globale”, – shkruan Presidenti Begaj në telegram, ku uron, gjithashtu, mirëqenie e begati për popullin mik amerikan. 

Presidenti i Republikës risjell në vëmendje si dëshmi historike të partneritetit afatgjatë Shqipëri-SHBA rolin vendimtar të Presidentit Willson për sovranitetin e Shqipërisë,  lidershipin amerikan për integrimin Euroatlantik të Shqipërisë, anëtarësimin në NATO, si dhe kontributin e patjetërsueshëm për pavarësinë e Kosovës.