16/04/2023• Lajme• Bianka Hada
Me rastin e Pashkës Ortodokse, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, ndodhej në qytetin e Korçës, nga ku uroi të gjithë besimtarët ortodoksë në një prononcim për mediat.
“Uroj të gjithë besimtarët ortodoksë Gëzuar Pashkën! Zgjodha të jem në qytetin e Korçës në këtë ditë të shenjtë, sepse ku më shumë se tjetër se qyteti i Korçës kjo festë e shenjtë festohet me këtë gjallëri dhe atmosferë të jashtëzakonshme! Kjo gjë mu konfirmua edhe nga mitropoliti i Korçës,” – tha Presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit vazhdoi më tej duke thënë se “Në orën 00:00 të gjithë besimtarët ortodoksë ndanë me njëri tjetrin flakën, që simbolizoi Ringjalljen e Krishtit, rikthimin e shpresës dhe të dritës! Uroj për të gjithë shqiptarët, kjo Pashkë ardhtë e mbarë, e bardhë dhe drita e Pashkës ndriçoftë mendjen, zemrat dhe jetën e shqiptarëve,” tha në urimin e tij Presidenti Begaj.
Më herët, Presidenti Begaj vizitoi Mitropolinë e Shenjtë të Korçës, ku u takua dhe me Hirësinë e Tij, Joan Pelushi.