Presidenti Begaj uron besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit
Me rastin e Fitër Bajramit, Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Bajram Begaj, ndodhej në qytetin e Kavajës, ku uroi të gjithë besimtarët myslimanë nga xhamia “Kubelie”.
“Uroj të gjithë besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët ku jetojnë e punojnë Gëzuar Festën e Fitër Bajramit!
Uroj nga zemra që agjërimi i muajit të Ramazanit ka përmbushur qëllimin e shprehjes së devocionit të besimtarëve përmes sakrificës!
Sakrifica në emër të besimit shpresoj të jetë shtysë për ne, për të bërë vepra të mira, për familjen, për shoqërinë dhe për kombin” – tha Presidenti në një prononcim për mediat.
Kreu i Shtetit vazhdoi më tej duke thënë se: “Në fakt, kjo festë e Fitër Bajramit ka karakteristikë të veçantë solidaritetin dhe dashurinë. Dashurinë për njëri-tjetrin, dashurinë për Zotin.
Sot në Kavajë gjeta veten, takova miq të rinj dhe të vjetër, të besimeve të ndryshme dhe ku më mirë se Kavaja tregohet kjo harmoni fetare. Bashkëjetesa dhe harmonia fetare për të gjithë kombin tonë është një vlerë e jashtëzakonshme, vlerë e cila duhet ruajtur, duhet promovuar dhe pse jo duhet eksportuar.
Të eksportojmë atë vlerë që është më e mira. Populli shqiptar e ka treguar me vepra që e përkrah të ndryshmen.
Kemi pritur refugjatë afganë, kemi pritur refugjatë ukrainas, kemi hapur dyert tona në ditë të vështira, pse jo edhe në këtë ditë të bëjmë një thirrje që të ndihmojmë ata që janë më të pamundurit, ata që kanë nevojë për më shumë”– tha Presidenti Begaj, i cili e mbylli fjalën duke uruar shqiptarët për mirësi në jetën e tyre.
Më herët, Presidenti Begaj u takua me myftiun e myftinisë së Kavajës, Besnik Leçinin. Presidenti zgjodhi të vizitonte Kavajën në këtë ditë të shenjtë për besimtarët myslimanë, si një qytet me traditë të konsoliduar të besimit dhe të harmonisë fetare.
Kavaja është një qytet që besoi e festoi edhe në kohën e regjimit në një harmoni të plotë.