Presidenti i Republikës së Shqipërisë

thumbnail 9d3b3ec2 28da 444e 80bf 0f8c4e1ee8f5

Lajme

Presidenti Begaj u përgjigjet interesimit të gazetarëve lidhur me vizitën dhe takimet me Presidentin Federal të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier

Në konferencën për shtyp të mbajtur me rastin e vizitës së Presidentit të Republikës Federale Gjermane, Sh. T. Z. Frank-Walter Steinmeier, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sh. T. Z. Bajram Begaj dhe homologu gjerman iu përgjigjën interesit të gazetarëve shqiptarë dhe gjermanë mbi këtë vizitë.

Duke folur për rëndësinë e partneritetit me Gjermaninë për anëtarësimin në BE në vijim, Presidenti Begaj tha ndër të tjera se “Gjermania ka qenë një partnere shumë e besuar e Shqipërisë, ka bashkëpunuar ngushtësisht me institucionet shqiptare për të dhënë ndihmë të pakursyer, si në reformën në drejtësi, si në reformën elektorale, si në proceset e tjera integruese dhe besoj shumë fort që ndihma që do vazhdojë të japë Gjermania në procesin e negociatave, sidomos me ekspertë të fushave të ndryshme, për kapituj të ndryshëm në fazën e negocimit do të ishte shumë e mirëpritur.”

Për sa i përket pritshmërive nga Samiti i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor që do të mbahet në Tiranë, Presidenti Begaj tha ndër të tjera: “Është një ngjarje historike për Shqipërinë dhe natyrisht është edhe përgjegjësi shumë e madhe për vendin tonë. Pritshmëria nga ky samit është të përcaktohen dhe ravijëzohen qartë detyrat që do të ketë çdo vend aspirant për Bashkimin Evropian nga vendet e Ballkanit Perëndimor, rruga që kemi përpara dhe proceset që ata duhet të ndjekin. Pritshmëritë janë të larta.”

“Kuptohet që procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk është një proçes që ka një afat të përcaktuar. Duhet që secili vend që është aspirant duhet të bëj detyrat e veta të shtëpisë. Pa u plotësuar të gjithë kriteret nuk besoj se mund të arrihet një anëtarësim pro bono. Kështu që duhet patjetër që vendi jonë të punoj ngushtësisht me gjithë institucionet ndërkombëtare, me gjithë vendet partnere për të realizuar në kohë të gjithë procesin e adaptimit dhe në përshtatjen e negociatave për t’u anëtarësuar,” u shpreh ndër të tjera Presidenti Begaj.

I pyetur se sa e ndikon takimi i sotëm agjendën Shqipëri-Gjermani, Presidenti Begaj tha se kjo vizitë sot, pas 27 vitesh të një Presidenti gjerman në vendin tonë, është tregues i mbështetjes gjermane në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Presidenti Begaj u pyet gjithashtu se cili është qëndrimi i tij mbi angazhimin e Gjermanisë për zbutjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe u pyet nëse do i kërkojë qeverisë shqiptare të mbajë një qëndrim ndaj Ballkanit të Hapur ku bën pjesë dhe Serbia.

Në përgjigje të kësaj pyetjeje, Presidenti Begaj tha se: “Është i mirëpritur propozimi franko-gjerman, apo gjermano-francez, apo propozimi i Brukselit i quajtur së fundmi, për dialogun Kosovë-Serbi. Çdo përpjekje për dialog dhe për gjetjen e zgjidhjes midis Kosovës dhe Serbisë, dhe çdo propozim lidhur me të, është i mirëpranuar nga ana jonë dhe kemi qenë gjithmonë për këtë dialog. Përsa i përket Procesit të Berlinit, e përmenda që ky proces është shumë i rëndësishëm dhe firmosja e tre marrëveshjeve para një muaji për lëvizshmërinë krijon premisa për marrëveshje të reja në të ardhmen. Është i rëndësishëm implementimi i këtyrë marrëveshjeve, që vendet të respektojnë marrëveshjet e firmosura dhe nuk është se unë mund t’i jap ndonjë këshillë qeverisë në lidhje me Ballkanin e Hapur apo Procesin e Berlinit. Procesi i Berlinit nga ana e qeverisë është marrë seriozisht dhe ka pranuar që vitin tjetër Samiti i Procesit të Berlinit të zhvillohet në Tiranë. Kjo tregon që qeveria shqiptare është e angazhuar dhe punon për gjetjen e rrugëve dhe marrëveshjeve të reja në këtë kohë. Po ashtu dhe për Ballkanin e Hapur, i cili për mendimin tim është një proces integral dhe nëse do të jetë gjithëpërfshirës, me të gjithë vendet e rajonit dhe do të ketë në fokus vetëm lëvizshmërinë, lirinë e lëvizjes, dhe bashkëpunimin ekonomik, është i mirëpranuar, për faktin se Shqipëria gjithmonë ka qenë pjesë e dialogut, pjesë e organizmave rajonale dhe në këtë aspekt them se çdo bisedë, çdo bashkëpunim rajonal është i mirëpritur.”