26/10/2022• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Bajram Begaj u takua sot me Kryetarin e Shoqatës së Minoritetit Egjiptian të Shqipërisë, z. Agron Meraj si dhe përfaqësues të kësaj shoqate.
Presidenti Begaj u njoh me problematikat dhe sfidat me të cilat përballen sot minoritetet kombëtare Rome dhe Egjiptianë në Shqipëri dhe që kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve të jetesës së këtij minoriteti, përmirësimin e dispozitave ligjore që sigurojnë akses të lehtësuar për ta në sistemin e mbrojtjes sociale, nxitjes për pjesëmarrje dhe standarde gjithëpërfshirëse në procesin mësimor-edukativ të fëmijëve e të rinjve Rom dhe Egjiptianë.
Presidenti Begaj vlerësoi si një hap pozitiv miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Barazi, Përfshirje dhe Pjesëmarrjen e Romëve dhe Egjiptianëve 2021-2025, që nxit dhe krijon mundësitë për përmirësimin e jetesës së komuniteteve Rome dhe Egjiptiane, në vendin tonë.
Kreu i Shtetit nënvizoi rëndësinë e projektimit të politikave konkrete të integrimit dhe përfshirjes reale të këtyre komuniteteve në nivelin e qeverisjes qëndrore dhe vendore, për t’i bërë ata të ndihen pjesë e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe demokratike.