05/10/2022• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj zhvilloi një vizitë zyrtare në qytetin e Shkodrës.
Ndalesën e parë Kreu i Shtetit e bëri në Bashkinë e Shkodrës, ku u prit nga Kryetari i saj, z. Bardh Spahia dhe nga Kryetarja e Këshillit Bashkiak, znj. Brisela Kadija.
Kreu i Shtetit u shpreh se: “Institucionet e pushtetit vendor duhet të jenë sa më afër qytetarit me vendimet e tyre, sidomos në këto kohë vështirësish ekonomike e rritje çmimesh, si pasojë e krizës ndërkombëtare.
Transparenca në vendimmarrje, mirëqeverisja dhe konsultimi me komunitetin dhe grupet e interesit, duhet të jenë praktikë e zakonshme pune për të gjitha institucionet e zgjedhura”.
Presidenti i Republikës në vijim të vizitës së Tij, ka marrë pjesë në kremtimin e 100-vjetorit të themelimit të Gjimnazit “28 Nëntori” në Shkodër.
Kreu i Shtetit në fjalën përshëndetëse para përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit, pushtetit vendor, mësuesve dhe nxënësve u shpreh: “Nderojmë punën dhe kontributin e shumë brezave të mësuesve, drejtuesve dhe nxënësve të këtij gjimnazi, një emblemë e qytetit dhe shpirtit të tij arsimdashës.
Shpreh mirënjohjen për figurat e shquara të arsimit të këtij institucioni, të profesionalizmit dhe përkushtimit të mësuesve, të arritjeve të larta të nxënësve, të cilët kanë vendosur gurë themeli në arsimin kombëtar”.
Me këtë rast, Presidenti Begaj vlerësoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” këtë gjimnaz, si shkollën e parë laike në vend me motivacionin: “Për kontributin e dhënë për arsimimin dhe edukimin e brezave gjatë një shekulli”.
Presidenti Begaj ka vazhduar takimet me Prefekten, znj. Majlinda Angoni dhe përfaqësues të Këshillit të Qarkut.
Presidenti Begaj ka vijuar vizitën, duke u takuar me përfaqësuesit e komuniteteve fetare, të cilëve u shprehu vlerësime për kontributin personal dhe atë të gjithë komunitetit në kultivimin e marrëdhënieve të shkëlqyera dhe tolerancën fetare në qytetin e Shkodrës.
Presidenti u prit në takime miqësore nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, Imzot Angelo Massafra, Kryeipeshkvi i Shkodër-Pultit, si dhe Atë Aleksandër Petani, i Kishës Ortodokse Autoqefale në Shkodër.