Presidenti i Republikës së Shqipërisë

thumbnail Un 13

Lajme

Presidenti Begaj takohet me përfaqësues të diasporës dhe organizatave të ndryshme shqiptare në Nju Jork

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj përgjatë qëndrimit në Nju Jork u takua me përfaqësues të diasporës si dhe organizatave apo shoqatave të ndryshme shqiptare.
thumbnail Un 12
Fillimisht, Presidenti Begaj u takua me përfaqësuesit e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”. Në një atmosferë të ngrohtë e mikpritëse, Presidenti Begaj vlerësoi “Vatrën”, që prej më shumë se një shekulli ka dhënë e vazhdon jep kontributin e saj jetik në proceset e rëndësishme historike dhe transformuese të Shqipërisë.
Kryetari i “Vatrës”, Elmi Berisha, i dorëzoi Presidentit “Çertifikatën e Mirënjohjes”, me motivacionin: “Për shërbimin e shquar në forcat e armatosura të Republikës së Shqipërisë, për kontributin e lartë në sigurinë publike të qytetarëve shqiptarë, për nivelin e lartë të ekspertizës në trajtimin e çështjeve të sigurisë kombëtare dhe mbështetjen e bashkëpunimin institucional në kryerjen e reformave të thella për integrimin evropian të Shqipërisë e shqiptarëve.”
Presidenti Begaj u takua gjithashtu në Nju Jork me përfaqësues të shoqatave të ndryshme shqiptare, si për shembull shoqatën “Bijtë e shqipes”, shoqatën “Ulqini”, shoqatën “Filadelfia” etj, në një takim që u moderua nga Mark Gjonaj.
Përgjatë të gjitha takimeve të zhvilluara, Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e jashtëzakonshëm që këto organizata dhe shoqata kanë luajtur në në mbajtjen gjallë të gjuhës, traditave, kulturës shqiptare për të gjithë komunitetin shqiptar në Amerikë. Ato kanë shërbyer si një urë edhe për integrimin e diasporës së re shqiptare, që zgjodhi të ndërtonte në Shtetet e Bashkuara një jetë më të mirë pas rënies së komunizmit.
thumbnail Un 28
Tek sa diaspora ndjek me interes edhe zhvillimet në Shqipëri, e është kontribuese në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit, është e rëndësishme që institucionet në Shqipëri të angazhohen më shumë në garantimin e përfaqësimit të interesave të çdo qytetari shqiptar, përfshirë atyre që jetojnë jashtë vendit. Në këtë drejtim, Presidenti Begaj u shpreh se i ka bërë thirrje parlamentit dhe institucioneve të Shqipërisë, që të bëjnë sa më parë realitet mundësinë që shqiptarët të votojnë jashtë vendit. Institucioni i Presidentit së bashku me Qeverinë dhe Parlamentin, duhet të bashkërendojnë energjitë dhe forcat për të mundësuar në zgjedhjet e ardhshme votën e diasporës.
thumbnail Un 32
Kreu i Shtetit shprehu gjithashtu mirënjohjen për kontributin që komuniteti shqiptar në SHBA ka pasur në jetën ekonomike, kulturore dhe politike të SHBA-së. Presidenti Begaj i bëri thirrje diasporës të vizitojë Shqipërinë, si dhe të investojë në Shqipëri. Institucionet e Shqipërisë janë shumë të angazhuara për thellimin e bashkëpunimit kulturor, të biznesit, të arsimit, si dhe mbështetjen e mëtejshme për forcimin e identitetit shqiptar, veçanërisht përmes mësimit të gjuhës dhe historisë.
Promovimi i gjuhës është një mision i përvitshëm, i cili konkretizohet me shpërndarjen e teksteve shkollore për fëmijët në diasporë. Në këtë drejtim, Presidenti Begaj tha se vendosja e gjuhës shqipe në kurrikulat e shkollës publike në Bronks, ku është dhe përqendrimi më i madh i komunitetit shqiptar është një shembull që mund të aplikohet edhe në shkollat e tjera publike në SHBA, por edhe në vende të tjera kudo ku jetojnë familjet shqiptare.
thumbnail Un 18
Në takime me përfaqësues të shoqatës “Bijtë e shqipes” dhe me shoqatën “Ulqini” Presidenti vlerësoi kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në mësimin e gjuhës shqipe nëpërmjet shkollave shqipe që keto shoqata kanë hapur.
Zonja e Parë Armanda Begaj u kujdes të sillte për disa shkolla të diasporës, sete me libra didaktike dhe libra në gjuhën shqipe duke vijuar me iniciativën e promovimit të librit shqip kudo ku ka shqiptarë.
thumbnail Un 21