Presidenti Begaj takim me përfaqësues të shoqatave shqiptare në Kroaci
Gjatë vizitës shtetërore në Kroaci, Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Bajram Begaj, zhvilloi një takim me përfaqësues të shoqatave shqiptare në Kroaci.
Presidenti Begaj i përshëndeti të pranishmit, të cilët i konsideroi një urë të natyrshme lidhëse mes Shqipërisë dhe Kroacisë.
“Përmes dedikimit tuaj në punën e përditshme, në familjen tuaj, në rrethin dhe në komunitetin ku bëni pjesë, por edhe përmes ruajtjes e përçuarjes së vlerave më të larta të kombit shqiptar, keni bërë të mundur që të forcohet edhe më tej miqësia mes dy popujve dhe dy vendeve”-tha Presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit shtoi më tej se është krenari të dëgjosh që komuniteti shqiptar në Kroaci është pjesë konstruktive dhe e përkushtuar e shoqërisë kroate.
“Gjatë mandatit tim si President do të kujdesem që diaspora shqiptare kudo që ajo ndodhet të jetë në qendër të vëmendjes” – tha në fjalën e tij Presidenti.
Pa kontributin social, ekonomik dhe politik të diasporës, Shqipëria nuk mund të jetë e plotë dhe e përparuar.
Presidenti Begaj shtoi gjithashtu se i takon të gjithëve të bëjnë rolin e tyre, në mënyrë që çdo shqiptar që zgjedh të jetojë jetën e tij në Shqipëri, të ketë kushtet e nevojshme për ta bërë një gjë të tillë.
Njërës prej nismave të cilave Presidenti Begaj i ka dhënë vëmendje që në fillim të mandatit të tij ka qenë e drejta e diasporës shqiptare për të votuar.
Në këtë kuadër, Presidenti u shpreh se Shqipëria është në rrugë të mbarë për ta realizuar një gjë të tillë në zgjedhjet e vitit 2025.
Në fund të fjalës së tij, Presidenti uroi që diaspora shqiptare në Kroaci të vazhdojë të jetë një burim krenarie për Shqipërinë.