02/05/2024• Lajme• Bianka Hada
Gjatë vizitës zyrtare në Kalabri, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, zhvilloi një takim me Zëvendëskryeministrin e Italisë, njëkohësisht Ministër i Punëve të Jashtme, z. Antonio Tajani.
Në takimin dypalësh Presidenti Begaj ritheksoi se Italia mbetet partner i pazëvendësueshëm strategjik për vendin tonë, bazuar në historinë e shkëlqyer të miqësisë dhe marrëdhënieve tona politike, ekonomike e social-kulturore.
Presidenti i Republikës e falënderoi Zëvendëskryeministrin e Italisë për mbështetjen që Italia i jep zgjerimit të BE-së në Ballkan, si dhe rikonfirmoi angazhimin dhe përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian.
Gjithashtu, Presidenti Begaj i shprehu z. Tajani vendosmërinë e Shqipërisë për të thelluar e pasuruar me tej bashkëpunimin në organizatat ndërkombëtare dhe për çështje me rëndësi rajonale dhe globale.