13/06/2024• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, gjatë qëndrimit në Shkup zhvilloi sot një takim me Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi.
Gjatë këtij takimi, Presidenti Begaj e përgëzoi z. Xhaferi për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe suksesin e arritur në realizimin e zgjedhjeve të fundit në Maqedoninë e Veriut, të cilat përmbushën të gjithë parametrat demokratikë si të drejta dhe të pakontestueshme.
Presidenti Begaj vlerësoi përkushtimin dhe rolin vendimtar të shqiptarëve në proceset e shtetformimit në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se bashkëpunimi ndërshtetëror dhe ndërkomunitar është çelësi i suksesit dhe stabilitetit rajonal.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë Presidenti Begaj i cilësoi si të shkëlqyera në nivelin politik, ndërsa propozoi zgjerimin e tyre në fusha të tjera me interes reciprok: në ekonomi, në shkëmbime tregtare e kulturore, në sektorin e energjisë dhe atë të turizmit.
Presidenti i Shqipërisë theksoi se duhet punuar fort për avancimin e projekteve të nisura në këto fusha.
Po ashtu, Presidenti Begaj vlerësoi bashkëpunimin e dy vendeve në organizmat rajonalë dhe ndërkombëtarë.
Politika e jashtme dhe ajo e sigurisë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është e linjëzuar me atë të Bashkimit Evropian, – theksoi Presidenti Begaj.
Presidenti Begaj shprehu besimin se në këtë mënyrë do të vijohet drejt finalizimit të rrugëtimit të përbashkët të dy vendeve për anëtarësimin në BE.