Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 7674 scaled

Lajme

Presidenti Begaj takim kokë më kokë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, zhvilloi në Prishtinë një takim kokë më kokë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe më pas takimin dypalësh me praninë e delegacioneve përkatëse.

Kreu i Shtetit konfirmoi qëndrimin e Shqipërisë krah Kosovës, duke theksuar faktin se çdo sukses i Kosovës është sukses i shqiptarisë.

IMG 7675 scaled

“Nuk ka rrugë tjetër. Shqipëri-Kosovë është një simbiozë që do të vazhdojë të ekzistojë”, – u shpreh Presidenti Begaj, bashkë me urimin që ditët e mira për shqiptarët të vazhdojnë të jenë të tilla, që të dyja vendet të kenë ardhmëri më  të mirë.

“Kemi mundësi të përparojmë dhe të jemi faktor i rëndësishëm për stabilitetin, paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit”, – u shpreh Presidenti Begaj, duke theksuar se për Shqipërinë, mbrojtja dhe promovimi i Kosovës, është në çdo agjendë ndërkombëtare. “Funksionet publike janë të përkohshme, kombi është i përjetshëm”, – vlerësoi Presidenti i Republikës”

Presidenti Begaj e cilësoi 12 qershorin e vitit 1999 si ditën që solli lirinë mbi vuajtjet, mbi persekucionin, mbi spastrimin etnik, mbi gjenocidin dhe, kjo liri, – u shpreh ai, – është e të gjithë atyre atdhetarëve që dhanë jetën, sakrifikuan dhe kontribuuan për Kosovën.

IMG 7673 scaled

Gjithashtu, Presidenti i Republikës rikonfirmoi qëndrimin e tij për anëtarësimin e Kosovës në NATO, dhe për këtë angazhim, si dhe për lobimin në procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës, mori falënderime dhe mirënjohjen nga Kryeministri Albin Kurti.

Gjatë këtij takimi, Presidenti i Shqipërisë, në vijimësi të iniciativave, të cilave u është përkushtuar, propozoi që edhe Kosova të shpallë festë kombëtare 22 nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Për këtë kërkesë ai gjeti aprovimin e Kryeministrit Kurti.

IMG 7669 scaled

Gjatë bisedës u trajtuan edhe çështje të shkëmbimeve kulturore dhe arsimore, ku një rëndësi e veçantë iu kushtua bashkëpunimit për lehtësimin studimor të njohjes së historisë sonë nëpërmjet organizimit të shkëmbimeve mes shkollave.