04/02/2025• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, shprehu sot ngushëllime për ikjen nga kjo jetë të klerikut bektashi, Baba Hekuran Nikollari, Dervish i Teqesë së Alipostivanit në Përmet.
Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin që Baba Hekurani ka dhënë në shërbim të besimtarëve, ruajtjes së identitetit kombëtar dhe përhapjes së harmonisë fetare në Shqipëri.
Në mesazhin e tij, Presidenti i Republikës thekson se përkushtimi i Baba Hekuranit ringriti nga rrënojat Teqenë e Alipostivanit, duke e kthyer atë në një vend të paqtë pelegrinazhi.
Presidenti Begaj vlerëson se veprimtaria e Baba Hekuranit në ndihmën ndaj të pamundurve shërben si frymëzim ndër breza për kryerjen e veprave të mira.
Mesazhi i plotë i Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj:
“Mësova me dhimbje kalimin nga kjo jetë të Baba Hekuran Nikollarit, klerikut që vazhdoi veprën e Baba Aliut, duke shërbyer si frymëzim dhe udhërrëfyes për komunitetin bektashi të qarkut të Gjirokastrës e më gjerë.
Falë punës së jashtëzakonshme të Baba Hekuran Nikollarit, Teqeja e Baba Aliut në Alipostivan u ringrit nga rrënojat. Ai e riktheu këtë vend të shenjtë në simbol të vlerave shqiptare, monument të qetësisë, dashurisë dhe ndihmës për të pamundurit.
Baba Hekurani do të kujtohet gjithmonë për përkushtimin ndaj besimtarëve, si mbrojtës i identitetit kombëtar dhe përhapjes së harmonisë fetare. Ditë pas dite, deri në frymën e fundit, Baba Hekurani u kujdes për të dhënë jetë tokës dhe besimit bektashi.
I shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, besimtarëve bektashinj dhe i bashkohem lutjeve për prehjen në paqe të shpirtit të Baba Hekuran Nikollarit”.