Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 0790

Lajme

Presidenti Begaj shpreh ngushëllime për vdekjen e Presidentit James Earl Carter Jr. i cili shërbeu si President në Shtetet e Bashkuara nga viti 1977 deri në vitin 1981

Presidenti i Repubikës Sh. T. Z. Bajram Begaj, shprehu sot ngushëllime për vdekjen e Presidentit James Earl Carter Jr. i cili shërbeu si President në Shtetet e Bashkuara nga viti 1977 deri në vitin 1981. 

Presidenti Begaj nënshkroi në Librin e Ngushëllimit të hapur në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë. 

Presidenti i Republikës vlerësoi Presidentin Carter si një lider që gjatë gjithë jetës punoi për lirinë, drejtësinë dhe paqen mes njerëzve dhe i mësoi botës rëndësinë e kësaj kauze dhe respektin ndaj këtyre parimeve. 

“Në kujtim të James Earl Carter Jr. Presidentit të 39-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, liderit që i qëndroi besnik parimeve demokratike.

Ai do të kujtohet në historinë e politikës ndërkombëtare, si kampion në shërbim të njerëzve, Nobelist i Paqes, që ndër dekada punoi për zgjidhje paqësore, për të çuar përpara demokracinë dhe të drejtat e njeriut. 

Njerëzimi mësoi prej tij se si të jetë i paqtë dhe të mos e pranojë luftën as si “të keqe të domosdoshme”, por të luftojë për një shoqëri të lirë e të drejtë”, shkroi Presidenti i Republikës Sh. T. Z. Bajram Begaj, në Librin e Ngushëllimeve për Presidentin Carter, të hapur në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë.