Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 4926

Lajme

Presidenti Begaj, së bashku me Zonjën e Parë, vizitë në kopshtin “Dielli” në Tiranë

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Bletëve, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z Bajram Begaj, së bashku me Zonjën e Parë, zhvilluan një vizitë në kopshtin “Dielli” në Tiranë. 

Tema e këtij viti për bletarinë fokusohet në angazhimin e të rinjve, për të theksuar rëndësinë e përfshirjes së këtij brezi në përpjekjet për ruajtjen e bletëve.

Presidenti i Republikës zgjodhi të ndajë këtë ditë më të vegjlit, pasi, siç u shpreh, “ata janë mjalti i çdo familjeje shqiptare”.

“Zgjodha te jem këtu në ditën botërore të bletëve, në kopshtin 26, të jem me fëmijët, sepse ata janë mjalti i çdo familje, i familjeve shqiptare. Në fakt, kopshti Dielli, me ngrohtësinë e dhënë nga edukatorët, ngroh 150 fëmijë”, – deklaroi Presidenti Begaj, i cili ndoqi aktivitetin e fëmijëve të këtij kopshti kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Bletëve.

Me rolet e tyre si bletë dhe improvizimin e bletërritësve, fëmijët u shndërruan në kujdestarë të ardhshëm të mjedisit: “Jam shumë i lumtur që shikoj se secili nga fëmijët e këtij kopshti është i përshtatur me rolin e tij, që na tregon më me detaje se çfarë duhet të bëjë dhe çfarë bën. Kjo tregon një metodë të re mësimdhënie të edukatoreve, të cilët dua t’i falënderoj për përkushtimin, angazhimin dhe devotshmërinë e tyre për këta fëmijë, që janë e ardhmja jonë”. 

IMG 4915

Presidenti i Republikës theksoi, gjithashtu, rëndësinë që ka sistemi parashkollor për formësimin e brezave të rinj.

“Kur flasim për arsimin duhet të kuptojmë shumë mirë që arsimimi fillon nga parashkollori. Nëse ne nuk tregojmë kujdes për parashkollorin, nuk mund të kemi një të ardhme të mirë.  Këta fëmijë sot na treguan se e ardhmja do të jetë shumë e bukur”, deklaroi Presidenti i Republikës. 

Në mesazhin e përgëzimit ndaj edukatoreve të gjithë Shqipërisë, Kreu i Shtetit uroi që ato të mos lodhen kurrë së dhëni dashurinë dhe përkushtimin për fëmijët, për të ardhmen tonë. Presidenti i Republikës këshilloi që i gjithë sistemi arsimor e shoqëria duhet të kenë të njëjtin pasion dhe dedikim për përgatitjen e brezave të rinj.