Presidenti i Republikës së Shqipërisë

Untitled Artwork 3 1 scaled

Lajme

Presidenti Begaj priti një përfaqësi nga Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, priti sot një përfaqësi të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, të kryesuar nga Presidenti i këtij këshilli, Ambasadori Timothy A. Chorba.

Kjo përfaqësi e ish-diplomatëve të lartë amerikanë po viziton Shqipërinë në kuadër të një turi rajonal faktmbledhës për tre vende të Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Untitled Artwork 1 1 1 scaled

Pasi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe pasi shprehu mirënjohje për atë çka kanë bërë për pavarësinë e Shqipërisë e të Kosovës, Presidenti Begaj i njohu ish-diplomatët amerikanë me reformat dhe hapat e ndërmarra për konsolidimin e institucioneve demokratike e të shtetit ligjor.

Në mënyrë të veçantë, Presidenti Begaj u ndal te kontributi i Shqipërisë për paqen, stabilitetin dhe ndërtimin e frymës së fqinjësisë së mirë në rajon, duke nënvizuar më tej edhe mbështetjen që Shqipëria i jep dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si e vetmja alternativë për arritjen e një marrëveshjeje ndërkombëtarisht të detyrueshme, me në qendër njohjen e ndërsjellë të tyre.

Ndërsa lidhur me procesin e integrimit evropian, Presidenti Begaj u shpreh se pas anëtarësimit në NATO, anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet prioriteti strategjik më madhor i Shqipërisë dhe i shqiptarëve.

Untitled Artwork 2 1 scaled

Duke iu referuar kushteve të reja gjeopolitike pas agresionit rus në Ukrainë, Presidenti Begaj nënvizoi qasjen e re të Bashkimit Evropian ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe i njohu të pranishmit me çeljen e negociatave të aderimit nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua zhvillimeve në Ukrainë, rolit dhe kontributit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në dënimin e agresionit rus dhe në mbrojtje të parimeve të Kartës së OKB-së, gjithashtu dhe rendit botëror.

Më tej Presidenti Begaj përshëndeti edhe bashkëpunimin e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë me partneren e saj në Shqipëri, Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë, të drejtuar nga Presidenti i këtij këshilli z. Besnik Mustafaj.

Untitled Artwork 3 2 scaled