12/10/2022• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj priti sot Kryetarin e Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF), z. Michael D. Granoff, i cili shoqërohej në këtë takim nga anëtarët e Bordit të këtij Fondacioni.
Presidenti Begaj përshëndeti vizitën në Tiranë të anëtarëve të bordit me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA, si dhe duke iu referuar këtij viti të rëndësishëm jubilar, nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera të partneritetit strategjik midis dy vendeve.
Në mënyrë të veçantë, Presidenti Begaj vlerësoi kontributin që ky Fondacion ka dhënë që prej fillimeve të tij në vitin 1995, për mbështetjen e inisiativave private dhe konsolidimin e një ekonomie tregu në Shqipëri, por edhe për mbështetjen e sektorëve të tjerë jetikë e me mungesa investimesh për vendin.
Kreu i Shtetit vlerësoi angazhimet e Fondacionit në mbështetje të projekteve në fushën e arsimit, inovacionit, turizmit dhe kulturës, si dhe shprehu besimin se vijimi i këtyre projekteve do të ketë një ndikim domethënës për komunitetet dhe profesionistët e fushave respektive.
Presidenti i Republikës mori pjesë një ditë më parë në pritjen e organizuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF), në kuadrin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Presidenti Begaj u shpreh se “Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ka dhënë një kontribut të vyer në zbatimin e projekteve, që respektojnë parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, që ndërtojnë kapacitete vendore dhe nxisin mundësitë për punësim”.
“Jemi krenarë për marrëdhënien tashmë të konsoliduar të partneritetit strategjik mes dy vendeve tona, e cila dëshmohet sa herë ne gjejmë mbështetjen e nevojshme tek qeveria dhe populli amerikan apo sa herë gjendemi krah për krah në forume të rëndësishme të politikës ndërkombëtare dhe në misione paqeruajtëse kudo në botë”, theksoi Kreu i Shtetit.