Presidenti i Republikës së Shqipërisë

download

Lajme

Presidenti Begaj priti Kreun e ri të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadorin Guido De Sanctis

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, priti sot Kreun e ri të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadorin Guido De Sanctis.

Presidenti Begaj e uroi Ambasadori De Sanctis për fillimin e detyrës së tij në Shqipëri si dhe vlerësoi kontributin që Prezenca e OSBE-së ka dhënë për 25 vite në vendin tonë në fusha shumë të rëndësishme.

Duke evidentuar progresin e bërë në këtë periudhë si dhe transformimin e fokusit të bashkëpunimit hap pas hapi, Presidenti Begaj nënvizoi se Prezenca e OSBE-së mbetet një partner shumë i rëndësishëm për Shqiërinë.

Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe në përgatitjet e përgjithshme që nevojiten në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme vendore të 14 majit. Presidenti Begaj nënvizoi ndër të tjera, se është shumë e rëndësishme që partitë politike dhe subjektet e tjera konkuruese të demonstrojnë vullnet të qartë për të respektuar ligjin dhe një konkurrencë të ndershme. Ndërsa, duke iu referuar aktorëve të tjerë të përfshirë në organizimin dhe monitorimin e zgjedhjeve, Kreu i Shtetit, vlerësoi se roli i tyre është shumë i rëndësishëm për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.