Presidenti i Republikës së Shqipërisë

OBSH

Lajme

Presidenti Begaj priti Drejtorin Rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Dr. Hans Henri P. Kluge

Bashkëpunimi i ngushtë mes Shqipërisë dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka qenë shumë i rëndësishëm ndër vite për hartimin dhe zbatimin e politikave shëndetësore efektive, ndërsa pati vlerë të shtuar në përballimin e pasojave të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19.

Presidenti i Republikës priti sot Drejtorin Rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Dr. Hans Henri P. Kluge.

Duke vlerësuar rolin e zyrës së OBSH-së në Tiranë, Presidenti Begaj, nënvizoi se Shqipëria dhe institucionet shqiptare janë të angazhuara për ndërtimin e një politike shëndetësore në përputhje me parimet dhe vlerat e organizatës.

Kreu i Shtetit nënvizoi gjithashtu nevojën për një koordinim më të mirë dhe intensiv në funksion të zbatimit të reformave përkatëse për një sistem më të mirë shëndetësor dhe të arritshëm në të gjithë vendin e për të gjitha grupmoshat.

Nga ana e tij, Drejtori Kluge duke vlerësuar kontributin e Shqipërisë dhe angazhimin e saj në kuadër të multilateralizmit, e informoi Presidentin Begaj mbi projektet dhe planet e organizatës, për një sistem shëndetësor sa më efektiv dhe për të gjithë, ku në një fokus të veçantë mbetet bashkëpunimi i ngushtë me vendet e Ballkanit Perëndimor.