Presidenti i Republikës së Shqipërisë

1665749814616

Lajme

Presidenti Begaj priti Ambasadorin e Holandës, Reinout Vos

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, priti sot në një takim kortezie Ambasadorin e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Sh.T.Z. Reinout Vos.

Presidenti Begaj vlerësoi gjatë takimit marrëdhëniet shumë të mira e të bashkëpunimit që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve.

Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e dhënë së fundmi nga institucionet holandeze për çeljen e negociatave të aderimit në BE, duke e konsideruar këtë të fundit një hap me ndikim domethënës në ecurinë e procesit të integrimit evropian të vendit.

Presidenti Begaj vlerësoi edhe ndihmën e qënësishme që Holanda ka dhënë në kuadër të reformës në drejtësi përmes programeve mbështetëse për zbatimin e ligjit si dhe në forcimin e kapaciteteve të rendit dhe të sigurisë.

Një vëmendje të veçantë Presidenti Begaj ia kushtoi bashkëpunimit ekonomik, duke shprehur besimin se reformat e ndërmarra do të krijojnë hapësira të mëtejshme bashkëpunimi, veçanërisht në fushën e energjisë, turizmit dhe bujqësisë.

Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe në zhvillimet e ndryshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe nevojën e forcimit të këtij bashkëpunimi, veçanërisht në kushtet e reja të krijuara pas agresionit rus në Ukrainë.