Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 1392

Lajme

Presidenti Begaj pret të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, znj. Nancy Van Horn

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, priti sot në një takim të Ngarkuarën e re me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, znj. Nancy Van Horn.

Kreu i Shtetit uroi diplomaten amerikane për nisjen e detyrës, duke shprehur besimin se gjatë mandatit të saj do të pëforcohet më tej partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidenti Begaj rikonfirmoi angazhimin dhe kontributin në rritje të Shqipërisë në këtë partneritet strategjik, duke shprehur mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen bujare dhe vendimtare ndaj vendit tonë.

Presidenti i Republikës theksoi, gjithashtu, se mbështetja e SHBA-së rrit angazhimin e Shqipërisë për reformat demokratike dhe sundimin e ligjit, përpjekje këto  të qëndrueshme me synim finalizimin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Për sa i përket situatës në rajon, Presidenti Begaj u shpreh se Shqipëria vlerëson angazhimin e administratës amerikane, duke theksuar se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor mbetet vendimtar.

Në takim u vlerësua roli i Shqipërisë për stabilitetin dhe zhvillimin rajonal, përkushtimi në misionet ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë, si edhe qëndrimi kundër përpjekjeve që cenojnë paqen përmes zgjerimit të konflikteve.