Presidenti Begaj pret Presidentin e Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviç
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, priti sot në një vizitë shtetërore Presidentin e Republikës së Kroacisë, Sh.T.Z. Zoran Milanoviç. Pas ceremonisë zyrtare të mirëseardhjes, drejtuesit e dy shteteve zhvilluan një takim kokë më kokë e më pas nën kryesimin e tyre u zhvillua takimi i zgjeruar i delegacioneve zyrtare.
Të dy krerët e shteteve gjatë konferencës së përbashkët për shtyp vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera të partneritetit strategjik midis dy vendeve. Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj u shpreh se vizita e Presidentit Milanoviç në Tiranë, vjen në një moment kyç, veçanërisht për rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria dhe Kroacia janë kontribuese aktive dhe faktorë të rëndësishëm e të qenësishëm për paqen dhe stabilitetin e rajonit.
Një vëmendje të veçantë dy presidentët i kushtuan zhvillimeve rajonale.
“Dënuam ngjarjet dramatike në veriun e Kosovës dhe sulmin terrorist e kriminal ndaj policisë në Banjskë më 24 shtator të këtij viti. I shpreha shqetësimin mikut tim lidhur me përgatitjet dhe armatimin e rëndë ushtarak të përdorur nga grupi terrorist. Nënvizova nevojën e rritjes së presionit nga ana e Bashkimit Evropian për përfundimin e hetimeve dhe nxjerrjen e përgjegjësive me ndikim të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë e të gjithë rajonit,” – tha Presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit nënvizoi gjithashtu, se pas akteve të fundit terroriste të Hamasit ndaj Izraelit bëhet edhe më e domosdoshme, që Bashkimi Evropian dhe NATO të dekurajojnë me vendosmëri qasjen provokative të Serbisë ndaj Kosovës.
Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen që Kroacia i jep Kosovës, si dhe thirrjen e përsëritur që Presidenti Milanoviç ka bërë për njohjen ndërkombëtare, pranimin në NATO, si dhe respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj.
“Ndamë mendimin, se dialogu mbetet e vetmja rrugë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, deri në njohjen e tyre reciproke. Në këtë aspekt nënvizova se që prej sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, gjërat nuk janë më si më parë dhe nga mediatorët e këtij dialogu duhet të ketë një qasje të re,” – shtoi më tej Kreu i Shtetit.
Presidenti Begaj e njohu Presidentin Milanoviç me problematikat me të cilat përballet minoriteti shqiptar në Luginën e Preshevës, duke nënvizuar se shqiptarët atje kanë të gjithë të drejtën që të trajtohen sipas standardeve evropiane, ashtu siç trajtohen edhe minoritetet në Shqipëri, Kroaci apo në Kosovë.
Presidenti Begaj falënderoi Presidentin Milanoviç për mbështetjen shumë domethënëse, që ai personalisht dhe institucionet kroate, i kanë dhënë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Duke iu referuar procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, Presidenti Begaj u shpreh se zhvillimet aktuale gjeopolitike e kanë bërë tashmë domosdoshmëri strategjike këtë proces dhe se Shqipëria mbetet një partner i besueshëm i Bashkimit Evropian, veçanërisht në kuadër të politikës së jashtme dhe të sigurisë.
Në fokus të bisedave të zhvilluara përgjatë ditës së sotme ishte dhe nevoja e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik e tregtar. Kreu i Shtetit vlerësoi se falë eksperiencës dhe ekspertizës kroate në fushat e turizmit, energjetikës, infrastrukturës e bujqësisë mund të bëhet më shumë për të nxitur investimet në këto fusha. Vendosja e një linje ajrore direkte mes dy kryeqyteteve, Tiranës dhe Zagrebit, si dhe ndërlidhja e transportit të pasagjerëve mes porteve kryesore të të dy vendeve, do të kishin një impakt të rëndësishëm ekonomik, veçanërisht në fushën e turizmit.