11/04/2023• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, priti sot drejtuesit e Fondacionit “Zoja e Këshillit të Mirë”, At Ruggero Valentini, si dhe Rektorin e sapo zgjedhur të Universitetit Katolik të Tiranës “Zoja e Këshillit të Mirë”, Prof. Leonardo Palombi.
Pasi uroi të dy drejtuesit, respektivisht At Valentinin për riemërimin si President i Fondacionit dhe Profesor Palombin për emërimin si Rektor i Universitetit Katolik, Presidenti Begaj vlerësoi rolin e madh që Fondacioni “Zoja e Këshillit të Mirë” ka dhënë në fushën e mjekësisë dhe në sistemin universitar përmes projekteve të ndryshme.
“Fryma e ideatorëve dhe e mbështetësve të krijimit të këtij Fondacioni, të Papa Vojtilas dhe Nënë Terezës, është përcjellë në mënyrë shembullore nga drejtuesit e tij ndër vite, përfshirë edhe çeljen e Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë” – u shpreh Presidenti Begaj.
Gjithashtu, Presidenti Begaj duke iu referuar festave fetare që përkojnë me muajin prill të këtij viti, nënvizoi se “si Pashkët Katolike e ato Ortodokse, ashtu edhe Muaji i Shenjtë i Ramazanit dhe Fitër Bajrami, kremtohen në Shqipëri nën një frymë të veçantë harmonie, për të cilën shqiptarët janë të vendosur ta ruajnë e ta promovojnë ndër breza”.
Ndërsa duke u ndalur te lidhjet e Fondacionit me Selinë e Shenjtë dhe me Komunitetin e Sant Exhidios, Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Shtetit të Vatikanit, si në aspektin institucional, ashtu edhe në atë shpirtëror mes besimtarëve katolikë shqiptarë dhe Selisë së Shenjtë.
At Valentini dhe Profesor Palombi e njohën Kreun e Shtetit me projektet e tyre të ardhshme për zgjerimin e aktivitetit të Fondacionit dhe të Universitetit në dobi të të gjithë shqiptarëve, veçanërisht të njerëzve e grupeve shoqërore në nevojë.