26/08/2024• Lajme• Bianka Hada
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, priti sot një delegacion nga rajoni Molisse dhe komuna arbëreshe Montecilfone në Itali, në përbërje të të cilit ishin autoritete drejtuese, si dhe figura të njohura për mbrojtjen e minoriteteve gjuhësore arbëreshe.
Biseda u fokusua në forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë përmes rritjes së shkëmbimeve në fusha me interes të ndërsjellë.
Presidenti i Republikës vlerësoi partneritetin mes dy vendeve bazuar në marrëdhëniet e qëndrueshme historike, kulturore dhe ekonomike, si dhe gatishmërinë e Shqipërisë për thellimin e bashkëpunimit.
Gjithashtu, Presidenti Begaj vlerësoi rolin thelbësor të komunitetit arbëresh dhe atij shqiptar në Itali, por dhe të qytetarëve dhe sipërmarrësve italianë në Shqipëri në forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe hapjen e perspektivave të reja.