28/08/2024• Lajme• Redon Kasa
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, priti sot në një takim Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, z. Nevzad Lutfiu.
Biseda u fokusua në situatën e pakicës shqiptare në Luginën e Preshevës, për të cilën Presidenti Begaj u shpreh se e ndjek me vëmendje, veçanërisht çështjen e plotësimit të të drejtave të tyre përmes pjesëmarrjes politike dhe integrimit socio-ekonomik sipas standardeve evropiane.
Kreu i Shtetit inkurajoi Këshillin Kombëtar Shqiptar që përfaqëson shqiptarët e Luginës së Preshevës për realizimin e nismave të përbashkëta me Shqipërinë në fushat e arsimit,mjekësisë, kulturës, si edhe për zgjerimin e projekteve të bashkëpunimit në nivel lokal.
Presidenti i Republikës rikonfirmoi mbështetjen ndaj shqiptarëve që jetojnë në Serbi, duke shprehur angazhimin e Shqipërisë për hapjen sa më shpejt të Konsullatës së Përgjithshme në Luginën e Preshevës.